Bumçi: Ndarja e posteve, vetëm tek sekretarët
ADI SHKEMBI
Kryetari i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, shprehet pro ndarjes së posteve qeveritare nga ato partiake vetëm në nivelin e sekretariatit në selinë blu. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai kërkon zhvillimin e një debati të gjerë për të bërë PD-në një forcë politike aktive dhe të gjallë. “Për mendimin tim, ndarjen e posteve do ta mbaja në nivelin e sekretariatit, sepse nuk mund t’i ndash nivelet e larta. 4-5 figurat kryesore të partisë janë njerëzit që kanë përfaqësuar partinë në opozitë dhe është normale që do të jenë në postet kryesore në Qeveri apo Kuvend. Nuk mund të krijosh një parti me dy koka, ajo nuk ka kuptim”, thekson Bumçi. Duke folur për analizën në Partinë Demokratike pas zgjedhjeve të 28 qershorit, deputeti i PD-së thotë se ajo nuk do të shërbejë për gjueti shtrigash për zyrtarë të partisë që kanë humbur, por shton se nëse do të jetë i nevojshëm largimi i tyre, kjo do të ndodhë.
Zoti Bumçi, si po ecën analiza paszgjedhore në bazën e PD-së?
Analiza është një proces që fillon në çdo seksion, ku është një qendër votimi dhe bëhet krahasimi i rezultateve si ka dalë ajo qendër në krahasim me zgjedhjet e tjera. Mund të shihen edhe 3-4 proceset e fundit për të parë si ka dalë ajo qendër, pra nëse është rezultat i papritur apo brenda parametrave të viteve të fundit. Përveç rezultatit shikohet edhe seksioni, nëse ka ardhur duke u rritur në numër, apo ka ardhur duke u rrudhur. Gjithashtu shikohet nëse seksioni është efektiv apo njerëzit aty punojnë shumë pak. Pra shikohet çdo aspekt për të përmirësuar punën për ta bërë sa më përfaqësues dhe aty duhet të dalësh pastaj në lagjen ku është seksioni për të rritur numrin. Kjo është pak a shumë një punë që bëhet në një seksion. Po bëhet gjithashtu një bazë të dhënash për historikun e zgjedhjeve në atë seksion.
Kur thoni që po bëni një analizë të zgjedhjeve, do të merrni parasysh rezultatin e PD-së në atë seksion, apo rezultatin e koalicionit, sepse në shumë zonë ka ndodhur që PD-ja ka humbur përballë PS-së, por koalicioni i djathtë në tërësi ka marrë më shumë vota se koalicioni i majtë?
Shikohen të dyja, por shihet më shumë vota e djathtë. Në zgjedhjet e 2005 dhe 2007, ne ishim në koalicion dhe kandidati ynë që ka marrë vota i ka marrë nga e djathta. Në këto zgjedhje kishim kandidatin e PD që përkrahej nga aleatët. Të dyja krahasimet janë të mundura, por meqë në zgjedhjet e fundit kemi dalë si koalicion, është e mundur që të shihet vota e djathtë dhe vota e PD-së brenda votës së djathtë.
Në Qarkun e Tiranës, deri ku do të shkojë kjo analizë? Në qytet ka shumë zona, të cilat PD-ja i ka humbur shumë thellë dhe vetëm 3 minibashki ka fituar? Pra a do të ketë ndryshim të krerëve në bazë, duke marrë si shkak rezultatin e 28 qershorit?
Nuk është ky thelbi i analizës. Analiza mundohet të përmirësojë zonat ku jemi fituese, ku rezultati mund të ishte më i lartë. Pra shikohet më gjerë, përveç rezultatit shikohet edhe përmirësimi i seksionit me anëtarë të rinj dhe figura përfaqësuese të seksionit. PD ka peshën e saj si sigël. Sa më shumë njerëz ta bëjnë këtë punë, aq më i mirë do të jetë edhe imazhi i kësaj sigle. Një seksion të jetë një strukturë e mbyllur. Nuk është normale që anëtarësimet të bëhen me fushata, duhet të jetë një proces gradual. Nuk ka pse të bëhet anëtarësimi me fushatë 2-3 muaj. Zgjerimi është shumë i nevojshëm. Është bërë një punë e mirë para zgjedhjeve në parti, kur u bën shumë anëtarësime të reja.
Pra nuk do të shkohet deri në shkarkime?
Mund të shkohet në çdo nivel, por nuk është ky thelbi. Një analizë është një proces i natyrshëm që duhet bërë pas çdo fushate zgjedhore edhe kur fiton edhe kur humbet. Psh. në njësinë 10 një seksion ka 1/3 e humbjes së gjithë zonës, duhet parë përse ka ndodhur. Nëse ka nevojë të ketë rifreskim të drejtimit, kjo gjë do të bëhet. Por kjo nuk është gjueti shtrigash. Thelbi është përmirësimi i strukturës në tërësi, me burime njerëzore, me mbulimin e zonës, përmirësimi i fushatës, etj.
Ndonëse është pak herët, por në cilësinë edhe të kryetarit të PD-së, së Tiranës, çfarë profili duhet të ketë kandidati i kësaj partie për Bashkinë e Tiranës. A duhet të jetë ai përfaqësues i shoqërisë civile, apo një personalitet politik i kësaj partie? Kujtoj këtu që në tre zgjedhjet e humbura për Tiranën, kandidatët e saj vinin nga strukturat e PD-së.
Kandidati duhet të mishërojë vlerat më të mira, duhet të jetë një person i cili rrezaton ato vlera që qytetarët e Tiranës presin nga ana e integritetit moral, vlerat profesionale. Mund të merret kudo, mund të merret një figurë e shoqërisë civile, por që patjetër duhet të ketë vlerat e qendrës së djathtë, duhet të mishërojë disa vlera të këtij koalicioni. S’është e thënë përherë të jetë një anëtar, mund të jetë një figurë e cila është afër filozofisë, vlerave të kësaj partie, mund të jetë një anëtar i kësaj partie. Nuk ka pse të ketë parakushtet. Por përpara se të shkohet te kandidati, është e rëndësishme çfarë i paraprin kësaj. Këtu është puna e strukturave të PD-së. Një kandidat në Tiranë nuk mund të bëjë një fushatë në vakum, por një fushatë se çfarë është bërë. Ne po ngremë grupet e punës që do mbulojnë fusha të caktuara të jetës së qytetit, si grupi i punës për shërbimin urban, grupi i punës për zhvillimin ekonomik, grupi i punës për çështjet mjedisore, grupi i punës për çështjet sociale. Këto grupe përbëhen me figura të PD dhe intelektualë që do të thithin mendimin edhe të ekspertëve jopolitikë, që ne të jemi të pranishëm në qytet, të ndërtojmë një debat për qytetin dhe në fund të dalim me një program. Ky është thelbi i punës që ne ta krahasojmë atë që është bërë në Tiranë dhe ta paraqesim programin tonë si alternativë. Kushdo që të jetë kandidati, do të bazohet jo vetëm tek ai, por mbi një platformë dhe një aksion politik e një produkt. Tirana është bërë një qytet i lodhshëm në disa aspekte, nga zhurma, nga trafiku, ka probleme të mëdha sociale, ka papunësi në Tiranë. Nuk mund të mendojmë për një qytet ku ndërtohen shtëpi mbi njerëz dhe kthehet në një konvikt të madh. Këto do të diskutohen dhe është aksioni politik dhe programi, por kandidati është një element shumë i rëndësishëm.
Në katër vitet e kaluara, PD ngeli në hije për shkak se figurat qendrore të saj u përshinë në nivelet më të larta qeverisëse. Në këtë mandat të dytë, a duhet të marrë partia një rol më të madh dhe a është e nevojshme ndarja e posteve qeveritare me ato partiake?
Ky debat është orientuar pak gabim. Debati nuk duhet orientuar nëse duhen ndarë postet apo jo, jo sepse kjo nuk do të jetë pjesë e debatit, por ndarja e posteve apo jo është mjeti. Qëllimi është një jetë partiake aktive, e gjallë, një parti që kryen ato funksione pse ekziston partia.
Por që kjo çon në ndarjen e posteve...
Jo nuk është kështu. Ne duhet të vendosim objektin e qartë që është një parti e gjallë dhe instrumentet e një partie janë sekretariatet që mbulojnë të gjitha fushat e jetës. Këto sekretariate kanë detyra specifike. Në momentin që ne vendosim si objektiv një parti aktive, të gjallë, do shohim si do ta realizojmë këtë. Një pjesë e këtij debati është njehsimi apo jo i posteve. Nuk është i vetmi debat, sepse mund t’i ndajmë postet dhe sërish të mos jetë aktive. Ne duhet të shohim modelet më të mira të partive popullore evropiane, si e kanë zgjidhur këtë problem kur partia është në qeveri. Është normale që figurat kryesore do jenë në qeveri, fitohet për të qeverisur. Ti do vlerësohesh nga puna që bën qeveria, por edhe strukturat e partisë ndikojnë. Barrën e luanit e mban qeveria. Le të kemi një debat për këtë. Është ngritur një grup me figurat me më përvojë në PD, si në opozitë, ashtu edhe në qeveri, dhe kur të bëjmë prezantimet e rezultateve të tyre mendoj do të shohim si është zgjidhur kjo. Por unë mendoj se duhet të kemi një parti aktive. Ndarja e posteve mund të jetë një element i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm.
Ju përmendet sekretariatin, por edhe niveli i sekretarit të përgjithshëm dhe i nënkryetarëve është gjithashtu i rëndësishëm në jetën e një partie...
Është mirë të ketë një projekt nga strukturat e PD-së dhe ne të debatojmë mbi këtë projekt. Për mendimin tim ndarjen e posteve do ta mbaja në nivelin e sekretariatit, sepse nuk mund t’i ndash nivelet e larta. 4-5 figurat kryesore të partisë janë njerëzit që kanë përfaqësuar partinë në opozitë dhe është normale që do të jenë në postet kryesore në Qeveri apo Kuvend. Nuk mund të krijosh një parti me dy koka, ajo nuk ka kuptim. Kryetari i partisë bëhet kryeministër. S’mund të ketë dyzim të figurave kryesore. Këtu bëhet fjalë për sekretariatet që kjo parti të jetë e gjallë, të jetë aktive, të ketë njerëz që të punojnë në fushat përkatëse. Një sekretariat që merret me një fushë të caktuar, që mban lidhje me një botë më të gjerë, pra dhe me partinë dhe atë jashtë partiake mund të ndihmojë me ide dhe për të mbajtur një debat politik të gjallë. Unë e shoh te sekretariatet dhe është një varfërim i debatit nëse themi thjesht njehsimi apo mos njehsimi. Unë jam për ndarjen e sekretarit por duhet të dalë nga një analizë.