E Diel, 1 Nëntor 2026

Qiratë, gjoba për numrin e punonjësve

Ministria e Ekonomisë njoftoi se do të penalizojë çdo subjekt që merr me qira një objekt publik dhe nuk punëson në investimin që ka parashikuar të kryejë aq punëtorë sa është parashikuar në kontratë. Ekspertët e kësaj ministrie thanë se gjoba e parashikuar për këtë rast është 10 mijë lekë në muaj për çdo punonjës të papunësuar. Burime nga Ministria e Ekonomisë thanë se kontratat shtrëngojnë çdokënd që do të marrë me qira, që për mosrealizim të investimeve në nivelin e parashikuar në kontratë do të aplikohet një gjobë 10% mbi vlerën e investimit të pakryer. Gjithashtu, edhe për mospagim të qirasë në kohë do të aplikohet gjobë 1% mbi vlerën e qirasë mujore. Në bazë të ligjit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, duke qenë se ka të drejtën e përfaqësuesit të pronarit të pronës shtetërore, jep me qira pasuri të ndërmarrjeve, shoqërive dhe institucioneve shtetërore me sipërfaqe mbi 500 m². Afati i dhënies me qira është deri në 20 vjet.

Verifikim kontratave ekzistuese

Zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë thonë se ata do të verifikojnë të gjitha kontratat e deritanishme dhe do të gjobisin çdo subjekt që nuk ka kryer investimin e duhur, apo që nuk ka marrë në punë aq punonjës sa është parashikuar në kontratë. Siç dihet, për sipërfaqe deri në 200 m², dhënia me qira bëhet nga ndërmarrja, shoqëria dhe institucionet shtetërore, pa konkurrim, ndërsa për sipërfaqe 201-500 m², dhënia me qira bëhet nga organet e varësisë administrative (ministritë e linjës dhe organet e qeverisjes vendore), me konkurrim. Në qytetin e Tiranës tarifat dysheme janë për ndërtesat 300 lekë/m² në muaj brenda unazës së qytetit dhe 200 lekë/m² në muaj jashtë unazës. Në qytete të tjera, tarifat dysheme janë 100-150 lekë/m² në muaj. Ndërtesat e institucioneve me karakter kombëtar të kulturës kanë tarifën dysheme të qirasë 600 lekë/m² në muaj në Tiranë dhe 300 lekë në muaj në qytete të tjera. Tarifa e qirasë së truallit është sa 20% e qirasë së ndërtesave. Dokumentacioni për dhënien me qira përgatitet nga ndërmarrja, shoqëria apo institucioni dhe dërgohet për procedurë në ministrinë e linjës, e cila, pasi e shqyrton dhe e miraton, e përcjell në Ministrinë e Ekonomisë. Kjo e fundit bën shpalljen e konkursit për dhënien me qira të objektit. Aktualisht, Ministria e Ekonomisë ka kontrata për dhënie me qira me një numër mjaft të madh subjektesh të biznesit, të cilat në përgjithësi janë kontrata të nënshkruara prej vitesh. Një pjesë e këtyre kontratave janë shkelur, thonë zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe kontrolli që do të bëhet do të jetë që ai do të verifikojë çdo rast.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›