Sekseni: Në Gjirokastër luajmë ndeshjen e sezonit
Mbrojtësi i Elbasanit, Ardi Sekseni, thekson se një tjetër humbje në transfertë do ta bënte të pamundur ngjitjen në superligë
Përpara se të luajë në Rizhdi Bizhuta me Mamurrasin, ekipi verdheblu duhet të përballojë transfertën me Luftëtarin, që do të luhet ditën e mërkurë. Lajme të mira vijnë nga infermieria për stafin teknik të Elbasanit, që do ti ketë të gatshëm të gjithë futbollistët për ndeshjen në Gjirokastër. Dalipi, Kuçi dhe Sekseni janë riaftësuar 100 % dhe pritet që ndeshjen e radhës ta nisin nga minuta e parë.
Mbrojtësi me eksperiencë, Ardi Sekseni, pohon se e ka lënë pas dëmtimin dhe është gati ta ndihmojë ekiin e tij për të marrë pikë në fushën e vështirë të Luftëtarit kryesues. Ai thekson se për Elbasanin janë të ndaluara gabimet dhe se është koha për të bërë autokritikë: “Jam i lumtur që po kthehem në formë dhe dua ta ndihmoj Elbasanin.
Mendoj se tani ka ardhur koha që ekipi ynë të tregojë se është i aftë të sfidojë vështirësitë dhe të ngjitet në superiore. Me plotësimin e grupit, kam shumë besim se në Gjirokastër do të marrim pikë. Është një ndeshje shumë e rëndësishme, ku qoftë edhe barazimi na hap rrugën për tu ngjitur në vendet e para. Në rast të kundërt, do ta kemi mjaft të vështirë ta arrijmë objektivin.
Do ta konsideroja ndeshjen më të vështirë deri tani, që do të tregojë se çfarë mund të bëjë Elbasani i këtij sezoni. Ne futbollistëve na del për detyrë të bëjmë gjithçka për të mos humbur. Rezultati pozitiv do të na ngrinte shumë edhe nga ana psikologjike, sepse ekipi ka vuajtur shumë në transfertë deri tani, ka thënë mes të tjerash për Sportin shqiptar mbrojtësi Sekseni.
Ndeshjet jashtë janë pika e dobët e verdhebluve, të cilët kanë arritur vetëm një barazim deri tani dhe tri humbje, treguar këta që nuk i shkojnë aspak për shtat një ekipi si Elbasani, i kuotuar si një nga pretendentët kryesorë për kthimin në superiore.
