E Diel, 1 Nëntor 2026

BB: Ja plani për bregdetin jugor

Banka Botërore prezantoi studimin për planin e zhvillimit të bregdetit jugor të Shqipërisë, duke i hapur rrugë kështu fillimit të zhvillimit të kësaj zone. Ky projekt është hartuar si një program për t‘u zbatuar në dy faza përgjatë shtatë viteve dhe ai përcakton të gjitha detajet se si duhet të jetë zhvillimi i bregdetit shqiptar, që nga ndërtimet e deri tek infrastruktura. Ndërtimet e ardhshme në këto zona bregdetare do të bëhen në përputhje me këtë plan. Po kështu, edhe investimet e ndryshme që do të ndërmarrin kompanitë vendase apo të huaja. Krahas rregullimit të urbanistikës për bregdetin jugor, një nga objektivat më të rëndësishëm të projektit të propozuar është mbrojtja e burimeve natyrore të bregdetit dhe vlerave kulturore si dhe nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm dhe menaxhimit të bregdetit shqiptar. Projekti është i përqendruar strategjikisht në zonën jugore, ku burimet dhe resurset turistike janë ende të paprekura, por njëkohësisht të rrezikuara.

Ndërtimet larg bregut

Në bazë të projektit të Bankës Botërore, qeveria ka vendosur që ndërtimet në zonat bregdetare të Jugut do të lejohen vetëm në distancë 100 metra nga bregu. Zhvillimi turistik i zonës nga Llogoraja deri në Ksamil do të bëhet sipas këtij studimi, i cili përcakton zonat ku nuk duhet ndërtuar, dhe orienton investimet në infrastrukturë. Projekti është porositur nga qeveria shqiptare, ndërkohë që ministri i Punëve Publike, Olldashi, paralajmëroi se do të merren masat për prishjen e ndërtimeve pa leje nëse ato bien ndesh me studimin. Pas hartimit të Planit, qeveria është e gatshme të fillojë investimet për zhvillimin e infrastrukturës së kësaj zone, duke përfshirë rrugët dhe furnizimin me ujë. "Bregdeti jugor mbetet kryesisht i pazhvilluar, ndonëse zhvillimi i pakontrolluar në Sarandë e Ksamil, si dhe zhvillimi i rregulluar në mënyrë të pamjaftueshme apo sporadik në Himarë dhe në vende të tjera, ka kompromentuar në nivel vendor vlerën e peizazhit",- u shpreh ministri Olldashi.

Projekti

Kostoja totale e projektit pritet të jetë rreth 66.5 milionë dollarë. Ai është i ndarë në dy faza. Faza e parë do të jetë 38.56 milionë dollarë ndërsa e dyta 27.94 milionë dollarë. Agjencitë zbatuese të Projektit janë: Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, nëpërmjet njësisë së koordinimit të projektit dhe ekipit të zbatimit të Programit të Mbrojtjes dhe Zhvillimit të Fshatrave të Bregdetit; Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, përmes ekipit të zbatimit të komponentit të Porto Romanos; Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, përmes Administrimit të Parkut Kombëtar të Butrintit; dhe bashkitë e komunat në zonën e Planit të Zhvillimit të Bregdetit Jugor (SCDP).

Zbatimi

Faza e parë e projektit shtrihet nga shtatori i 2005-ës deri në gusht të 2009-ës dhe konsiston në Projektin e Menaxhimit të Integruar dhe Pastrimit të Zonës Bregdetare. Ajo synon formulimin dhe zbatimin e politikave që do të mbështesin menaxhimin e integruar të zonës bregdetare dhe pakësimin e degradimit të bregdetit. Kjo fazë gjithashtu do të ndihmojë në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, përmirësimin e kushteve mjedisore, dhe cilësinë e jetës dhe ruajtjen e rigjallërimin e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore në komunitete të caktuara të bregdetit jugor. Së fundi, faza e parë e projektit do të ndihmojë në pakësimin e rreziqeve për shëndetin human në komunitetet që banojnë rreth zonës industriale të ndotur të Porto-Romanos. Faza tjetër e projektit shtrihet nga viti 2009 deri në 2012-ën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›