E Diel, 1 Nëntor 2026

Replika PS-Ministri për shembjen e tunelit

 

Partia Socialiste i kërkoi dje Ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, të japë shpjegime rreth shembjes së tunelit Thirrë-Kalimash. Zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj, i kërkoi dje Ministrisë së Transporteve të informojnë sa më parë publikun dhe taksapaguesit shqiptarë. "PS pyet Ministrin që hesht, se çfarë ka ndodhur në tunelin Thirrë-Kalimash. Partia Socialiste përsërit sot kërkesën e saj për Ministrin Olldashi për të bërë transparencë të plotë mbi ngjarjen në tunelin Thirrë Kalimash. Ministri Olldashi, që është personi direkt përgjegjës për këtë çështje nuk nguron të dalë e të flasë mbi gjithçka, madje edhe për lulishtet në Tiranë dhe hesht për një prej detyrave kryesore të tij", u shpreh zëdhënësja e PS-së. I menjëhershëm ishte sqarimi i Ministrisë së Transportit, përmes zëdhënëses së saj Arminda Qylafku. Sipas saj, shembja në tunel ka ndodhur si pasojë e fenomeneve gjeologjike, ndërkohë që thekson se shembja ka ndodhur në galerinë jugore të tunelit të Thirrës. "Më datë 5 nëntor, rreth orës 10 në galerinë jugore të tunelit ka ndodhur një rënie e masivit shkëmbor, si pasojë e fenomeneve gjeologjike të strukturës shkëmbore. Fenomene të tillë janë frekuente në punimet në tunele. Rrjedhimisht situata nuk paraqet asnjë rrezikshmëri, pasi tuneli, sikurse ju kemi njoftuar më parë, do të hapet vetëm pasi të jenë përfunduar të gjitha punimet", shprehet zëdhë-nësja e MPTT-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›