E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat për kontrabandë, ish-deputeti Neranxi: “Jam i pafajshëm”



Avokati i biznesmenit Nikollaq Neranxi deklaroi dje se klienti tij është i pafajshëm, duke mos pranuar asnjë akuzë të ngritur për kontrabandë nga Prokuroria. Një seancë më parë, prokurori i çështjes i kërkoi gjykatës të deklarojë fajtor biznesmenin Nikollaq Neranxi për akuzën e kontrabandës. Dënimi që duhet t’i jepet Neranxit, sipas institucionit të akuzës, është 10 milionë lekë gjobë. Neranxi akuzohet të jetë i implikuar në 21 raste kontrabandë të mallrave që tregton kompania e tij nga Greqia në Shqipëri, duke i shkaktuar shtetit një dëm që kap vlerën 13 milionë e 664 mijë lekë. Akuza bëri të ditur se që nga viti 2001 deri në gusht 2004, Neranxi ka kaluar mallra të ndryshme kontrabandë si kaseta, albume fotografike, CD apo filma fotografikë. Ka qenë fillimisht Prokuroria greke ajo që filloi hetimet ndaj një shoqërie të këtij vendi me emrin “SALCOFOST”. Sipas Prokurorisë, në aktet e administruara gjatë hetimit paraprak rezulton e provuar se blerja, transporti dhe mosdeklarimi para autoriteteve doganore shqiptare për 21 faturat e hetuara është realizuar nga i pandehuri Nikollaq Neranxi, i cili në këto kushte rezulton të ketë konsumuar plotësisht veprën penale për të cilën akuzohet. Gjykata, në seancën e ardhshme do të shprehet me vendim përfundimtar në lidhje me këtë çështje. Seanca e radhës u caktuar në ditët e para të muajit prill.

25 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›