Berisha në KRRTRSH: Të zbatohet ligji për urbanistikën ne gjithë territorin e vendit
Nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha, u mblodh të hënën Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, në të cilën u diskutuan disa vendime të rëndësishme në planin urbanistik të vendit.
KRTRSH vendosi shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e një objekti 8 katësh në Rrugën e Dibrës, pranë Fakultetit të Mjekësisë.
Po ashtu, KRTRSH shtyu për në një mbledhje tjetër vendimin për shfuqizimin e vendimit të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e investimit publik në mbikalimin e Zogut të Zi.
Kryeministri kërkoi caktimin e një grupi ekspertësh që ta rishqyrtoje edhe njëherë gjithë problematikën e mbikalimit të Zogut të Zi, për të shmangur cdo lloj interpretimi politik që kërkojnë t'i veshin faktorë të ndryshëm. Z. Berisha tha se çështja e Zogut të Zi, "është një simbol i bashkëveprimit korruptiv, bashkëveprim i cili ka bërë të asgjësohen të gjitha ligjet e vendit".
Në zbatimin e këtij projekti konstatohen shkelje të mëdha ligjore, tha kryeministri, duke nënvizuar se për të firmosur formularin 4 për dhënien e lejes së ndërtimit, firma ndërtuese duhej së pari të paguante taksën e shumës së prokuruar. Po ashtu, firma duhej të paraqiste oponencën teknike të projektit, ndërkohë që nuk ka marrë as mendimin dhe lejen e ekspertëve mjedisorë, apo të konsultohej me shoqatën e arkitektëve.
Gjithashtu, kryeministri Berisha u ndal edhe në cështjen e rrugëve të tjera të bllokuara në Tiranë, 14 të tilla, nga të cilat 6 pa leje ndërtimi. Ai u shpreh se këto rrugë kanë dy vite që janë hapur dhe insistimi i policicë së ndërtimit për zbatimin e kushteve ligjore, përdoret si pretekst për të fshehur aferat e pandershme që qëndrojnë prapa kësaj tejzgjatjeje.
Qeveria do të shfrytëzojë të drejtën e dekretit për të autorizuar person tjetër për të mbledhur KRT-në, për të pajisur me leje, pas penaliteteve përkatëse, firmat që kanë filluar ndërtimin e rrugëve pa leje dhe për të zhdukur cdo lloj pengese në vazhdimin e ndërtimit, me kushtin e vetëm që afatet ligjore do të përcaktohen për cdo rrugë.
KRRTRSH miratoi projektin e paraqitur për planin urbanistik të qytetit të Fierit, i cili merr parasysh harmonizimin e zhvillimit urban të qytetit, të zhvillimit ekonomik, mjedisor, shëndetësor dhe të integrimit kulturor.
Kryeministri Berisha vlerësoi projektin, duke theksuar se ky plan e sheh qytetin si një zhvillim tërësor të qendrës, të periferisë dhe zonave përreth saj. Kryeministri siguroi se qeveria mbetet e orjentuar që për të gjitha qytetet e vendit, zonat turistike, të operojë mbi bazën e projekteve tërësore të zhvillimit të tyre.