Kosova, replika ambasadorësh në Paris
Kosova sjell përplasjen diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë. Ambasadori i Shqipërisë në Francë, Ylljet Aliçka, ka zhvilluar një debat me Ambasadorin e Serbisë, Dushan Batakoviç, në prani te Drejtorit të Zgjerimit e Komisionit Evropian, Pierre Mirel. Kjo përplasje diplomatike ndodhi në konferencën me temë: “E ardhmja Evropiane e Ballkanit”, e mbajtur në Paris, e organizuar nga shoqata e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit të Shkencave Politike. Në fjalën e tij ambasadori serb, Batakoviç, e përqendroi krejt diskutimin në viktimizimin e popujve serbë në Ballkan, ku sipas tij, serbët janë të shpërndarë në krejt Ballkanin, duke u ndalur veçanërisht në atë që ai e quajti “terror masiv dhe i vazhdueshëm që ushtrohet ndaj pakicave serbe në krahinën jugore të Serbisë, Kosovë”. “Asnjë serb nuk është përfshirë në administratën lokale në Kosovë dhe se ka mjaft demagogji nga shqiptarët e Kosovës në lidhje me të ashtuquajturën politikë e respektimit të minoriteteve”, tha Batakoviç. I gjithë diskutimi i ambasadorit serb pati një frymë të fortë indoktrinimi nacionalist, pothuajse i njëjtë me ato të kohës së Millosheviçit. Këtyre qëndrimeve iu është kundërvënë ambasadori Aliçka, i cili theksoi se “diskutimi i ambasadorit serb u mbështet në referenca etnike e fetare, aspekte këto, që bien ndesh me vlerat dhe parimet e Bashkimit Evropian. “Përmendja nga ambasadori serb i shpërndarjes së gjerë gjeografike të popullit serb në krejt vendet e Ballkanit, frymëzon klishetë e së kaluarës mbi Serbinë e Madhe, apo Kroacinë e Madhe, dhe po të ndiqej dhe nga ne kjo linjë mendimi i bie që të flisnim dhe për Shqipërinë e Madhe, koncepte këto për ne të tejkaluara që bien ndesh me të ardhmen e rajonit”, tha ambasadori shqiptar. Aliçka theksoi se e “vetmja rrugë e drejtë dhe e privilegjuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkan është integrimi i vendeve tona në BE dhe respektimi i vullnetit të popujve ballkanikë, për të jetuar në paqe dhe me dinjitet njerëzor”. Qëndrimet e tij morën miratimin e plotë të Pierre Mirel. Drejtori i Zgjerimit të KE-së, Mirel paraqiti shkurtimisht ecurinë e secilit vend tê Ballkanit Perëndimor në rrugën e Integrimit Evropian. Ndër të tjera ai konfirmoi se liberalizimi i vizave për Bosnjën dhe Shqipërinë pritet të realizohet në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2010.