E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria u kthen pronarëve oborret dhe tokën përreth shtëpisë tërësisht

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Kryeministri Sali Berisha kërkoi në mbledhjen e qeverisë "që të ngrihet grupi i punës për të hartuar sa më shpejt kuadrin ligjor që t i japë përgjigje të menjëhershme, jo burokratike dhe të plotë, çështjes së oborreve në përdorim". Berisha u shpreh se "çështja e oborreve në përdorim është një problem madhor që ekziston padrejtësisht për mijëra dhe mijëra pronarë shqiptarë, kryesisht në qytete, por edhe në fshatra. Në zyrat e regjistrimit të pasurive janë mijëra e mijëra familje shqiptare, të cilat kanë shtëpitë e ndërtuara mbi trojet e tyre, kanë oborrin tërësisht të tyre, por ato vazhdojnë të njihen si oborre dhe troje në përdorim, në një kohë kur janë tërësisht pronë private. Kjo praktikë buron nga ligji i vitit 1976, në të cilin prona private u eliminua në të gjithë territorin dhe iu regjistrua si pronë në përdorim këtyre familjeve. Një gjë e tillë i vështirëson të gjitha transaksionet që këto familje do të bëjnë dhe i mban të pasigurt në pronën e tyre. Siç kemi përmirësuar mjaft gjëra, edhe në këtë rast duhet të gjejmë rrugën për të qenë të drejtë me këta pronarë që padrejtësisht figurojnë në zyrat e këtij vendi, sikur nuk janë pronarë dhe që mbi bazën e kësaj klauzole ata faktikisht nuk kanë të drejtë të shesin, të blejnë, apo të kryejnë veprime mbi truallin. Zgjidhja e këtij problemi përbën një çlirim të madh për tregun, pasi fuqizon më tej tregun e tokës. Të gjitha këto territore bëjnë pjesë në listën e trojeve me çmime dhe vlera më të larta, pasi janë pothuajse të gjitha familjet tiranase që kanë këtë problem. Gjithashtu, Kryeministri u bëri thirrje të gjithë kryetarëve të bashkive të Shqipërisë që "të veçojnë tokat që mund t u ofrohen pronarëve për kompensim. Çdo bashki e ka këtë mundësi nga Kukësi, deri në Gjirokastër dhe kjo do të jetë një shërbim shumë i madh që ne i bëjmë stabilitetit dhe zgjidhjes së problemit të pronësisë", - tha Kryeministri.

Lejet dhe licencat të gjitha në "One Stop Shop"
Kreu i ekzekutivit, Berisha, vlerësoi rëndësinë e krijimit të "One Stop Shop" për licencat dhe lejet në Shqipëri, i cili sipas tij, “përbën një reformë jashtëzakonisht të rëndësishme”.
Këshilli i Ministrave mori në shqyrtim dhe miratoi në mbledhjen e djeshme projektligjin për licencat, autorizimet dhe lejet, duke bërë të mundur sistemin e marrjes së lejeve dhe licencave në një sportel të vetëm, “one stop shop”. “Me këtë projektligj, pas regjistrimit elektronik të biznesit në një sportel të vetëm, ne ia dalim që brenda muajve të parë të vitit që vjen, të instalojmë në Shqipëri “one stop shop” për një pjesë të madhe të licencave dhe lejeve, pasi kemi zhdukur ndërkohë 2/3 e tyre”, - u shpreh Kryeministri. Avantazhet e këtij projektligji, theksoi ai, janë shumë të mëdha, pasi nga afati kohor 30-60 ditë që duheshin më parë për marrjen e një lejeje apo licence, tashmë ato do të mundësohen brenda 1 deri 3 ditëve. Kjo është një ndërhyrje shumë e dobishme për klimën e biznesit. Gjithashtu, Kryeministri vuri në dukje se jo të gjitha lejet e licencat mund të përfshihen në “one stop shop”, pasi disa prej tyre i nënshtrohen një procesi gare të pashmangshme, siç janë hidrocentralet, por edhe të tjera. Pra, një numër i kufizuar i tyre, për shkak të procedurave që mbartin në vetvete, mbeten si atribut i ministrive. “Gjykoj se ky vendim është i një rëndësie të jashtëzakonshme për ne, për ekonominë dhe zhvillimin e vendit. Ne do të bëjmë çdo gjë për suksesin e kësaj praktike. Nuk është aq e thjeshtë sa praktika e parë, pra ajo për regjistrimin e biznesit, por është plotësisht e mundshme”, - nënvizoi Kryeministri.
Lufta kundër korrupsionit, fonde për shoqërinë civile
Kryeministri Sali Berisha veçoi të mërkurën, në mbledhjen e Qeverisë, vendimin për krijimin e Agjencisë së Zhvillimit të Shoqërisë Civile, objekt i së cilës do të jetë shpërndarja e fondeve që u akordon qeveria organizatave të shoqërisë civile. Në mbledhjen e qeverisë u miratua vendimi për krijimin e Agjencisë së Zhvillimit të Shoqërisë Civile, i cili synon ngritjen e një agjencie për shpërndarjen e fondeve. “Shpërndarja e fondeve ka karakterin e vetë delikat, pasi nuk duhet të cenojë kurrsesi autonominë e plotë dhe të vërtetë të organizatave të shoqërisë civile. Këto fonde si orientim kryesor duhet të kenë monitorimin e shtetit, të administratës dhe sektorit publik, për sa i përket korrupsionit. Pra, përparësi do të kenë organizatat që monitorojnë luftën kundër korrupsionit, ku shoqëria civile po bëhet faktor kryesor", - tha Berisha.
Ky lajm është publikuar: 25/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›