E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria të mbajë premtimin, të heqë TVSH-në për arsimin privat”

 

Përfaqësuesit e arsimit privat i kërkojnë Qeverisë heqjen e TVSH-së, duke e cilësuar si një barrierë madhore në zhvillimin e tyre. Me anë të një deklarate për mediat ata kanë parashtruar të gjithë argumentet për këtë ndërhyrje. Një tjetër kërkesë është dhe ajo e nisjes së reformës për financimin e arsimit në tërësi. Kjo sipas parimit të financimit të studentit dhe jo institucionit, për të vendosur barazinë mes privatit dhe publikut. “Ne, përfaqësues të institucioneve të arsimit privat në Shqipëri, duke pasur parasysh rolin dhe peshën e arsimit privat në shkollimin e brezave të rinj dhe faktin se roli dhe produkti i punës së institucioneve private është një e mirë publike kërkojmë heqjen e TVSH-së për arsimin privat në afatet ligjore më të shpejta të mundshme, me qëllim zhbllokimin dhe nxitjen e investimeve në këtë sektor, si dhe trajtimin e barabartë me sektorin publik”, thuhet në deklaratë. Kjo kërkesë vjen sipas përfaqësuesve të arsimit privat edhe duke pasur parasysh vështirësitë e shumta me të cilat përballet ky sistem e mbi të gjitha sepse shteti shqiptar nuk shpenzon asgjë në arsimin privat, ndërkohë që ky i fundit merr përsipër shkollimin e dhjetëra-mijëra nxënësve dhe studentëve. “Shqipëria duhet të përshtatë politikat e saj arsimore me politikat e vendeve të Bashkimit Evropian, në të cilët shteti subvencionon edhe studentët në arsimin privat, si përfaqësues të tij ne ndjejmë barrën e rëndë të zbatimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH-në)”, theksohet në deklaratë. Nga ana tjetër, në të bëhet me dije se zbatimi i TVSH-së ka frenuar apo bllokuar investimet në arsimin privat, ndërsa Qeveria ka bërë një sërë premtimesh  publike për heqjen e TVSH-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›