E Diel, 1 Nëntor 2026

Agolli:Ministri Olldashi gënjen për dokumentet e tokës

 

Bashkia e Tiranës reagon sërish mbi pretendimet e Ministrisë së Transporteve, lidhur me shkresën ku thuhej se trualli në qendër të Tiranës është tokë shtetërore. “Kryeministri deklaroi se prona komunitetit mysliman i është dhënë me dokumente të falsifikuara. Ne kemi dokumentin që e hedh poshtë këtë. Qeveria ka marrë një nismë shtetëzimi për një pjesë të pronës. Ministri thotë se do e bëjë lulishte, Kryeministri se do ta shesë”, u shpreh dje  administratori i përgjithshëm i bashkisë, Dritan Agolli. Sipas tij, shkresa e bërë publike nga Ministria e Transporteve nuk ka lidhje me pronën që i përket familjes Kika dhe komunitetit mysliman, por me pronën te lulishtja përballë parlamentit. Agolli shtoi se nëse qeveria do të veprojë në mënyrë antiligjore, pronarët dhe investitorët do të kërkojnë dëmshpërblim, vlera e së cilit është miliona euro. ”Bashkia e Tiranës, si gjithmonë baltës së politikës, që për argument ka shkresa pa lidhje apo fotografi albume amatorësh, do t’i përgjigjet me fakte dhe dokumente zyrtare”, tha administratori i bashkisë. Sipas tij, dy ditë më parë Ministri paraqiti disa dokumente zyrtare të Bashkisë së Tiranës, por që në rastin më të mirë është i keqinformuar nga vartësit e vet dhe ka gënjyer. ”Ndërsa në rastin më të keq, nëse e ka bërë me dashje, ka shpifur. Në këtë imazh satelitor po ju shpjegoj se shkresa që citoi Ministri nuk ka asnjë lidhje me pronën objekt debati, që është pasuria 2/94, por me pronën te lulishtja ekzistuese përballë Bankës. Madje, Ministri nuk e ka lexuar deri në fund shkresën, pasi vetëm një resht më poshtë citohet që pasuria 2/94 është pronë private”, nënvizoi administratori i bashkisë. Sipas tij, Bashkia paraqet për të disatën herë, dokumentin e vetëm zyrtar që njeh të drejtat mbi pronën, që janë certifikatat e pronësisë, lëshuar nga hipoteka për pronarët Kika dhe Komuniteti Mysliman. ”Arsyen reale të këtyre veprimeve nuk i takon Bashkisë së Tiranës t’i deklarojë, por nga ana tjetër, ne kemi për detyrë t’i bëjmë me dije qeverisë dhe opinionit publik se penalitetet për këto veprime arbitrare dhe antiligjore, sipas ankesës së depozituar nga pronarët dhe investitorët, llogariten në miliona euro, miliona që do të rëndojnë mbi buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit shqiptar”, tha administratori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›