Cobas 6000, analizatori modern në “Intermedica”
Nertila Maho
Një risi për mjekësinë shqiptare. Kështu mund të quhet iniciativa e ndërmarrë nga klinika laboratorike “Intermedica” dhe nga administratori i kësaj të fundit dr. Vasil Llajo për të ofruar sot teknologjinë më të avancuar të analizatorëve. Kanë kaluar vetëm pak kohë nga dita kur në klinikë është instaluar COBAS 6000, me teknologji japoneze dhe prodhim të 2009, që mban firmën e prestigjiozes së analizatorëve, kompanisë ROCHE. Por çfarë përfitojnë shqiptarët sot nga kjo aparaturë me standardet më të larta dhe moderne, për shëndetin e tyre. Sipas Llajos, ky analizator kryen analizat më të thjeshta deri tek më të komplikuarat duke lehtësuar diagnostikimin. Më gjerë administratori flet në intervistën e mëposhtme.
Klinika “Intermedica” është një klinikë laboratorike e cila ofron një sërë shërbimesh. Si nisi kjo iniciativë dhe si kanë ndryshuar gjërat ndër vite?
“Intermedica”, e cila u hap në qershor të 1996-ës, është laboratori i parë privat si pionier i këtij aktiviteti, duke pasur si objektiv kryesor ofrimin e praktikave më të avancuara në shërbim të pacientëve në Shqipëri. Gjithmonë marrim si referencë standardet më të larta të laboratorëve të tillë në Evropë. Kur flasim për standarde kam parasysh këtu jo vetëm nivelin e mjekëve por edhe teknologjinë e analizatorëve të cilët ndryshojnë vit pas viti në mënyrë që të rruhen standardet dhe arritjet bashkëkohore.
Si keni arritur që të bashkërendoni teknologjinë më të fundit me stafin që ka klinika sepse teknologjia ndryshon dhe modernizohet shpesh?
Stafi i klinikës laboratorike “Intermedica” është i përzgjedhur me kujdes. Në praktikën e përditshme laboratorët kanë një mjek, 2 ose 3 ndërsa pjesa tjetër e punës kryhet nga laborantët. Në laboratorin tonë nuk punohet me laborantë por vetëm me mjekë. Ata kryejnë nga fillimi në fund të gjithë procedurën laboratorike. Mund të them se jemi i vetmi laborator që për çdo nën-sektor ka nga një mjek . Mjekët e okupuar në këtë laborator janë ose kanë qenë pedagogë të fakultetit ose me grada shkencore. Duke pasur objektiv që mjeku do të jetë ai që do të adaptojë aparatin me të dhënat e shkencës këta mjekë janë dërguar me sponsorizimin e klinikës në aktivitete ndërkombëtare, kongrese dhe konferenca. Kjo në fakt ka bërë që ata të jenë të informuar deri në detaj për çdo teknologji të re që del dhe që ne e fusim në klinikë.
Së fundmi keni sjellë një analizator të kompanisë prestigjioze ROCHE, Cobas 6000 e cila është e vetmja në Shqipëri? Ç’mund të na thoni lidhur me këtë risi që po ofroni sot?
Ne si “Intermedica” sapo kemi përfunduar instalimin e një aparati modular ROCHE COBAS 6000. Metoda me të cilën realizon analizat ky aparat, është elektro-kimio-ilumineshencë (që shfrytëzon energjinë kuantike të lëvizjes së protoneve brenda dhe jashtë orbitës). Është një analizator i sistemit robotik ,i cili shfrytëzon sistemin kompjuterik “barcode”–LIS dhe kjo tregon se raporti i teknologjisë me aplikimin është kryer në mënyrën më perfekte. Ky analizator është i lidhur me serverin qendror të kompanisë ROCHE, 24 orë, online. Gjatë kësaj kohe bëhet marrja dhe përpunimi i mesazheve, si dhe kombinimi dhe testimi i aparatit në distancë.
Çfarë analizash mund të kryhen sot tek laborator “Intermedica” falë këtij analizatori?
Laboratori “Intermedica kryen sot gjithë llojet e analizave që përshkruhen në literaturën mjekësore duke përfshirë këtu edhe ato që kanë të bëjnë me kulmin e shkencës laboratorike që është biologjia molekulare. Konkretisht analizatori i ri mbulon 95.5% të gamës së analizave dhe kryen jo vetëm analiza biokimike të rutinës por edhe analizat specifike , kardiake, tumorale, diabetike, antikorpeve, etj. Janë panele të tëra të instaluara në këtë analizator që u përgjigjen patologjive të ndryshme të ndara sipas specialiteteve. Ka panelin e treguesve kardiak, të cilat sot kanë futur të tilla analiza, që detektojnë infarktin pa bërë dyshime në EKG, detektojnë pamjaftueshmërinë e punës së zemrës pa filluar kjo sëmundje, panele e markuseve tumorale, të cilat i paraprinë shfaqjes klinike dhe mund të merren për ta kapur në stade të hershme, dozimi i medikamenteve që merr një pacient.
Sa i saktë është në rezultatet që jep ky analizator?
Aparati është i teknologjisë japoneze, ROCHE Itachi, prodhuar në 29 shtator 2009. KIT-et e aparaturës janë të sistemit të mbyllur dhe njeh vetëm aparatin me sistemin “barcode” dhe nuk lejon asnjë lloj manipulimi qoftë dhe nga mjeku. Në botë ky lloj analizatori është shfaqur në 2007 dhe në vendin tonë vjen 2 vjet më vonë. Nëse do të flasim për teknologjinë atëherë themi se kjo është teknologjia më e fundit kurse për sa i përket marzhit të gabimit, ai është i nivelit statistikor 0.04%. Mjeku që do të çojë pacientin për analiza është i sigurt që përgjigjja do të jetë më e shpejtë dhe e saktë. Këto analiza i paraprijnë jo vetëm diagnostikimit por edhe trajtimit të hershëm të sëmundjes që mund të ketë të bëjë me jetën. Mund t’u them që përgjigjet e “Intermedica”-s janë të njëjtë me ato që bëhen në laboratorët e Evropës.
Si procedohet për bërjen e analizave në laboratorin tuaj?
Kjo punë është zbritur në nivelin e sekretarisë duke vendosur të tilla sisteme që quhen sistemet e barkodit në të cilën markohet tubi që ka gjakun e pacientit me barkodin përkatës nga sekretaria. Tubi shkon në analizator me barkod. Aparatura e merr në mënyrë automatike dhe u jep komandat analizatorëve për të bërë analizat që janë përshkruar me këtë barkod. Përgjigjja del automatike në kompjuterët e analizatorëve dhe paralel në atë të sekretarisë. Ky rezultat pastaj konfirmohet nga mjeku dhe i jepet pacientit. Kjo është praktikë që ndiqet në laboratorët evropianë dhe që tashmë e aplikojmë edhe ne.
0,04 per qind
është marzhi i gabimit, në nivelin statistikor të aparaturës së re të sjellë nga “Intermedica”
13 vjet
ka që operon në treg klinika “Intermedica”. Ajo ofron një gamë të gjëra analizash