Ekonomia shqiptare: Pasojat e para të krizës, zhvlerësim i lekut dhe inflacion i lartë
Ervin Koçi
Viti 2009 ka nisur bashkë me të gjitha pasojat e krizës ekonomike, duke prekur në sektorë të ndryshëm edhe ekonominë e vendit tonë. Efektet e para kanë nisur të ndihen në zhvlerësimin e monedhës vendase që shumë shpejt duket se do të shoqërohet me rritje të inflacionit, pasoja këto që janë trashëguar padyshim nga viti që lamë pas. Viti 2008 e la monedhën vendase, lekun, në një situatë të paqëndrueshme. Zakonisht në sezonet e verës, kur vijnë emigrantët, por edhe në fund të vitit, leku njihte gjithmonë vetëm rritje, nisur nga kërkesa e lartë në raport me euron. Sipas Bankës së Shqipërisë, dobësimi i lekut në periudha kur pritej e kundërta ka ardhur si rezultat i dy faktorëve. Konkretisht, 3-mujori i tretë i vitit 2008 është karakterizuar nga një theksim i tendencës rënëse të mbiçmimit të kursit të këmbimit të lekut, një tendencë kjo e vërejtur që nga fillimi i 3-mujorit të dytë të këtij viti. Në terma nominalë efektivë vjetorë, ndryshimi i indeksit ka rezultuar 2.40 për qind në 3-mujorin e tretë, më i lartë se 1.60 për qind që ishte një vit më parë. Në muajin tetor, kjo tendencë i ka lënë vendin një nënçmimi të lekut, ku për herë të parë që nga muaji maj i vitit 2007 niveli ka prekur vlera negative, duke arritur në -2.0 për qind. Sipas BSH-së, dobësimi i lekut në fund të 3-mujorit të tretë dhe fillim të 3-mujorit të katërt ka pasqyruar zhvillimet e tregut të brendshëm, si dhe ecurinë e raportit euro/usd në tregjet ndërkombëtare. "Nënçmimi i lekut kundrejt monedhës europiane ka ardhur si rezultat i kërkesës së lartë për këtë të fundit. Kjo kërkesë është përqendruar kryesisht në dy periudha. Fillimisht gjatë muajit shtator kërkesa për valutë ka ardhur si rezultat i konvertimit të fitimeve nga kompanitë e huaja dhe pas një korrektimi të këtij efekti; dhe në tetor nga kërkesa e lartë për valutë kryesisht jashtë sistemit bankar", - raporton BSH-ja.
Dobësimi i lekut
Pasiguritë që mbart situata e tanishme ekonomike po reflektohen edhe në tregun e brendshëm valutor. Javët e fundit, monedha kombëtare, leku, është dobësuar në masë jo të vogël kundrejt të gjitha monedhave të tjera dhe sidomos ndaj atyre më kryesore euros dhe dollarit amerikan. Zhvlerësimi më i madh ka ndodhur në raport me monedhën e përbashkët europiane, ku leku prej disa ditësh ka nisur të humbasë terren. Në ditët e festave të fundvitit, 1 euro shitej në treg me rreth 122 lekë, ndërsa aktualisht, sipas BSH-së, një euro kushton rreth 4 lekë më shumë, duke arritur kuotën 126 lekë, ndër më të lartat e viteve të fundit. Ekspertët e lidhin këtë me disa shkaqe që kanë të bëjnë si me ofertën, ashtu edhe me kërkesën. Sipas tyre, në treg po vihet re një rritje e fortë e kërkesës për euro dhe kjo jo vetëm nga sektori privat, por edhe nga ai publik.
Borxhi i qeverisë
Qeveria ka lajmëruar se shumë shpejt do të hapë një tender për të marrë kredi 200 - 250 milionë euro, ku mund të garojnë edhe bankat vendase. Kjo ka bërë që disa prej këtyre bankave të fillojnë të përgatiten dhe janë duke blerë euro në treg. Por, sipas tyre, edhe vetë individët të ndikuar nga zhvillimet aktuale po preferojnë që kursimet t'i orientojnë më shumë në euro, të cilën e mendojnë si një monedhë më të besueshme. Këto janë shkaqet që vijnë nga kërkesa. Por këtë vit, ndryshe nga herët e tjera, tregu valutor është goditur edhe nga ana e ofertës. Sipas të dhënave zyrtare nga BSH-ja, për herë të parë në këto vitet e fundit dërgesat e emigrantëve shënuan një rënie të fortë me rreth 13 për qind për 7-mujorin. Kjo do të thotë se sasia e valutës, e kryesisht e euros në treg, është më e ulët duke sjellë shtrenjtimin e saj. Dobësim i lekut po vihet re edhe ndaj dollarit amerikan, i cili po i drejtohet sërish niveleve të larta mbi 95 lekë.
16 Janar 2009