Qeveria, vendim për shkatërrimin e 931 tonëve municione të aviacionit
Qeveria shqiptare që në tetor të vitit 2006 nxori një vendim, ku bashkë me heqjen e armatimit të mjeteve luftarake, parashikonte edhe shitjen, asgjësimin dhe çmontimin e municioneve. Sipas këtij vendimi, janë më shumë se 930 tonë municione që dikur i përkisnin aviacionit ushtarak, që do t’i nënshtrohen këtij procesi. Këto përfshijnë bomba aviacioni të llojeve të ndryshme, predha, raketa, shtimje sipas madhësive, pirofishekë, djegore, lëndë eksplozive, gjurmëlënës etj. “Mjetet luftarake të aviacionit, armatimi i tyre dhe municionet të asgjësohen ose të çmontohen dhe të shiten në formë skrapi, sipas dispozitave ligjore, ndërsa pjesët që kanë vlerë përdorimi tjetër nga ajo e përdorimit në Forcat e Armatosura, t’u nënshtrohen procedurave për administrimin dhe tjetërsimin e pronës shtetërore”, - thuhet në njoftimin e datës 4.10.2006 të Këshillit të Ministrave. Për zbatimin e vendimit, “ngarkohet ministri i Mbrojtjes të nxjerrë udhëzimin përkatës për përcaktimin e kritereve teknike dhe të procedurave të asgjësimit, çmontimit a tjetërsimit të mjeteve luftarake të aviacionit, të armatimit të tyre dhe municioneve, të hequra nga armatimi dhe përdorimi. Sipas kuadrit të përcaktuar nga qeveria, të ardhurat e nxjerra nga shitja kalojnë “për krijimin dhe administrimin e të ardhurave, që krijojnë institucionet buxhetore”.
17 Mars 2008