E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të hetohet situata në QSUT”

Autori i Lajmit: red.
Socialistët kërkojnë hetim nga prokuroria për situatën emergjente të krijuar në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Mungesa e ilaçeve dhe furnizimi me ujë i spitalit ka rrezikuar jetën e pacientëve, pasi anulimi i operacioneve do të zgjasë deri në muajin shtator. “Prej javësh kemi paraqitur para jush situatën alarmante në Qendrën Spitalore Universitare të vendit. Mungesë ilaçesh, mungesë furnizimi me ujë, mjekime të pasakta deri me pasojë vdekjen”, - pasqyroi situatën në QSUT nënsekretari për programin në PS, Ilir Beqja. Sipas tij, PS i ka kërkuar kryeministrit Sali Berisha të ndërhyjë, por nuk ka pasur reagim. “Prej javësh i kemi kërkuar Kryeministrit të vendit të ndërhyjë. Për ironi të fatit, përgjigjja që vjen është anulim i operacioneve në QSUT deri në muajin shtator. Pra, shqiptarëve u kërkohet që të mos sëmuren këtë verë”, - ironizon Beqja. Duke e konsideruar qeverinë të papërgjegjshme, të paaftë dhe të korruptuar, Beqja tha se ajo po konsumon krimin më të fundit shtetëror të mosdhënies në mënyrë masive të ndihmës mjekësore në QSUT. Ai theksoi se mosfunksionimi i më shumë se gjysmës së shërbimeve të këtij spitali po rrezikon jetën e shqiptarëve. “Për Partinë Socialiste dhe për çdo shqiptar normal, ky është një krim i rëndë për të cilin i kërkojmë Prokurorisë të fillojë hetimin. Prokuroria të hetojë për shurdhërinë vrasëse të qeverisë, për neglizhencën vrasëse të qeverisë dhe për paaftësinë vrasëse të qeverisë”, - tha Beqja.

Ky lajm është publikuar: 02/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›