Qeveria turke po i shtyp mediet

Përkrahësit brohorisnin jashtë një gjykate të Stambollit, ndërsa tre gazetarë u dërguan javën e kaluar në burg, nën akuzat për pjesëmarrje në një organizate terroriste dhe nxitje të urrejtjes publike.
Ata drejtonin faqen elektronike të lajmeve “Oda TV”, e cila është tejet kritike ndaj partisë në pushtet AKP.
Mediat turke njoftojnë se arrestimet u kryen në lidhje me hetimet që gazetarët po zhvillonin rreth deklaratave se policia kishte fabrikuar dëshmi në gjykimet e më shumë se 400 të akuzuarve për përpjekje për të përmbysur qeverinë.
Halluk Shahin, profesor i medies në Universitetin “Bilgi” dhe drejtor pranë kanalit TV-8 në Turqi, thotë se qeveria përdor një politikë të caktuar për të frikësuar medien.
“E shoh këtë si një përpjekje tjetër për të krijuar një shtyp pro-qeveritar dhe si përpjekje për të heshtur pjesën tjetër të shtypit, i cili herë pas here mund të botojë ndonjë artikull ose lajme kritike ndaj qeverisë. E shoh këtë si një shenjë ogurzezë të një veprimi në drejtim jodemokratik. Ne kemi kaluar nëpër faza të ngjashme edhe në të shkuarën”, tha ai.
Të njëjtin shqetësim shprehu edhe ambasadori i ri amerikan në Turqi, Francis Richardone.