E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Lufta kundër informalitetit, vendimtare në përballjen me sukses të sfidave të integrimit dhe globalizimit

- Kryeministri garanton se Shqipëria do të jetë vendi i suksesit të luftës kundër informalitetit

Kryeministri Berisha diskutoi sot me përfaqësues të shoqërisë civile nga organizatatat partnere të Rrjetit të Shoqërisë së hapur për Shqipërinë, mbi dukurinë e informalitetit, pasojat e tij në ekonominë e vendit, nevojën emergjente për reduktimin e tij, si dhe për hartimin e politikave dhe platformave të domosdoshme për të luftuar në vazhdimësi këtë fenomen.

Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha vlerësoi këtë takim si të çmuar, për të dëgjuar dhe marrë mendimin e përparuar të shoqërisë civile dhe botës akademike, për njërin prej problemeve më shqetësuese me të cilin përballet vendi.

Kryeministri u shpreh se mendimi, ekspertiza dhe oponenca e përfaqësuesve të shoqërisë civile ka vlera të pazëvendësueshme. Për këtë qëllim, Kryeministri garantoi se qeveria do të konsiderojë shumë seriozisht sugjerimet, vërejtjet dhe propozimet e tyre, në hartimin e strategjive kombëtare të zhvillimit dhe integrimit, si dhe në aktet ligjore e platformat që do të zbatohen prej qeverisë.

Kryeministri Berisha nënvizoi se Lufta kundër informalitetit është beteja për vendosjen e shtetit ligjor, lulëzimin e qëndrueshëm të tregut, shfrytëzimin e të gjitha potencialeve të pashtershme të vendit tonë, modernizimin dhe konsolidimin e ekonomisë shqiptare për të përballur me sukses të plotë të gjitha sfidat integrimit dhe globalizimit.

Duke theksuar nevojën e vendit për reforma multidimensionale, të shpejta, të sigurta dhe të vendosura, Kryeministri u shpreh se qeveria qëndron plotësisht e vendosur të ndërmarrë në vazhdimësi hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.

Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:

"Dua t'ju falënderoj shumë përzemërsisht për këtë takim të çmuar në të cilin ne dëshirojmë, në traditën tonë më të mirë, të kemi mendimin e avancuar të shoqërisë civile, botës akademike, për njërin nga problemet më madhore me të cilin përballet sot vendi. Ky problem është informaliteti.

Dy vjet më parë bëmë një diskutim të gjerë të programeve tona me shoqërinë civile, botën akademike dhe me grupe interesi. Ne sot ndërtojmë ndërtojmë strategjitë tona duke pasur ekspertizën më të kualifikuar ndërkombëtare. Janë më dhjetëra e dhjetëra kompani, ekspertë të huaj, të cilët sot punojnë në agjencitë, zyrat e administratës, në hartimin e strategjive kombëtare të zhvillimit dhe integrimit. Kjo nuk përjashton në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë vlerën e pazëvendësueshme të mendimit tuaj, ekspertizës suaj, oponencës suaj. Në këtë kontekst, qeveria ka vendosur që të gjitha strategjitë sektoriale, në procesin e tyre të hartimit duhet të marrin mendimin e shoqërisë civile shqiptare, botës akademike.

Sot ne jemi këtu për të debatuar për një problem madhor, informalitetin. Në rast se do të vështroni treguesit makroekonomik të ekonomisë shqiptare , do t'i gjeni ato identike me të Finlandës. Ka një rritje ekonomike prej 6 %, ka një inflacion 2.4 % , ka një deficit buxhetor 2. 6 %. Por, natyrisht me gjithë dëshirën që do të kishim të pretendonim që kjo ekonomi të ishte identike me të Finlandës, nuk besoj se mund ta bënim krahasimin. Rritja prej 6 % dhe treguesit e tjerë të stabilitetit makroekonomik janë së pari një inkurajim i madh, por nga ana tjetër, kahja e tyre do të përcaktohet para së gjithash nga suksesi i luftës kundër informalitetit.

Lufta kundër informalitetit është betejë e ligjit, është betejë e vendosjes së shanseve të barabarta dhe e konkurrencës së lirë, është betejë për qartësimin e horizontit për parashikimin. Nuk do të ndalem këtu në shifra, por dua t'u garantoj se ka sektorë në të cilët ky faktor ka qenë edhe 99 % .Ju mund të gjeni sektorë, në të cilët vetëm 1 % e rrogave tw tyre janë të deklaruara mbi rrogën minimale. Mund t'ju jap shembuj të tjerë, por një gjë është e sigurtë, se qëndrimi i kësaj qeverie ndaj informales, nuk duhet ngatërruar me qëndrimin ndaj kriminales. Ekonomia informale është diçka tjetër, ekonomia kriminale është diçka tjetër. Ndaj të dyjave do të qëndrojmë në mënyrë të vendosur.

Vendi ka nevojë për reforma multidimensionale, të shpejta, të sigurta, të vendosura. Qeveria qëndron plotësisht e vendosur të ndërmarrë dhe po ndërmerr çdo javë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Nuk mund të mos ketë keqkuptime, kur çmontohet një sistem i cili ishte bërë ligjësi. Nuk mund të mos ketë dhimbje kur çmontohet një sistem në të cilin klientela po fitonte në mënyrë të pandershme, nuk mund të mos ketë dhimbje në një sistem ku ligji ishte shndërruar në një minorancë absolute. Treguesit makroekonomik janë shumë të mirë, por ne jemi të pakënaqur sepse Shqipëria, me resurset e saj, i ka të gjitha potencialet për t'u bërë një vend me rritje ekonomike dy shifrore. Shqipëria ka të gjitha elementët për t'u bërë vendi më tërheqës për investimet e huaja. Këto investime në vitin 2006 ishin katër herë më të larta, krahasuar me vitin 2004. Eksportet janë rritur këtë vit me 28 % krahasuar me vitin tjetër. Këto shifra nuk mund të kënaqin, këto shifra duhet dhe kanë të gjitha mundësitë për të qenë më të mëdha. Kusht përcaktues në konceptin tim dhe të qeverisë është lufta kundër informalitetit.

Lufta kundër informalitetit është beteja për vendosjen e shtetit ligjor, lulëzimin e qëndrueshëm dhe të vërtetë të tregut, shfrytëzimin e të gjitha potencialeve të pashtershme të këtij vendi, modernitetin e kësaj ekonomie, konsolidimin e saj për t'u përballur me sukses të plotë me të gjitha sfidat e integrimit dhe globalizimit.

Për të gjitha këto arsye, qeveria është e vendosur të paguajë çdo çmim, të marrë çdo masë, të miratojë çdo ligj për të formalizuar ekonominë shqiptare, për të vendosur atë mbi baza të formalitetit dhe të ligjit. Mirëpresim çdo mendim dhe ju garantoj se unë, së bashku me ministrat e mi, jam sot këtu që të mbajmë shënime dhe të konsiderojmë shumë seriozisht sugjerimet, vërejtjet dhe propozimet e tuaja, në mënyrë që ato t'i shndërrojmë në akte ligjore e platforma që ne do të zbatojmë.

* * *

Në përfundim të takimit, Kryeministri falënderoi të pranishmit për ekspozetë e tyre të shkëlqyera dhe ndërhyrjet e dobishme.

Kryeministri Berisha shprehu edhe njëherë bindjen se shoqëria civile, bota akademike, media, kanë një rol pothuajse përcaktues dhe të pazëvendësueshëm, në luftën kundër informalitetit. Kryeministri ritheksoi se qeveria mirëpret kontributin e të gjithë këtyre faktorëve në hartimin e platformave konkrete.

"Së pari dua të falënderoj ju, të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit, të gjithë të pranishmit për ekspozetë e tyre të shkëlqyera, për ndërhyrjet e tyre të vyera dhe të dobishme, për një fenomen i cili gjykoj se përbën një problem madhor të shoqërisë, të jetës së vendit. Bashkohem plotësisht me idenë se ky është një fenomen shumëplanësh, është një fenomen që kërkon një përballje të shumanshme dhe në këtë drejtim qeveria po punon, qeveria ka marrë, nëpërmjet PNUD-it, njërin prej ekspertëve më të kualifikuar e të njohur sot në luftën kundër ekstralegalitetit, i cili me një ekip është instaluar pranë Këshillit të Ministrave. Po presim rezultatet e diagnozës së tyre, për të vepruar më tej.

Por, asgjë nuk dëmton procesin e reformave më shumë sesa pritja për t'i realizuar ato. Ndaj qeveria është e vendosur që të përballet me këtë problem në mënyrë të shumanshme. Natyrisht epiqendra e tij mbetet ekonomia, sepse në një shoqëri të lirë dhe në një shoqëri tregu, në rast se bëhet fjalë për të parën ajo është ekonomia, në rast se bëhet fjalë për të dytën, ajo sërish është ekonomia, në rast se bëhet fjalë për të tretën, sërish është ekonomia. Ndaj edhe ne mbetemi të përqendruar në këtë drejtim.

Unë ndoqa me shumë interes ndërhyrjet tuaja, por një gjë e konsideroj tepër të rëndësishme, krijimin e një opinioni të përgjithshëm për luftën kundër informalitetit. Kjo luftë ka të bëjë jo me shkatërrimin, - është një koncept i gabuar, ndonëse nuk mund të pajtohem me ju në faktin që asnjëri prej jush nuk shqipëroi fjalën falimentim, kjo një dhunti e tregut, pa të cilën tregu dhe liria e tij nuk mund të ekzistojë. Pra kjo luftë është luftë e raportit me të vërtetën, e raportit me lirinë, e raportit me realen. Në këtë kontekst, unë jam i bindur se ju, shoqëria civile, bota akademike, media kanë një rol pothuajse përcaktues dhe të pazëvendësueshëm. Ndaj dhe ne mirëpresim kontributin tuaj, qoftë në hartimin e platformave konkrete, qoftë në krijimin e një opinioni të përgjithshëm i cili, nëpërmjet kësaj lufte na bën ne më realë, më të vërtetë, më të parashikueshëm, më të kthjellët.

Nuk mund të mos e them se kam pasur një vetëdije të thellë për shkallën e informalitetit, nuk e kam gjetur këtë vetëdije në administratën që më rrethonte dhe tek bashkëpunëtorët e mi. Jam përpjekur me insistim. Unë jam një njeri që presistoj dhe kam presistuar. Kjo bindje është e plotë sot. Nuk mund të mos ndjej keqardhje për kohën që kemi humbur. Muaj të tërë u gozhduam në çështjen zgjedhore, në një maratonë surrealiste të padenjë për një vend të lirë, por prapë zgjedhjet janë çështje themelore të një vendi dhe sërish ato u kapërcyen.

Në këtë kontekst ne do të përpiqemi, në bashkëpunim me ju, në bashkëpunim me biznesin, në bashkëpunim me të gjithë faktorët, që të nxjerrim vendin nga informalitetin. Ndoqa me shumë interes ekspozetë tuaja. Unë do të dëshiroja që informaliteti të ishte 35 për qind në ekonomi. Por, unë jam njeri që në jetën time nuk kam vënë baste, por nëse do të më kërkonit të vija, ky informalitet është 70 për qind, sepse unë çdo ditë merrem, përpiqem të shoh dimensionet e tij jashtëzakonisht të mëdha. Ndaj, duke mos pretenduar se ky bast i imi është i vërtetë, sërish përmasat janë të frikshme, janë të mëdha.

Çfarë synon kjo luftë? Kjo luftë nuk synon shkatërrimin, por synon në mënyrë strikte lulëzimin e biznesit. Falimentimi është ligjësi e tregut, është pjesë e magjisë së tregut. Tregu është ai proces që ka sjellë shoqërinë njerëzore në këto nivele në shoqëritë e zhvilluara. Në qoftë se sot ka vende të varfra dhe vende të pasura absolutisht një nga shkaqet më themelore është se ka vende që zbatojnë ligjin, por ka vende që nuk zbatohet ligji, ka vende në të cilat funksionon shteti ligjor, ka vende në të cilat nuk funksionon shteti ligjor.

Raporti kulaç – kerbaç. Po të mund ta vlerësonit këtë qeveri, deri tani do të ishte qeveri e kulaçit. Janë ulur taksat për biznesin e vogël me 50 për qind, është ulur çmimi i energjisë me 33 për qind, janë ulur sigurimet shoqërore me 30 për qind. Po ulet me 150 për qind tatim fitimi dhe taksa mbi të ardhurat personale. Po bëhet një çburokratizim i përditshëm i procedurave, po shkojmë drejt "One stop Shop", kemi vendosur ligje të reja të prokurimeve publike dhe të partneritetit publik privat. Mund t'ju garantojme se ky i fundit po fiton çdo ditë e më shumë reputacion ndërkombëtar, si një nga ligjet më të mira.

Pra kjo ka qenë qeveri kulaçi. Por sikundër nuk mund të ketë treg pa sukses dhe pa falimentim, nuk mund të ketë qeveri pa kulaç dhe shkop. Ndaj duhet të tregojmë mirëkuptim për të dyja. Unë jam i vetëdijshëm për të gjithë çmimin, qoftë të reformave dhe veçanërisht të luftës kundër informalitetit, por është në detyrën e qeverisë që të zgjedhë reformat pavarësisht nga çmimi i tyre, sikundër është në detyrën e saj të bëjë përpjekjet më madhore për të ulur kostot sociale. Po ta vështroni Shqipërinë, ky është një shtet josocial, nuk ka shtet me asocial se shteti ynë. Sepse nëse numërojmë si "sociale" kujdesin shëndetësor falas dhe shkollën, jemi shumë pas. Ka shumë e shumë faktorë të tjerë të aspektit social, që i mungojnë këtij vendi. Unë, në mënyrë absolute besoj se paratë në kontot e biznesmenëve janë më të vlefshme se në arkën e publikut, besoj se taksat e ulëta janë rruga më e sigurt e nxitjes së zhvillimit, besoj tek rritja e shpejtë ekonomike, por informaliteti duhet të luftohet. Nuk mund të ketë utopi dhe të mendohet të shkohet në nivel zero në këtë drejtim, pasi zero nuk ekziston në këtë planet.. Por duhet të synohet informalitet me vlera normale. Ato shifra të dhëna nga banka për 35 për qind të informalitetit në vend, duhet parë se kujt i referohen. BB, para 3 vjetësh ka botuar raportin ku thotë se është 140 për qind informaliteti në Shqipëri. Duhet parë se çfarë sektorësh ka, por duhet thënë se informaliteti është shumë i lartë. Le ta ndjekim bashkërisht këtë betejë. Nuk kemi as monopolin e luftës, kemi rolin kryesor, kemi përgjegjësinë kryesore për krijimin e tij, si administratë dhe, pavarësisht se kemi ndenjur 8 vjet në opozitë, unë deklaroj këtë dhe nuk ka asnjë lloj mëdyshje. Duam të bashkëpunojmë me ju, me biznesin, me mediat, me të gjithë, me botën akademike, me shoqerinë civile, në mënyrë që të dalim në dritë sepse në rrezen e saj ne do të zhvillohemi shumë më shpejtë.

Më pas kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të pjesëmarrësve lidhur me çështje të diskutuara.

Pyetje: Nisur nga roli i politikës në përgjithësi, në raportin midis politikës dhe formalizimit dhe meqenëse tashmë është hapur edhe diskutimi i sistemit zgjedhor mendoj se ky rol dhe ky raport mund të përdoret si argument në favor të një sistemi zgjedhor proporcional.

Kryeminstri Berisha: Unë jam plotësisht në favor të atij sistemi dhe kjo është arsyeja se zgjedhjet janë mekanizëm themelor i shoqërisë. Ne i kemi ofruar opozitë të drejtën e plotë ekskluzive të përzgjedhjes së sistemit elektoral, me bindjen se ajo do të zgjedhë sistemin më të përshtatshëm, në mirëbesim të plotë

Pyetje: Pohimi juaj se ekonomia shqiptare është 70 për qind informale, është pohim mjaft shqetësues dhe tregon se ekonomia shqiptare qenka e sëmurë në zemrën e saj. Ne sugjerojmë në këtë rast që veprimet të bëhen të lidhura me njëra - tjetrën dhe të mos bëhen të shkëputura. Mund të shikohet apo të përdoret edhe për ekonominë shqiptare ajo çka ne kemi bërë me zhdukjen e informalitetit në ndërtimet pa leje, pra të shikohet edhe mundësia e amnistisë fiskale në ekonomi.

Kryeministri Berisha: Une ju falënderoj për sugjerimin dhe uroj që statistikat të mos ju pengojnë të shihni rrahjet e shëndosha të zemrës së ekonomisë shqiptare, e cila ka një stabilitet makro-ekonomik të admirueshëm. Në këtë aspekt ajo krahasohet me shumë familje të Bashkimit Europian, pa mëdyshje, në rritjen ekonomike, në buxhet dhe në disa tregues të tjerë. Natyrisht, jemi të hapur për të gjitha mendimet . Ne vërtetë mblidhemi sot me shoqërinë civile apo botën akademike, por me biznesin jemi mbledhur në mënyrë periodike, sikundër do të vazhdojmë të mblidhemi. Kemi shumë interes që biznesi, shoqëria civile është më mbështetëse, por dhe media duhet të mbështesë më shumë në këtë drejtim. Mediat mund të japin një rol shumë herë më të madh në këtë përballje që është interesi i të gjithë shqiptarëve kudo.

Ne jemi vërtetë në prag të një shkëputjeje reale dhe këtë nuk e them vetëm unë, por e thonë ekspertë shumë të shquar të ekonomisë. Ata vlerësojnë se Shqipëria është në mundësinë e një shkëputjeje pozitive reale ekonomike. Duhet të punojmë për këtë se ne kemi nevojë më shumë se çdo komb tjetër evropian.

Pyetje: Ne e dimë që ka dy nivele të korrupsionit, të ekonomisë informale ose të krimit të organizuar. Ka një nivel që është real aq sa mund të jetë i matshëm nga instrumentet e BB-së apo nga instrumente të tjera metodologjike dhe ka dhe një nivel të perceptuar. Kam përshtypjen që shpesh qeveritë perëndimore, administratat dhe një sërë organizmash të tjera, i mbahen më shumë nivelit të dytë, pra atij që është i perceptuar. Kjo kam përshtypjen se mund të dëmtojë edhe sukseset që mund të arrihen dhe duhet shumë kohë për të shkuar në nivelin real.

Kryeministri Berisha: Dua edhe njëherë t'u garantoj ju se për qeverinë ka një kufi dhe nuk ka asnjë lloj mundësie për të konfonduar ekonominë kriminale me ekonominë informale. Ajo që është informale duhet të formalizohet, ajo që është kriminale duhet të penalizohet. Këto janë dy qëndrime tërësisht të ndryshme. Por, në rast se ju më shtroni pyetjen a e ekziston një faktor që universalizon korrupsionin, unë ju them se ky faktor është informaliteti. Unë ndaj dhe deklarova që përgjegjësia kryesore është e administratës. Aty ky është informalja aty është ryshfeti, aty ku është informalja aty është korrupsioni. Ndaj ne duhet ta bëjmë këtë një çështje shumë madhore. Ne po përpiqemi dhe lufta kundër korrupsionit është një betejë jetike për ne, është një betejë që ka të bëjë me identitetin kombëtar. Nuk mund të afrohemi ne me kombe të tjera, me shkallë të papranueshme të korrupsionit, është iluzive në qoftë se ne mendojmë ndryshme. Por nëse ka një faktor që e mban universal korrupsionin, është informaliteti. Ndaj, duke përcaktuar rregulla, procedura të qarta për luftën kundër informalitetit ju garantoj se i kemi dhënë një nga përgjigjet më të shkëlqyera kancerit korrupsion. Po punojmë shumë në këtë drejtim. Po marrim sistemin e tatimeve, ku bëj me dije se do të kalohet në sistemin tatimor të integruar, për të zvogëluar në maksimum arbitraritetin e taksambledhësit ndaj taksapaguesit, por edhe për zvogëluar dëmet e balancave të dyfishta, etj.

Po kalojmë në prokurime elektronike për të vendosur anonimat të plitë mes atij që ofron dhe atij që vlerëson. Pra, po ndjekim një mori procedurash, të cilat mundësojnë në këtë betejë që ne do ta fitojmë. Ligji do të fitojë. Unë ju garantoj se Shqipëria do të jetë vendi i suksesit të luftës kundër informalitetit. Me Hernando de Sotton po përgatisim strategjinë e përgjithshme jo vetëm të legalizimit të banesave, por afrontimit të plotë këtij fenomeni. Vullneti ynë është i hekurt për të zbatuar reformat dhe ne nuk pranojmë të flasim me reforma në letër, ne jemi të vendosur të flasim me reforma të zbatuara.

Deklaratave të drejtuesit të Lëvizjes "Mjaft", lidhur me mënyrën e prokurimit të rrugës Durrës-Morinë, ekzistencës së informalitetit në deklarimin e financave të Partisë Demokratike, deklarimit të pasurive të Kryeministrit, si dhe ekzistencës së informalitetit në Parlament, Kryeministri iu përgjigj:

"Mendoj se deklaratat politike në emër të një force politike janë deklarata politike dhe nuk i shërbejnë as luftës kundër informalitetit dhe as gjetjes së të vërtetës. Është e papërgjegjshme deklarata se rruga Durrës-Morinë është prokuruar pa tender. Kjo rrugë është prokuruar me një tender ndërkombëtare të shpallur në "Financial Times". Kanë konkurruar kompani ndërtimi ndër më të mëdhatë e botës, në proces të hapur dhe fituesi ështe shpallur në një grup ndërkombëtare ekspertësh nga të cilët për fat të keq nuk pati asnjë shqiptar. Ndër ta, ka qenë kryeinxhinieri I Ministrisë së Punëve Publike në mbretërinë e Hollandës, ish drejtuesi I Autoritetit të Autostradave në mbretërinë e Britanisë së Madhe, gjithashtu ka marrë pjesë një nga inxhinierët më të shquar të SHBA-ve, si dhe një nga inxhinierët më të shquar të Kroacisë. Këto kanë janë të vërtetat për të gjitha ta që kërkojnë të vërtetën dhe jo mashtrimin, kërkojnë realitetin dhe jo desinformimin.

Së dyti, deklarata juaj politike lidhur me partinë time nuk duhej bërë këtu mendoj unë. Partia ime dhe çdo parti tjetër ka një institucion që e kontrollon në çdo qindarkë dhe ky është institucioni i Kontrollit të Shtetit. Me gjithë respektin që unë kam për organizatat , për shoqërinë civile, unë mendoj se institucionet në nivel, janë të pazëvendësueshme dhe ky institucion ka të drejtën ligjore për të kontrolluar të gjitha të ardhurat edhe aty ku janë kompjuterët, edhe aty ku humbasin kompjuterët. Kështu që duke mos marrë përsipër këtu asnjë lloj komenti tjetër lidhur me çështjen e informalitetit të grupimit politik, ju ftoj ju që ti kërkoni Kontrollit të Shtetit dhe unë i kërkoj kontrollit të shtetit të zbardhë të gjitha të ardhurat e kësaj organizate.

Së treti, pasuritë e mia janë evidente. Unë kam pasur një rrogë dhe asnjë qindarkë nuk gjen në pasuritë e mia përveçse rrogës. Gjithçka, për fat të mirë, buron nga rroga ime dhe e bashkëshortes sime. Transparente për të gjitha faktorët, përfshi shoqërinë civile dhe qytetarët e thjeshtë.

Duke u ndalur në çështjen e bunkerit të Zogut të Zi, ai ishte një konstruksion ndaj të cilit institucionet më serioze kishin shprehur mendimin kundër, ishte një ndërtim krejtësisht mbi baza jo transparente korruptive. Mendoj se ministria e Punëve Publike shpëtoi Tiranën nga një mostër në hyrje të saj. Në rast se janë shkelur rregullat, janë gjykatat të cilat mund të gjykojnë në çdo rast.

Për sa i përket Parlamentit, ky institucion ka një rregullore dhe nuk ekzistojnë ligje të miratuara pa kuorum, sikundër shpreh një kënaqësi të veçantë se ky është parlamenti i pare, i cili nuk i nënshtrohet kapjes, ky është parlamenti i parë i cili kalon ligjet që duhet të ishin kaluar me kohë, apo që kishin vite që rrinin në sirtar. Ky është parlamenti i parë, i cili vendos ato ligje, mungesa e të cilave e zhytën Shqipërinë thellë e më thellë.

Për sa i përket mohimit nga ana juaj të faktit se investimet janë rritur në vend,ka burime të ndryshme , ka të dhëna të bankave serioze ndërkombëtare, të cilat faktojnë më mirë investimet. Në bazë të të dhënave Bankës së Zhvillimit të Londrës, 10 vitet e fundit në Shqipëri investimet publike kanë qenë në total 760 milion paund, kjo për periudhën 1995-2005, ndërsa në vitin 2006 këto investime u rritën me 205 milion paund. Ka një një statistikë tjetër të Bankës së Zhvillimit të Londrës, e cila fakton se ne katërvjeçarin e fundit para 2005 investimet publike në Shqipëri ishin 28 $ për frymë, kundrejt 68 $ që ishin në Maqedoni. Besoj se pavarësisht nga angazhimi juaj politik, morët një përgjigje jopolitike".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›