E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti BE-së, tre ministra para deputetëve të maxhorancës

 

Progres raporti i Komisionit Evropian do të jetë objekt i diskutimit në katër komisionet parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë. Në kalendarin e punimeve janë përfshirë diskutimet e Progres Raportit të BE-së në lidhje me plotësimin e kushteve të vendosura për Shqipërinë, për procesin e anëtarësimit dhe për liberalizmin e vizave. Komisioni parlamentar i Ligjeve do të zhvillojë një seancë të posaçme me ministrin e Drejtësisë, Bujar Nishani, ku do të flasë në lidhje me procesin e ecurisë së reformave në vend, ku një ndër kërkesat kryesore të BE-së është ajo për sistemin e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë, kryerja e reformave për ligje të veçanta janë pjesë e kushteve për t’u plotësuar nga ana e qeverisë shqiptare. Ndërkombëtarët kërkojnë në të njëjtën kohë krijimin e institucioneve të pavarura në sistemin e drejtësisë. Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi do të raportojë në komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese. Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, në komisionin parlamentar të Shëndetësisë ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera do të raportojë në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të paraqitura në Progres-Raportin 2009. Në komisionin parlamentar të Ekonomisë deputetët do të zhvillojnë një seancë të posaçme me drejtuesit e INSTAT-it në lidhje me kërkesat që ka Bashkimi Evropian për rritjen dhe parametrat ekonomike në Shqipëri. Që pas publikimit të progres raportit, Kuvendi e vendosi në axhendën e diskutimeve parlamentare. Një gjë e tillë u vendos pas takimit që kryeparlamentarja Jozefina Topalli pati me ambasadorin e KE-së në Tiranë, Helmut Lohan. Kështu, fillimisht kanë qenë komisionet parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese dhe i Integrimit, ku kanë zhvilluar seanca të posaçme në lidhje me Progres Raportin. Në këto komisione ka qenë i pranishëm ministri i Bujqësisë, Genc Ruli. I publikuar më 14 tetor, dokumenti i KE-së thekson se “Shqipëria ka bërë progres përsa i përket procesit të liberalizimit të vizave, por ka ende probleme me korrupsionin dhe ndërhyrjet e ekzekutivit tek institucionet e pavarura”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›