E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria shqiptare në dialog të hapur me shoqërinë civile për formalizimin e ekonomisë

Në takimin e sotëm të organizuar nga shoqëria civile në bashkërendim me qeverinë dhe disa nga organizatat partnere të Rrjetit të Shoqërisë së hapur për Shqipërinë (NOSA) mori pjesë kryeministri Berisha dhe Ministrat Barka, Bode, Ruli. Në këtë takim u diskutua nevoja e zgjerimit të dialogut të vazhdueshëm midis qeverisë dhe shoqërisë civile për gjetjen e rrugëve të përbashkëta dhe efikase, në reduktimin sa më të ndjeshëm të dukurisë së informalitetit.

Kryeministri Berisha dhe ministrat e qeverisë qëndruan në të tre panelet dhe dëgjuan me vëmendje të veçantë sugjerimet e shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe mjedisit akademik.

Në takim merrnin pjesë përfaqësues të Institutit të studimeve Bashkëkohore, Lëvizjes Mjaft, Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, Institutit të Kërkimeve Urbane dhe institucioneve të tjera si Universitetit Evropian dhe Institutit Agenda, etj, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri.

Ky takim u konceptua në formën e bashkëbisedimit dhe shkëmbimit të lirë të mendimeve dhe opinioneve mes palëve, me qëllim gjetjen e pikave të përbashkëta, në hartimin e strategjive në luftën kundër informalitetit.

Në diskutimet e tyre, përfaqësuesit e shoqërisë civile ngritën shqetësimin e shtrirjes së informalitetit në fusha të ndryshme, duke kërkuar që reforma anti-informalitet të konceptohet si një reformë totale që përfshin të gjitha fushat e prekura, duke nisuar nga ekonomia, e duke vazhduar tek shoqëria civile, media, politika etj.

Gjatë diskutimeve u ngrit si domosdoshmëri zhvillimi i nje reforme totale, koherente dhe të balancuar, zbatimi i ligjit dhe përmbushja e detyrimeve ligjore nga ana e biznesit,si dhe nga administra shtetërore dhe sistemi të drejtësisë.

Në fjalën e tij zotiÇapajev Gjokutaj, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Soros diskutoi për masat e nevojshme në reduktimin e informalitetit, duke shtruar nevojën e një mbështetjeje të gjerë politike e shoqërore, si dhe shmangien e spontanitetit nëpërmjet konceptimit të një reforme sistemike.

Diskutantët kërkuan gjithashtu rritjen e procesit të transparencës ndaj palëve si dhe respektimin rigoroz të kuadrit ligjor në këtë drejtim.

Gjatë këtij takimi, Rrjeti i Shoqërisë së hapur për Shqipërinë vlerësoi vullnetin e shprehur të qeverisë për reformat formalizuese dhe u angazhua në ofrimin e ekspertizës, mbështetjes dhe oponencës publike si dhe monitorimin e procesit të zbatimit të politikave publike që janë ndërmarrë dhe po ndërmerren.

Në panelin e fundit, pasi dëgjoi dhe mori shënime për vlerësimet dhe sugjerime e bëra nga pjesëmarrësit, Kryeministri shprehu gatishmërinë e tij për një dialog të gjerë e të vazhdueshëm në mënyrë që reformat formalizuese jo vetëm të kenë rezultate, por të kenë mbështetjen e të gjithë faktorëve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›