E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtëpitë afër puseve të naftës do të legalizohen

 

KUÇOVE - Bashkia e Kuçovës i ka përcjellë për legalizim të gjitha ndërtimet në afërsi të puseve të naftës. Në fakt në ligj parashikohet që nuk mund të ketë asnjë legalizim të ndërtimeve të kryera në zonat naftëmbajtëse. Kryebashkiaku Artur Kurti u shpreh se të gjitha këto banesa që janë ndërtuar në afërsi të puseve, pas një studimi të bërë, janë përcjellë për legalizim pranë zyrës së ALUIZNI-t. Sipas tij, ato duhet të legalizohen pasi nuk ishte faji i qytetarëve për zënien e këtyre hapësirave afër zonës naftëmbajtëse, por i shtetit. Ndërtimet pa leje të shtëpive pas viteve ‘90, në afërsi të puseve të naftës në Kuçovë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një rrezik evident për jetën e banorëve. Toka mbi të cilën janë ndërtuar këto shtëpi është pronë e shtetit, por askush nuk ka ndërhyrë për të mos lejuar ndërtimet në një zonë kaq të ndotur e të rrezikshme. Në afërsi të këtyre puseve janë 1500 ndërtime pa leje, kryesisht shtëpi banimi dhe vetëm disa prej tyre janë dyqane apo magazina. Mungesa e një plani urbanistik për qytetin e Kuçovës ka bërë që çdo vit të kryhen ndërtime të pakontrolluara në zonat naftëmbajtëse. Shtëpitë në të shumtën e rasteve janë 3-5 metër larg puseve apo impianteve të tjera të naftës, duke përbërë një rrezik serioz. Si pasojë e mungesës së kontrolleve, në puset e naftës dhe gazit, por edhe neglizhencat e tepruara të sigurisë nga ana e banorëve, në 10 vitet e fundit në këtë zonë janë dëmtuar rëndë, duke luajtur me çikrikët e puseve 24 fëmijë, si dhe dhjetëra persona të tjerë kanë pësuar djegie të rënda në trup si pasojë e rënies së zjarreve në vatrat naftëmbajtëse të këtyre puseve. Rrezikun që paraqesin këto puse në oborret e shtëpive, si dhe ndotjen që shkaktohet në ajër, Kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Artur Kurti, e lidh me faktin se vetë ndërtimi i këtij qyteti në zonën naftëmbajtëse ka treguar se mund të ekzistojë gjatë një bashkëjetesë e tillë mes njerëzve dhe naftës. Në lidhje me ndotjen që shkaktohet në ajër, Kurti shprehet se është mjaft e rëndësishme që teknologjia e shfrytëzimit të naftës të përmirësohet, duke grumbulluar edhe gazrat që çlirohen për t’i përdorur si burim alternativ energjie. Sipas tij, për të minimizuar ndotjen që shkaktohet nga puset e naftës, bashkia ka hartuar një projekt për kthimin e 5 ha të ish-zonës së rafinerisë së naftës në një park të gjelbër.             d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›