E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pa kartat nuk ka pensione dhe nuk lejohet hyrja në provime

 

Kryeministri Berisha i bën sërish thirrje kryetarëve të komunave për të blerë kuponat për aplikimin për marrjen e kartave të identitetit nga personat që marrin ndihmë sociale. Por në mbledhjen e djeshme të qeverisë, ai theksoi faktin se nëse vihet re se pensionistët që do të marrin paradhënien 1000 lekë për letërnjoftimin, nuk pajisen me karta nuk do të mund të marrin pensionet. “Qeveria do të vendosë në pensionet e fshatit dhe ato minimale të qytetit, në datën e pensionit të parë të muajit maj, shumën e përcaktuar prej 1 mijë lekë dhe u mbetet të paguajnë vetëm 200 lekë për letërnjoftim, duke e marrë atë me 1/6 e çmimit të saj. Natyrisht, sanksionet do të jenë shumë të qarta. Në rast se paratë merren dhe nuk blihet letërnjoftimi, atëherë nuk do t’u jepet pensioni tjetër. Ne ua japim paradhënie në mirëbesim”, u shpreh kreu i qeverisë. Të njëjtin paralajmërim Berisha përmendi edhe për studentët që sipas tij nuk do të hyjnë në provim nëse nuk marrin kartat i identitetit. “Qeveria do të shtojë në ndihmë ekonomike të muajit që vjen, në përputhje me faturat që do të sjellin, të gjithë shumën e përdorur për blerjen e kuponëve dhe në ndihmën mujore ekonomike, atyre që kanë detyrimin për të paguar do t’u mbahen 200 lekë. Kjo për çdo person në ndihmë ekonomike në familje. Nëse një familje ka 5 votues, në ndihmën ekonomike do të derdhen 5 mijë lekë dhe ajo do të paguajë gjithsej 1 mijë lekë për kuponët”, vijoi më tej kreu i qeverisë. Në të njëjtën kohë Berisha sqaroi edhe detyrimin e qytetarëve për tu pajisur me kartat e identitetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›