Qeveria ska fonde për virusin AH1N1, u harxhuan në fushatë
Duke përdorur me një intensitet rekord fondet për investime publike, paga dhe pensione qeveria ka harxhuar të gjithë fondin rezervë por edhe çdo qindarkë për zgjedhje duke lënë me gisht në gojë ministritë që tashmë kanë ndezur dritën e kuqe për fonde emergjente. Një nga ministritë e linjës që kërkon shpenzime shtesë dhe jo pak është ajo e ministrisë
Duke përdorur me një intensitet rekord fondet për investime publike, paga dhe pensione qeveria ka harxhuar të gjithë fondin rezervë por edhe çdo qindarkë për zgjedhje duke lënë me gisht në gojë ministritë që tashmë kanë ndezur dritën e kuqe për fonde emergjente. Një nga ministritë e linjës që kërkon shpenzime shtesë dhe jo pak është ajo e ministrisë për pandeminë e gripit më të rrezikshëm që ka mbërthyer botën. Por shpresat tashmë mbeten tek ndonjë ndihmë nga jashtë ndryshe shqiptarët do të duhen që ta kalojnë gripin të gjithë pa përdorur vaksina.
***
Qeveria parashikon çdo vit në buxhetin e shtetit një fond kontigjence për t’u paraprirë ngjarjeve të paparashikuara, si fatkeqësitë e mëdha natyrore apo epidemitë masive. Në buxhetin 2009, fondi i kontigjencës ishte më i madhi i parashikuar ndonjëherë me rreth 15.7 miliardë lekë. Arsyeja ishte kriza globale që në tremujorin e fundit të vitit 2009 mbërtheu vendin. Nga këto pjesa dërrmuese prej rreth 9.2 miliardë lekësh ishin të përcaktuara si rezerva për rritjen e pagave dhe për investimet publike. Pjesën e fundit të këtij fondi të parashikuar për emergjencë e mori vetëm pas javë më parë ministria e transporteve, pas shterimit thuajse të plotë të fondeve nga të ardhurat korrente. Në funksion të daljes nga kriza e të ardhurave u bllokuan edhe investimet e reja dhe u shtynë të gjitha ato investime që mund të shtyheshin në vitin 2010.
***
Sipas zëvendësministrit të financave, Sherefedin Shehu, nuk mund të preket Fondi i Kontigjencës pasi paratë janë të rezervuara për çdo rast të rënies së të ardhurave. Për blerjen e vaksinës qeveria shpreson të sigurojë fonde nga organizmat ndërkombëtarë por ende nuk ka konfirmime zyrtare dhe të gjitha burimet mundshme për gjetjen e parave deri tani mbeten vetëm hipotetike.“Ne kemi përdorur deri tani vetëm kontigjencën e pagave dhe pensioneve. Kemi përdorur rreth 92 % të kontigjencës në përputhje me realizimin e të ardhurave”, shprehet Shehu. Tashmë qeveria ka në buxhet nga fondi i kontigjencave vetëm 6 miliardë lekë të pa rialokuara, por edhe këto nuk mund t’i përdorë dot për shkak të ecurisë së dobët të mbledhjes së të ardhurave nga taksat. Ndaj në skenarin e një epidemie masive shpresat për të gjetur paratë për blerjen e vaksinave të gripit mbeten tek të huajt, ose në rastin me të keq përmes borxhit tregtar. “Ne kemi një kontigjencë që nuk është në buxhet por që është në projektin e gripit të pulave dhe janë 2.5 milionë dollarë të premtuara nga Banka Botërore. Mundësia e dytë është buxheti dhe e treta OBSH-ja”, thekson numri 2 i Financave.