Qeveria spanjolle i jep 10 milionë euro Unionit Kursim Kredi
Qeveria spanjolle mbështet me financim programet e mikrokredisë shqiptare. 10 milionë euro është shuma që përfiton Unioni Shqiptar Kursim Kredi, (USHKK) nga marrëveshja e nënshkruar dje në Shkodër, midis Manuel Montobios, ambasador i Mbretërisë së Spanjës në Tiranë, dhe znj. Zana Konini, drejtore ekzekutive e këtij unioni. Zhvillimi rural në Shqipëri vazhdon të gjejë mbështetje nga qeveria spanjolle, e cila akordoi për Unionin Shqiptar Kursim Kredi shumën prej 10 milion eurosh për kreditimin e aktivitetit të fermerëve, që operojnë në mbi 14 rrethe të vendit. Gjate ceremonisë së nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, drejtorja ekzekutive, Zana Konini, u shpreh: “Nga kjo kredi do të përfitojnë banorët e të gjitha zonave rurale ku operon Unioni SHKK, të cilët kanë një kërkesë të madhe për financimin e nevojave të tyre me kredi në bujqësi, blegtori, agro-turizëm dhe aktivitete të tjera në fshat”. Ky financim, sipas saj, do të mundësojë ndër të tjera dhe zhvillimin e aktivitetit në zona të reja ku po zgjerohet Unioni. Ndërsa, ambasadori spanjoll Montobio, duke vlerësuar rolin e mikrofinancës në zhvillimin e një vendi, theksoi se qeveria e tij do të vazhdojë të mbështesë financiarisht institucionet që operojnë në këtë fushë. Sipas tij, kjo kredi e re vjen pas një bashkëpunimi të suksesshëm të nisur që në vitin 2004, ku prej mbështetjes me mikrokredi kanë përfituar 4700 klientë, në 600 fshatra, në 13 rrethe të Shqipërisë për zhvillimin e aktiviteteve në bujqësi, blegtori, tregti dhe agro-turizëm. Kjo kredi prej 10 milionë eurosh i jepet Unionit Shqiptar Kursim Kredi për banorët e zonave rurale të cilët gjithnjë e më shumë kanë kërkesë për financime. Kjo mbështetje me mikrokredi bëhet edhe më e vlefshme në kushtet e krizës ndërkombëtare, e cila ka tronditur sistemet financiare. Unioni Shqiptar Kursim Kredi jep mbështetje për zonat rurale të vendit duke krijuar akses në kreditim edhe për ato shtresa sociale që për arsye të ndryshme nuk kanë mundësi të jenë klientë të bankave.