E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhimitër Lara: Apeli i Tiranës, gjykata më me shumë probleme



Dy gjyqtarët, Saida Dollani dhe Dhimitër Lara, kanë shprehur sugjerimet e tyre mbi objektin e analizës, e cila duhet të përcaktojë qysh në fillim objektin mbi të cilin do debatohet, me qëllim që debatet të kanalizohen aty ku duhen. Gjyqtarja Dollani kërkoi nga KLD të bëhen inspektime, por jo duke shkelur ata të parët ligjin. “Për sa kohë në ligj parashikohet që të inspektohen vendimet, por jo ato që janë apeluar, nuk mund të veprohet ndryshe nga inspektorët. Jemi ne që duhet ta zbatojmë të parët ligjin dhe duhet të japim llogari para publikut për dhënien e drejtësisë, por jo duke shkelur ligjin. Zbatimi i ligjit duhet të fillojë që nga ju që bëni kontrollin për zbatueshmërinë e ligjit”, - u shpreh gjyqtarja Dollani. Më pas, fjalën e mori gjyqtari Dhimitër Lara, i cili gjeti rastin që të shprehë opinionet e tij mbi këtë analizë, por duke hedhur akuza të ashpra dhe konkrete për Gjykatën e Apelit në Tiranë. Sipas tij, kjo është një gjykatë që ka një numër të madh çështjesh dhe që ka një drejtues gjykate që nuk e ushtron siç duhet detyrën e vet. “Të paktën në 2.800 raste, kryetari i Gjykatës së Apelit nuk e ushtron siç duhet detyrën e tij, ndërkohë që çdo vit kjo gjykatë mbart nga 2.500 çështje me nga 3 shifra. Kjo është një gjykatë që duhet kontrolluar dhe monitoruar shpesh, pasi nuk e kuptoj që është një gjykatë me kaq probleme, me një kryetar me kaq probleme, që nuk ushtron detyrën e tij dhe rizgjidhet sërish si kryetar. Për mua, çështja e hedhjes së shortit dhe ushtrimit të detyrës nga kryetari i Apelit, është një problem shqetësues. Ai njeri nuk di ta lexojë ligjin, sepse nuk di ta interpretojë atë”, - u shpreh gjyqtari Lara, madje duke ia konkretizuar me një rast konkret nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu dhe kolegëve të tij të pranishëm në analizë. “Ka dy vjet e 28 ditë që kam një çështje civile në këtë gjykatë Apeli. Dhe, kryetari që e njeh shumë mirë ligjin, nuk ka caktuar ende një datë gjyqi. Shkelje prej tij, që nuk ka ligj që i justifikon”, - vijoi akuzat e tij gjyqtari Lara. Pastaj fjalën e mori gjyqtari Sokol Binaj, i cili e kanalizoi debatin e tij te hedhja e shortit, duke i kërkuar KLD-së specifikim të mënyrës së hedhjes së shortit. “Shorti elektronik për mua është një mënyrë për manipulim”, - u shpreh gjyqtari Binaj, i cili u kundërshtua nga nënkryetari i KLD-së, i cili deklaroi se “për mendimin tim, shortet e hedhura më parë linin vend për manipulim dhe pazare”. Por, dy gjyqtarët Binaj e Lara hodhën mendimin se çështja e shortit dhe mënyra e hedhjes së saj duhet specifikuar më mirë, ndërkohë që hodhën idenë se “kryetarët e gjykatave dhe anëtarët e KLD-së nuk duhet të përjashtohen nga marrja e çështjeve me short. Sepse, duket sikur ligji i favorizon dhe ata hyjnë në short për çështje të caktuara, çka na detyron të mendojmë se kanë interesa në to”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›