E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet në kufi i riu grek

 

SARANDE/ SHPRESA DINE

Ekzekutohet në kufi me Shqipërinë 28-vjeçari grek. Një plagë në kokë, në rrethana ende misterioze i ka shkaktuar vdekjen të riut nga Thesprotia. Dyshohet se përfshirja e tij në çështje trafiku ilegal mund të ketë provokuar krimin.
Trupi i Gaxellos Vasillos u gjet në afërsi të piramidës 54, në fshatin Janjar, në pikën fundore ku ndahet kufiri ynë me atë të Greqinë, rreth 65 km larg qytetit të Sarandës. Disa barinj që kullosnin dhentë pranë zonës kufitare, të populluar kryesisht nga minoritarë, kanë gjetur trupin e pajetë të të riut. Sapo kanë hasur në kufomën e hedhur përmbys në një gëmushë, ata kanë njoftuar në fshat dhe prej andej është vënë në dijeni Komisariati i Policisë të Sarandës. Në vendngjarje është nisur një grup me specialistë të kriminalistikës, në krye të të cilit ka qenë vetë ishte shefi i komisariatit, Vullnet Topalli. Nga verifikimi i kufomës dhe marrja në pyetje e banorëve të zonës është konstatuar se nuk ishte nga fshatrat përreth. Kufoma ishte e padekompozuar dhe në trup nuk kishte shenja dhune. Fillimisht u dyshua për vdekje natyrale, por gjatë këqyrjes së imtësishme u zbulua një plagë në kokë, e shkaktuar nga goditja me mjete të forta që i provokuan humbjen e jetës. Menjëherë janë vendosur kontakte me palën greke, pasi kishte informacion prej saj që disa ditë më parë një i ri nga rajoni i Thesprotisë në Greqi kishte humbur kontaktet me të afërmit dhe nuk dihej fati i tij. Policia greke kishte shkëmbyer të dhënat e nevojshme me atë shqiptare dhe kishte kërkuar ndihmë. Pikërisht nga ky informacion u mësua shumë shpejt se kufoma i përkiste shtetasit grek, Gaxellos Vasillos. Burime jozyrtare thanë se i riu grek mendohet se ka qenë person që vinte shpesh në Shqipëri duke u marrë me trafiqe të paligjshme. Dyshimet janë hedhur të trafiku i drogës dhe mendohet se 28-vjeçari mund të kishte luajtur dhe rolin e një korrieri droge mes trafikantëve shqiptarë dhe atyre grekë, por ndonjë prishje pazari ka sjellë ekzekutimin. Mendohet se autorët ta kenë qëlluar për vdekje në një tjetër vend e më pas me kafshë të kenë transportuar deri në disa metra brenda territorit shqiptar. Pas verifikimit dhe evidentimit të tërë rrethanave të ngjarjes dhe kryerjes së ekspertizës në vend, trupi i pajetë i shtetasit grek është përcjellë për në tokën helene përmes pikës së kalimit të Ripsit që ndodhet pranë vendit ku u gjet kufoma. Nga ana e policisë së Sarandës është duke u hetuar për shkaqet e mundshme dhe personat që mund të kenë kryer vrasjen e të riut Gaxellos Vasilios. Vrasja e tij mbulohet me mister, pasi fakti që u gjet në kufi implikon si shtetas grekë, ashtu dhe ata shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›