E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimet për doganierët, zbulohet skema e abuzimeve

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Për shkak të kohës së limituar për të nxjerrë në pah abuzimet e shtatë doganierëve të arrestuar pak ditë më parë, Prokuroria e Tiranës, ka kryer një punë tepër intensive për zbulimin e mënyrës së operimit të shtetasve të akuzuar. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se është hedhur dritë mbi mënyrën e organizimit të punës që nga momenti i zhdoganimit të mjeteve e deri tek targimi i tyre dhe pajisja me leje qarkullimi të lëshuar nga Drejtoria e Shfrytëzimit të Automjeteve Tiranë. Hetimet tregojnë se 7 ish-zyrtarët e arrestuar përfitonin shuma të mëdha për makinat që i kalonin pa doganë. Grupi hetimor ka marrë në shqyrtim dokumentacionin përkatës të mbajtur nga ish-zyrtarët, që nga zhdoganimi i mjeteve motorike deri tek targimi i tyre dhe më pas lejimi për qarkullim. Hetuesit konfirmojnë se kanë siguruar materiale për abuzimet me makinat që mendohet se disponojnë dokumente false.
Hetimi
Këta persona mendohet se kanë përfituar shuma parash që variojnë nga 4 deri në 5 milionë lekë për një zhdoganim dhe targim automjeti me dokumente false. Ndërkohë, të dyshuarit mësohet se kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave të ngritura ndaj tyre. Burimet nga Prokuroria e Tiranës tregojnë se të arrestuarit janë mbajtur në përgjim që kohë më parë me anë të një vendimi të gjykatës. Nga përgjimi i tyre janë siguruar prova të pakundërshtueshme. Gjykata e Tiranës, pas përcaktimit të masës së sigurisë, i la Prokurorisë vetëm 15 ditë afat për mbylljen e hetimeve. Katër prej të arrestuarve ndodhen në paraburgimin e Tiranës, ndërsa të tjerët po hetohen në gjendje të lirë. Të arrestuarit ishin punonjës të Doganës dhe Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Tiranë, të cilët dyshohen për abuzime për qëllime përfitimi me zhdoganimin dhe targimin e disa makinave që nuk dispononin dokumente të rregullta.
Nga hetimet kanë rezultuar se makinat që zhdoganoheshin nga zyrtarët e arrestuar, futeshin në vendin tonë nga Mali i Zi. Mjetet, të cilat mund të kenë qenë edhe të vjedhura në vendet e Evropës, pasi futeshin në territorin shqiptar, zhdoganoheshin në Doganën e Tiranës ose në Shkodër dhe, pasi përmbusheshin të gjitha detyrimet doganore, pajiseshin edhe me leje qarkullimi në mënyrë që të mos kishin më probleme.
Akuzat
Gjykata ka vlerësuar masat e sigurisë “arrest me burg” për Ylli Shqarrin, me detyrë komisioner pranë Lejeve të Drejtimit në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë dhe Engjëll Dylgjeri, me detyrë agjent doganor, pranë Degës Doganore Tiranë. Kurse për Frida Guxia, Sofokli Qose dhe Ilmi Krantja, të tre me detyrë doganierë pranë Degës Doganore, gjykata vendosi të konfirmojë masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”. Të pandehurit akuzohen për zhdoganim dhe targim të automjeteve të vjedhura jashtë vendit kundrejt shumës që arrinte deri në 5 milionë lekë. Hetimet ndaj tyre nisën në gusht të vitit të kaluar, pas dy denoncimeve të kryera në Prokurorinë e Tiranës.

Ky lajm është publikuar: 21/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›