Kryeministri Berisha: Korridori 8-të rikthehet në vëmendjen e BE-së
- Intervistë e Kryeministri Sali Berisha, dhënë, të martën, për Televizionin Klan -
Pyetje: Z.Berisha, sapo është konfirmuar futja e Korridorit 8-të në axhendën e prioriteteve të BE-së, ndërkohë që ka patur shtyrje të këtij projekti.Ç'do të thotë kjo për Shqipërinë?
Kryeministri Berisha: Ky lajm përbën një nga zhvillimet më pozitive për Shqipërinë dhe rajonin. Unë pak më parë jam njoftuar zyrtarisht nga ministri i Transporteve të Italisë se Korridori i 8-të, për të cilin në takimin e fundit me kryeministrin e Italisë e kisha shtruar gjerësisht, u vendos që të rikthehet në prioritetet e BE-së si një korridor transnacional, domethënë si një korridor që përfshin edhe segmente të tëra të territorit italian. Kam marrë siguri të plotë nga ministri i Transporteve të Italisë se do të shpejtohen të gjitha proçedurat dhe se po krijohet një grup pune shumë i rëndësishëm për projektimin për nxitjen dhe zhvillimin e korridorit të 8-të. Ministri i Transportit të Italisë më siguroi se komisioneria e Komisionit Europian për Transportin ka deklaruar publikisht, pas insistimit të qeverisë italiane, rikthimin e korridorit 8-të në një përparësi të plotë, çka gjykoj edhe një herë se përbën një zhvillim madhor pozitiv për Shqipërinë, Maqedoninë, Bullgarinë dhe vendet e përfshira në projektorët e këtij korridori.
Pyetje: Ndërkohë z.Berisha ndodheni në Romë për një takim me investitorë italianë. A mendoni se gjatë mandatit tuaj do të ketë më shumë sipërmarrës italianë që vijnë në Shqipëri dhe investojnë këtu?
Kryeministri Berisha: Kam arrdhur në Romë kësaj radhe për të takuar para së gjithash me investitorët italianë dhe i jam shumë mirënjohës Institutit Italian të Ekonomisë dhe Kulturës për takimin që më ka organizuar, që do të zhvillohet nesër, këtu, në Romë. Në vizitën timë të parë unë takova Kryeministrin e Italisë Silvio Berluskoni, kryetarin e Parlamentit, z.Pier Fernando Kazini dhe zëvendëskryeministrin Fini. Në vizitën time të dytë kam takuar Shenjtërinë e Tij, Papën Benedikti i XI-të. Kësaj radhe unë u takova me miqtë e mi, Presidentin e Parlamentit, Pier Fernando Kazini dhe me zvëndëskryeministrin Xhanfranko Fini, por qëllimi i vizitës sime ishte takimi i nesërm me investitorët italianë. Unë takova edhe ministrin e Transportit që më dha lajmin shumë të gëzuar, sikundër bisedova me zëvendëskryeministrin italian për të inkurajuar bashkëpunimin e gjithanshëm midis Shqipërisë dhe Italisë në të gjitha fushat.
Pyetje:Çfarë ftese do t'i bëni investitorëve italianë nesër?
Kryeministri Berisha: Investitorët italianë i ftoj që të vijnë dhe të investojnë dhe i siguroj se qeveria që unë drejtoj do ta bëjë Shqipërinë vendin më tërheqës të investimeve të huaja në rajon. Ne po pregatisim ligjet më të mira që ekzistojnë për të garantuar, lehtësuar, ftuar investitorët e huaj në Shqipëri dhe ka një interes të madh. Kam marrë garanci se nesër do të ketë përfaqësues të mëdhenj të biznesit italian. Por shoh, vërtet, interes në rritje, kudo, për investimet në Shqipëri dhe unë jam i vendosur që të udhëtoj kudo për të grishur sa më shumë investitorë në Shqipëri, për t'i siguruar ata për mbështetjen e plotë dhe të madhe të qeverisë së koalicionit që unë drejtoj.