E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria miraton vendosjen e taksës së sheshtë

- Kryeministri Berisha: Me këtë masë, Shqipëria bëhet vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë dhe ndër më të ulëtit në botë.

Qeveria miratoi sot në mbledhjen e saj vendosjen e taksës së sheshtë 10 për qind, pjesë e paketës së re fiskale. Me këtë pakete vendoset ulja me 150 për qind e tatimit mbi fitimin (ose taksa e korporatave) dhe me 130 për qind e tatimit mbi të ardhurat personale. Duke e konsideruar një nga vendimet më të rëndësishme të mandatit të qeverisë, Kryeministri Berisha tha se me këtë masë qeveria aplikon taksën e sheshtë të niveleve më të ulëta dhe bëhet vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë dhe ndër më të ulëtit në botë.

"Me uljen e madhe që i bëmë vitin e kaluar kontributit të sigurimeve shoqërore dhe përgjysmimit të taksave të biznesit të vogël, Shqipëria bëhet në këtë mënyrë vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë dhe një ndër më të ulëtit në planet," u shpreh Kryeministri.

Kryeministri siguroi se qeveria ka marrë gjithashtu të gjitha masat që vendosja e taksës së sheshtë të mos ketë impakt në pagat e ulëta, duke i eliminuar efektet e saj për punonjësit buxhetorë nëpërmjet rritjes së rrogës, sikundër taksa e sheshtë mbi të ardhurat personale për punonjësit buxhetorë e privatë nis mbi 10 mijë lekë (të reja).

Kryeministri u shpreh se me këtë masë qeveria dëshmon vullnetin e saj të palëkundur për të zgjeruar hapësirat e lirisë së biznesit dhe të përpjekjeve të jashtëzakonshme të saj për ta shndërruar Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet vendase dhe të huaja.

"Revolucioni fiskal, së bashku me reformën rregullatore, po japin më shpejt sesa parashikohej efekte të mëdha pozitive në rritjen e prodhimit të brendshëm, në punësim dhe në rritjen e eksporteve. Ekonomia shqiptare është në një shkëputje të madhe, që do ta çojë Shqipërinë me hapa të sigurta drejt rritjes ekonomike dyshifrore. Kjo është e vështirë, por vendi ka potenciale të jashtëzakonshme njerëzore dhe natyrore, që të vendosura mbi politika të mira do t'i japin Shqipërisë rritjen më të shpejtë ekonomike, rritjen që ajo meriton," theksoi Kryeministri. Ai shprehu njëkohësisht bindjen se efektet sociale të kësaj taksë do të jenë të mëdha, duke vlerësuar se këto nivele taksash, krahas masave dhe nismave të tjera, janë nxitësit më të mirë të punësimit dhe rritjes ekonomike të vendit.

Paketa fiskale, tha Kryeministri, shoqërohet gjithashtu me një sërë projektligjesh të tjera të rëndësishme në luftën kundër informalitetit, luftë me rëndësi vendimtare për lirinë e tregut dhe shpërndarjen e drejtë e të ndershme të të ardhurave. Në këtë kontekst, Kryeministri vlerësoi vendimin për të zvogëluar në maksimum përdorimin e parave "cash".

"Ky vendim i hap rrugën një hapësire të madhe të transaksioneve bankare, duke mos njohur më si shpenzime të zbritshme jashtë kuotës së përcaktuar në këtë vendim asnjë shpenzim tjetër, përveçse atyre që kalojnë nëpër sistemin bankar. Kjo është një kusht i domosdoshëm si për luftën kundër informalitetit dhe për konsolidimin e mëtejshëm të sistemit bankar, por edhe për luftën kundër larjes së parave, si një detyrim madhor kombëtar e ndërkombëtar i vendit," tha Kryeministri.

Paketa fiskale do të miratohet në parlament së bashku me buxhetin e dytë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›