Qirjako: Masat të rënda, do ti drejtohemi Apelit
Trajneri e ka edhe me tifozët kolonjarë, ndërsa kapiteni Shupe pohon se ekipi i tij paragjykohet
I menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtuesve të Gramozit, pas dënimeve të dhëna nga komisioni i disiplinës për ndeshjen me Himarën. Kolonjarët duhet të luajnë dy ndeshje pa tifozë, duhet të paguajnë një gjobë të konsiderueshme dhe nuk do të kenë për dy javë në dispozicion Peçin dhe Shupen. Më të shqetësuar nga këto masa patjetër që janë trajnerët Qirjako dhe Hitaj.
Qirjako Trajneri Ilir Qirjako, pasi ka mësuar për dënimet, është shprehur: Më vjen keq që këto dënime vijnë nga sportdashësit tanë, prandaj u bëj thirrje atyre që nuk e duan Gramozin dhe që vijnë në stadium vetëm për të prishur punë me gjestet e tyre, edhe pse janë të paktë, të na lënë të punojmë për të ndërtuar një ekip të denjë.
Megjithatë, duke parë masat e masat e marra nga komisioni i disiplinës, më duken shumë të rënda. Tifozët tanë janë marrë vetëm me lojtarët vendës. Ne do ti drejtohemi komisionit të apelit për të kërkuar të drejtën tonë. Shpresoj që duke parë pamjet filmike dhe veprimet e disa tifozëve, dënimet të lehtësohen sadopak.
Shupe Kapiteni i Gramozit, Hyserjon Shupe, për Sportin shqiptar thekson se dënimet janë absurde dhe janë një paragjykim karshi ekipit të tij. Dënimi im është i padrejtë, sepse gjatë gjithë karrierës sime nuk kam ofenduar apo dhunuar asnjë person. Ndaj Himarës, si kapiten i ekipit, kam kërkuar vetëm drejtësi nga gjygjtarët dhe nuk i kam ofenduar për asnjë moment.
Për këtë dënim të padrejtë do ti drejtohem Apelit dhe do të kërkoj ballafaqim me ata që më kanë akuzuar për veprime të pahijshme. Gjykoj se vendimet e marra nga komisioni disiplinës janë tendencioze. Dënimi për të luajtur dy ndeshje pa tifozë, por edhe i dy futbollistëve më të vjetër, është një goditje që i bëhet qëllimisht Gramozit në momentin më të mirë, tha Shupe.
