E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-pronarët dhe punonjësit, ankand

Një kompani ndërkombëtare do të konsultojë procesin e ankandit. Qeveria ka vendosur që të paguajë borxhet ndaj kompanisë “AMC”

Erald Kapri

Ish-pronarët e truallit, por edhe punonjësit e kompanisë celulare “AMC” do të kenë mundësi ligjore që të jenë aksionarë të kësaj kompanie. Shteti shqiptar zotëron 12.6 për qind të aksioneve të kësaj kompanie, të cilat pret që t’i privatizojë këtë vit. Vitin e kaluar, në muajin shtator, qeveria miratoi edhe procedurën e privatizimit të këtyre aksioneve, që ditën e djeshme miratoi një ndryshim që lejon pagimin e borxheve ndaj AMC-së menjëherë pas procesit të privatizimit të këtyre aksioneve. Vendimi i qeverisë ka futur në skemë ish-pronarët dhe punonjësit e kompanisë “AMC”, të cilët do të përfitojnë nga procesi. Ajo që është ndryshe në Vendimin 410 të qeverisë, është se ish-pronarët e truallit apo punonjësit do të jenë pjesë e ankandit. Gjithsesi, ende nuk është bërë e qartë mënyra se si do të zhvillohet ankandi, por do të caktohet një kompani ndërkombëtare, e cila do të konsultojë të gjithë blerësit, por edhe procesin. “Paketa e aksioneve të AMC-së, që ka mbetur pas transferimit të paketës tek investitorët strategjikë, tek ish-pronarët e truallit dhe të punonjësit e kësaj shoqërie të transferohet, nëpërmjet ankandit, me asistencën e shoqërisë konsulente ndërkombëtare”, thuhet në nenin numër 1 të vendimit të qeverisë.
Përfituesit
Ish-pronarët e truallit që përdor sot kompania “AMC”, por edhe punonjësit aktualë, do të kenë shansin që të përfitojnë aksione nga pjesa prej 12.6 përqindësh që zotëron shtetit sot. Ministria e Ekonomisë pritet që në ditët në vazhdim të shpallë fituese kompaninë ndërkombëtare, e cila do të asistojë dhe do të mbikëqyrë procesin e privatizimit të këtyre aksioneve. Sipas parashikimeve paraprake mendohet se shteti shqiptar do të fitojë një shumë prej mbi 13 milionë eurosh, por ekspertët janë në pritje të ankandit. Pas shitjes së kompanisë së parë celulare në Shqipëri, në vitin 2000, blerësit e saj, Cosmoholding Albania sh.a morën 85 për qind të aksioneve, që në total ishin rreth 813 822 aksione, me një vlerë totale 83.6 milionë dollarë. Ndërsa pjesa tjetër e aksioneve, prej 15 përqindësh, mbeti pronë e shtetit shqiptar. Por, me urdhër të ministrit të Ekonomisë së asaj kohe, më 6 shkurt 2001, AMC-ja kaloi 2,38 për qind të aksioneve për llogari të 95 punonjësve të kompanisë dhe pjesa prej 12.6 përqindësh mbeten sërish si pronë e shtetit shqiptar, e cila pritet të privatizohet gjatë këtij viti.
Ndryshimi
Qeveria ndryshoi pikën dy të vendimit që ka të bëjë me borxhin që shteti i ka AMC-së. Ndryshimi ka të bëjë me borxhin që do të paguhet menjëherë pas privatizimit të 12.6 për qind të aksioneve, pasi më parë ishte përcaktuar se do të paguhej nga shpërndarja e dividentit ose fitimit të aksioneve shtetërore. Në këtë pikë qëndron problemi, pasi aksionet shtetërore nuk kanë përfituar në mënyrë të rregullt dividente, duke krijuar probleme me borxhin e prapambetur. Konflikti me aksionarët shtetërorë përsa i përket shpërndarje së dividentit, midis drejtuesve të AMC-së ka qenë i hershëm. Mos shpërndarja e dividentit e ka historikun që në vitin 2000, kur AMC-ja shtetërore kishte realizuar fitimin prej 589 milionë lekësh. Shteti kërkoi që t’i merrte këto para që i përkisnin, por AMC-ja, tashmë me pronarë të rinj, refuzoi, duke e çuar çështjen në gjykatë. Përgjigjja e drejtuesve të kompanisë ishte se ajo nuk ishte e detyruar që të shpërndante fitimet e saj, duke deklaruar se do t’i riinvestonte. Maxhoranca e aksionarëve në AMC vendosi që ky fitim të mos shpërndahet, por të riinvestohet.

2 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›