Berisha përuron rrugën e Prezës: “Ekonomia shqiptare është dinamike”
Kryeministri Berisha përuroi dje fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës që lidh qendrën e komunës së Prezës, në Tiranë, me rrugën nacionale. Rruga, me gjatësi 3.7 kilometra, është një investim prej 176 milionë lekësh i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Rruga do të jetë me gjerësi 5 metra dhe projekti i saj përfshin trotuare në të dy krahët dhe ndriçim në tërë gjatësinë e saj. Në përshëndetjen drejtuar banorëve të Prezës për këtë vepër të re publike të komunës së tyre, kryeministri Berisha u shpreh qeveria do të investojë në infrastrukturën e vendit për shkak të dinamizmit të ekonomisë shqiptare.
“Pas një dimri të fortë që kaloi vendi dhe jo vetëm vendi ynë, por mbarë Europa dhe bota, të cilin, fatmirësisht, ne e kaluam pa dëme njerëzore nga katastrofat natyrore, nis një pranverë me një fillim të madh. Ky fillim i madh dëshmohet, para së gjithash, nga dinamizmi i ekonomisë shqiptare. Nuk ka asgjë më të rëndësishme për ne, sesa turra-vrapi në ekonominë e vendit, në ekonominë e gjithsecilit, ngjitja me shpejtësi.
Viti 2009 ka qenë viti i një krize botërore nga më të thellat në historinë e njerëzimit. Këtë vit, siç e keni dëgjuar, shumica e vendeve të Europës jo vetëm që nuk shënuan rritje ekonomike, por zbritën nën zero, deri në minus 8 për qind. Në këtë vit, shumica e vendeve jo vetëm që nuk rritën pagat dhe pensionet, por u detyruan t’i ulin ato nga 6 deri në 14 për qind, madje u detyruan t’i ulin jo vetëm një herë, por në mjaft raste edhe dy herë. Kjo nuk ndodhi në Shqipëri, sepse Shqipëria ka përcaktuar kushtet më të favorshme për biznesin në Europë, taksat më të ulëta”, - është shprehur kryeministri. Ai bëri të ditur më tej se taksapaguesit shqiptarë kanë më pak taksa se taksapaguesit e huaj dhe se qeveria ka ulur shpenzimet e administratës. “Sot ne kemi një administratë që juve ju kushton, apo ju e paguani 50 për qind më pak sesa taksapaguesit e vendeve përreth, dhe kjo jo se ne nuk e paguajmë administratën, pasi sot ne e paguajmë administratën 30 për qind më shumë edhe sesa disa vende anëtare të Bashkimit Europian si Bullgaria apo Rumania, por kjo sepse ne kemi shkurtuar në mënyrë drastike shpenzimet e tepërta të administratës. Sikundër kemi shkurtuar administratën, vetëm e vetëm që barra e saj të mos ju përkulë juve. Ne e kapërcyem me sukses të madh dhe mbetëm një nga 3-4 vendet në botë për rritjen ekonomike të ndjeshme, sepse ne, siç ju jeni dëshmitarë, e kemi shndërruar vendin në një kantier. Në të katër anët, Shqipëria është në rindërtim dhe ndërtim. Kam kënaqësi që çelëm siparin e punimeve të pafundme publike të këtij viti me rrugën e komunës suaj dhe ju siguroj se gjatë këtij viti, ne do të inaugurojmë fillimin e punimeve në qindra e mijëra kilometra rrugë në të katër anët e vendit, Rrugën e Arbrit, autostradën Tiranë-Elbasan, segmentin e Boshtit të Jugut Berat-Tepelenë, vazhdojnë punimet në Korçë – Qafë-Plloçë dhe qindra e mijëra kilometra rrugë rurale”, - ka bërë të ditur Berisha.
19 Mars 2010