E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idhulli im jam unë

Autori i Lajmit: red.
Një këngëtare shumë e mirë, me zë potent, gati gjigant është potenciali i zërit të saj, por edhe një vajzë revolucionare dhe rebele. Kështu e kanë vlerësuar Ajkuna Anxhakun. Megjithëse fare e re, këngëtarja ka kultivuar një stil të veçantë paraqitjeje, interpretimi, por edhe kur këndon. Me “britma” dhe “thirrje” Ajkuna këndon tekstet revolucionar, ndërsa me ëmbëlsinë e një vajze 18 vjeçare i zbut ato. Femrat dhe respekti që duhet të paraqes kjo shoqëri për to është “britma” e parë e Ajkunës, ndërsa tashmë ajo na rrëfen rrugët që lidhin gjithkënd, gjithkund dhe në çfarëdo lloj situate. Këngëtarja tregon dashurinë e saj, të pabërë publike më parë.

Ajkuna, jeni pjesëmarrëse në Top-Fest me këngën “Rrugët”. Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në këtë këngë?
Atëherë, është hera e dytë që unë marr pjesë në Top-Fest. Gjithmonë nuk i jam ndarë Bojken Lakos në këtë festival. Bojken Lako është edhe këtë vit produktori i këngës sime. Mendoj se kam gjetur një kompozitor që më përshtatet mua, unë e di, që nëse ai më thotë “do të bëj një këngë për ty” dhe unë nuk kam nevojë të them asnjë fjalë sepse ai më njeh shumë mirë vokalin, më njeh shumë mirë si tip dhe çfarë këngësh më pëlqejnë mua. Ai e di shumë mirë se si dua unë të këndoj. Kjo më pëlqen shumë sepse gjëja më e mirë që mund të jetë mes një kompozitori dhe një këngëtari është një përshtatje e karaktereve, e idesë së tyre për këngën. Kënga “Rrugë” është një këngë që e dua shumë, edhe këngën e vitit që kaloi e dua shumë sepse mua më pëlqejnë që tekstet e këngëve dhe muzika të jenë ndryshe, mos të jenë standarde. Mendoj se kënga “Rrugë” është një këngë revolucionare, është një këngë që flet për rrugët, por jo vetëm rrugët automobilistike, por janë rrugë ajrore, rrugë që lidhin dy njerëz që duhen dhe janë larg prej tyre, janë rrugë që lidhin dy mentalitete të ndryshme që mund të ekzistojnë, janë dy rrugë që lidhin dy popuj të ndryshëm, lidhin shqiptarët kudo që janë, janë shqiptarët e Maqedonisë, malit të Zi, Kosovës.

Edhe kënga juaj e parë, ka një tekst me përmbajtje revolucionare...
Kënga “Femrat janë femra” është një këngë që lindi pak çuditshëm edhe ajo. Muzikën e dëgjova dhe më tërhoqi direkt, ishte një muzikë mjaft e fuqishme dhe një muzikë aq e fuqishme kishte nevojë për një tekst shumë të fuqishëm. Teksti “Femrat janë femra” është një tekst shumë i bukur normalisht, megjithatë jo shumë persona e kanë kuptuar atë që unë kam dashur të transmetoj me atë tekst. Ideja nuk është thjesht që femrat janë femra, ideja është se femrat janë femra dhe pikërisht pse janë femra ato duhen respektuar si të tilla, respekti nuk do të thotë që ato të mos jenë të barabarta me meshkujt, meshkujt duhet t i lënë ato të lira, që të bëjnë ato që duan, ashtu siç duan dhe gjithçka të jetë spontane dhe jo e frustruar.

Ajkuna, ju vetë jeni një natyrë rebele apo revolucionare, sepse në skenë këtë karakter shfaqni?
Në fakt unë kam qenë natyrë rebele që e vogël dhe vazhdoj të jem dhe pikërisht këtë po thosha, që më përshtaten këto lloj këngësh, përshtaten me Ajkunën reale.

Jeni “lançuar” në njëfarë mënyre nga edicionet e para të “Star Adademi”. Si ka qenë eksperienca juaj atje?
Në “Star Akademi” ishte lançimi i parë që më është bërë mua. Ishte normalisht një eksperiencë e paharrueshme për mua dhe ishte pikërisht ajo, trampolina që më bëri mua që t i përkushtohem muzikës në mënyrë më profesionale, t i përkushtohem maksimalisht muzikës, sepse normalisht, është një event shumë serioz dhe përgjegjësia ime duhej të rritej. Unë atje jam prezantuar si një këngëtare amatore, një këngëtare që ndoshta nuk ishte në nivelet e duhura. Madje, në fillim askujt nuk i shkonte në mendje se unë mund të isha fituese madje, isha më e dobët. Por në pak kohë, me ndihmën e profesorëve, me ndihmën e Zana Çelës arrita që të mësoj si të ec, të mësoj gjëra të reja, të mësoj si të këndoj. Niveli im profesional u rrit shumë në atë spektakël, kjo është e gjitha.

Ajkuna në fakt ju dolët fituese, megjithëse u përballët me studentë të kantos dhe të liceut...
Pikërisht, ky ka qenë edhe boshllëku im. Megjithëse unë kam studiuar piano shumë kohë më parë nuk mund të krahasohesha me një vajzë që ka studiuar kanto në lice. Normalisht që këtu përgjegjësia rritet dhe kur sheh konkurrentë të fortë dhe njerëz që kanë studiuar për vite me radhë për atë gjë, gjëja e vetme që i mbetet një personi është që të mbledhë fuqitë e tija dhe për dy muaj të arrish në nivelin e tyre, faktikisht unë fitova dhe i bie që u bëra më e zonja se ata.

Nga ka lindur pasioni për të kënduar, për muzikën, për artin? Ju nuk keni studiuar për muzikë, e keni trashëgimi nga familja apo..?
Jo. Është e çuditshme në fakt sepse nuk kam as në familje madje as në gjithë fisin tim, një njeri që merret me muzikë apo që ka ndonjë prirje të veçantë për muzikën. Kjo është edhe e veçanta, pasi nuk kam pasur asnjë stimul. Prindërit e mi janë të dy intelektual, mamaja ime është pedagoge, babai gjithashtu dhe nuk kisha asnjë stimul që unë të bëhesha këngëtare. Ka qenë thjesht një dëshirë që e kam pasur që e vogël, madje, kam regjistrime të para shumë viteve, në ato kasetat e vogla që bënim atëherë. Këndoja këngë me mikrofon në shtëpi dhe regjistronte babi. Në fakt fillova pianon, dhe piano ishte një hap më shumë dhe një afrim më tepër drejt muzikës. Aty filloi dëshira të rritej, por unë kam qenë e ndrojtur dhe jo tipi i vajzës që donte të merrte pjesë në festivale. Dukej diçka e paarritshme që unë të bëhesha këngëtare. E çuditshme është që as nuk e dija se më pëlqente rock-u dhe as muzika e lehtë. Unë atëherë thosha gjithmonë se do të bëhem këngëtare e kantos klasike. Kur mendoj atë periudhë dhe shoh veten sot të bëj muzikë rock më duket hendek shumë i madh mes dy kohëve.

Keni pasur model në fëmijëri, si të gjithë fëmijët që thonë “dua të bëhem si kjo” apo “dua t i ngjaj dikujt”?
Normalisht njeriu duhet të ketë shembuj që të marri, por unë dua të kem pak nga të gjithë dhe jo idhuj. Idhulli im në këto momente është vetja ime ngaqë nuk dua të imitoj njeri, në sensin, unë dua të bëhem si kjo apo si ai. Unë i kam besuar më shumë familjes sime, pasi ata janë filozof, shkrimtar. Mua më pëlqen shumë filozofia. Normalisht kam marrë diçka nga këngëtarë të mëdhenj të muzikës rock, pasi i kam dyshuar shumë ata. Në fillim dëgjoja “The dors”, “Guns N Roses”, më pas këngëtare femërore si “Pink” dhe kam mësuar nga mënyra se si këndonin. Duke mos pasur një mësues kam dashur të mësoj nga ata teknikat e këndimit të muzikës rock dhe duke i “imituar” ata pak nga pak deri sa arrin të kesh një stil tëndin pastaj.

Ajkuna, keni një stil shumë të veçantë, jo si të gjithë këngëtarët e muzikës rock në Shqipëri. Keni tekste ndryshe, muzikën gjithashtu, mënyrën e interpretimit, etj. Pse?
Mua më pëlqen diçka, që mos të jem rrokere standarde. Nuk më pëlqen që të jem standarde, nuk më pëlqen të jem si të tjerët. Mua më pëlqejnë gjërat e veçanta dhe të jem ndryshe kur të dalë në skenë. Nuk dua të jem krejtësisht rock, por të kem disa stile Punk , të kem diçka serioze ndoshta. Gjithçka që unë bëj e bëj që të jem ndryshe nga të tjerët. Edhe kur këndoj, megjithëse shumë njerëz nuk e pëlqejnë apo e gjykojnë në mënyrë negative, sepse normalisht njeriu gjërat që i dëgjon shpesh i ka më lehtë për t i absorbuar, ndërsa gjërat e veçanta do pak kohë që t i absorboj. Fakti që është diçka ndryshe, dhe gjërat që bëhen ndryshe bëhen që njeriu mos të vuajë nga monotonia. Kjo është e gjitha.

Si jeni në jetë, pa muzikën? Jeni një këngëtare mjaft e re. Përveç muzikës me çfarë merret Ajkuna?
Ditët e mia janë tamam si të çdo njeriu normal. Unë shkoj në shkollë, dal dhe pi atë kafen e drekës. Shkoj më pas në shtëpi mësoj dhe dal përsëri në darkë për një kafe, nuk mund ta lë. Nuk është se bëj ndonjë gjë shumë speciale. Jetoj një jetë shumë normale dhe e dua shumë jetën time, mbi të gjitha, por thjesht unë nuk mundem të bëhem monotone prandaj gjej gjithmonë gjëra të reja për të bërë, aktivitete të reja. Muzika më ndihmon shumë për këtë.

Keni kënduar “live” në klube në kryeqytet. Pse e keni ndërprerë këtë veprimtari?
Kam kënduar më parë, por për momentin i kam lënë sepse mendoj se është një moment i vështirë. Unë jam në vitin e katërt në gjimnaz, provimet e maturës kanë shumë rëndësi dhe janë pikërisht momenti kyç i të ardhmes sime sepse normalisht e dimë që muzika është shumë e bukur, e dua shumë, e kam jetën time, por jeta nuk është vetëm art. Nuk e di se sa do të mundem unë të këndoj, ndoshta një ditë mund të më ndodhi një aksident dhe ndoshta zëri im mund të mos jetë më ai që është. Pra nuk mundem që ta mbështes të ardhmen time tek muzika dhe t i var të gjitha shpresat e mia në këngë. Duke marrë parasysh që jetojmë edhe në Shqipëri ku këngëtarët dalin shumë shpejt ashtu edhe humbasin shumë shpejt. Kënga nuk ka një të ardhme të sigurt, ndërsa duke krijuar edhe një karrierë tjetër profesionale, kjo të jep mundësinë që të kem një alternativë plus. I lashë “live-t” në këtë moment, nuk është se kam lënë muzikën. Unë kam përsëri koncerte në shtator, gjatë verës, por për momentin është një “stand by”, një hap prapa.

Duke ditur që kur këndon “live” është një marrëdhënie tjetër me publikun, jeni afër sa “ju prekin”, si e keni krijuar ju marrëdhënien me të?
Unë kam më shumë emocione kur këndoj “live” se sa kur dal në televizion dhe kur këndoj në festival. Muzika “live” është ajo që bën publikun të këndojë me ty, dëgjon publikun afër teje që të duartrokasin, pëshpëritin, të vlerësojnë edhe kur nuk duartrokasin. Publiku shqiptar ka një gjë shumë të keqe, që unë e kam parë me shumë këngëtarë të tjerë. Vijnë të dëgjojnë muzikë “live” dhe nuk duartrokasin apo rrinë indiferent. Kjo në njëfarë mënyre është ofendim për këngëtarin sepse nuk të ka detyruar njeri të dëgjosh muzikë “live” ti ke ardhur me dëshirën tënde të dëgjosh atë këngëtar, kështu që kënaqu me atë që ai të ofron. Gjithsesi këto janë gjëra të vogla duke marrë parasysh gjithë emocionet e forta që të ofron “live” dhe improvizimet e momentit, gabimet që mund të bëjë një pjesëtar i grupit dhe gjithë të tjerët duhet të improvizojnë pas tij, janë gjëra emocionuese dhe shumë të bukura.

Ajkuna, jeni një ndër të paktat këngëtare që i keni shpëtuar thashethemeve, skubeve apo skandaleve të vërteta apo trilluara qofshin ato. Pse mendoni se ju kanë “privilegjuar” mediat?
Shumica e këngëtarëve shqiptar skubet i bëjnë të trilluara sepse kanë dëshirë të madhe që të dalin në revistë apo gazetë dhe të tregojnë të mbathurat e tyre që një fotograf i ka kapur poshtë, të dashurit e tyre të ri të radhës e gjëra të tilla. Mendoj se jeta personale është jetë personale. Normalisht unë nuk gjykoj askënd që ka dëshirë të bëj këto, por unë si Ajkuna nuk më pëlqejnë gjërat që bëjnë bujë. më pëlqen që mua të mos më vlerësojnë si personazh por si këngëtare. Nuk dua që unë të njihem si ajo që vesh minifunde apo ajo që ka të dashur atë djalin e bukur, por si Ajkuna që këndon bukur.

Ke të dashur?
Po. Kam të dashur.

Na trego pak më shumë. Këndon ai?
Nuk ka lidhje me muzikën. Është person shumë i rëndësishëm për mua. Unë e dua shumë, por nuk është se e bëj shumë publike lidhjen me të sepse këto janë gjëra personale.
Ky lajm është publikuar: 21/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›