E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria të heqë kufjet e shurdhërisë”

Autori i Lajmit: red.
G99 i kërkon Qeverisë të dëgjojë dhe plotësojë kërkesat e minatorëve që kanë hyrë në grevë. Përfaqësuesi i G99, Genci Kojdheli, pohoi dje se që prej ditës së diel, minatorët grevistë kanë hequr dorë edhe nga konsumimi i lëngjeve, për pasojë gjendja e tyre shëndetësore është tejet e renduar dhe të gjithë ndodhen në rrezik për jetën. “Nga ana tjetër e kësaj situate qëndron cinike dhe tejet e pashqetësuar qeveria shqiptare, e cila nuk ka ndërmarrë as përçapjen më të vogël për t u takuar me minatorët dhe për të diskutuar kërkesat që ata kanë, duke injoruar atë grup shqiptarësh të guximshëm që në vitin 1991, me protestat masive dhe grevat e urisë ndihmuan në rrëzimin e sistemit komunist dhe në ndërtimin e këtij shteti që tani po i shpërfill paturpësisht”, - tha ai. Kojdheli theksoi se kjo qeveri ka ardhur në pushtet me votën e popullit dhe është detyrë e saj morale, civile dhe institucionale që të ulet dhe të dëgjojë hallet dhe problemet e këtij populli.
Ky lajm është publikuar: 02/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›