Opozita maqedone kushtëzon zgjedhjet
Partia opozitare në Maqedoni, LSDM, ka pranuar ftesën e kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por pasi të jenë pranuar katër kushtet e parashtruara nga kjo parti, ka thënë lideri i partisë më të madhe maqedonase në opozitë, Branko Cërvenkoski.
“Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është mënyra e vetme për të dalë nga kjo krizë e thellë, në të cilën ndodhet shteti dhe ne e përshëndesim vendimin tuaj Gruevski për t`u ballafaquar në zgjedhje të parakohshme”, ka deklaruar Cërvenkoski.
Ai e ka përcaktuar qershorin si afat të pranueshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme - nëse vendoset ndryshe, atëherë kjo parti do t’i bojkotojë të njëjtat.
LSDM-ja, si kusht për t`u kthyer në Parlament, ka vendosur zhbllokimin e llogarisë bankare të Televizionit A1 dhe gazetave Koha e Re, Shpic e Vreme, njëherësh dhe formimin e një komisioni, i cili do të kontrollojë regjistrin zgjedhor, si dhe miratimin e një rregullore ligjore që do të mundësojë shpërndarjen proporcionale në media të mjeteve buxhetore.
Ndërkohë, partia opozitare shqiptare, PDSH-ja është shprehur e gatshme për të hyrë në zgjedhje të parakohshme.
Zëdhënësi i kësaj partie, Luan Tresi, ka thënë se PDSH-ja do të kthehet në parlament, pasi të jenë pranuar kërkesat që prekin interesin e votuesve shqiptarë.