E Diel, 1 Nëntor 2026

Qumështi kinez, 140 tonë në Shqipëri. Nis bllokada

Tregu shqiptar është i tejngopur
me qumësht kinez.
Vetëm në tetë muajt
e parë të këtij viti, doganat
shqiptare mësohet se kanë zhdoganuar
plot 129 tonë qumësht
me origjinë nga Kina. Por, përveç
këtij produkti, tregu shqiptar është
furnizuar edhe me nënprodukte
të tjera të qumështit kinez.
Duke iu referuar një letre të
Avokatit të Popullit, sipas informacioneve
që ai kishte marrë nga
drejtori i Doganave, gjatë këtij viti
kanë kaluar kufijtë shqiptarë zyrtarisht
edhe 140 tonë qumësht
koncentrat i njohur me emrin
"Panda". Ky informacion i është
dërguar edhe ministrit të Bujqësisë,
Ushqimit dhe Mbrojtjes së
Konsumatorit, Jemin Gjana, ministres
së Shëndetësisë, Anila
Godo dhe për dijeni edhe Kryeministrit
Sali Berisha.
I vetmi vendim i marrë deri tani
nga organet kompetente është një
urdhër që mban datën e dy ditëve
më parë i ministrit të Bujqësisë
dhe Ushqimit, Jemin Gjana, sipas
të cilit do të bllokohet importi i
mëtejshëm i qumështit kinez në
vend. Gjithashtu, në këtë urdhër
është përcaktuar edhe kryerja e
analizave të qumështit kinez dhe
nënprodukteve të tij në ndonjë
nga laboratorët e specializuar të
vendeve të Bashkimit Evropian.
Në rast se këto produkte do të rezultojnë
me përmbajtje të lartë të
melaminës atëherë ato jo vetëm
që do të zhduken nga tregu, por
edhe do të asgjësohen. Por deri
atëherë, qumështi kinez dhe mallrat
e tjera që kanë në përbërjen e
tyre më shumë se 15 për qind të tij
do të vazhdojnë të mbeten një rrezik
prezent për të gjithë konsumatorët
shqiptarë. Kjo nisur edhe nga
fakti se jo shumë konsumatorë i
drejtohen leximit të vëmendshëm
të etiketave ushqimore përpara
blerjes së produkteve.
Përfaqësues të Ministrisë së
Bujqësisë kanë bërë publik dje
faktin se kanë ndaluar një sasi të
konsiderueshme të qumështit kinez
në magazinat e Portit të Durrësit.
Ndërsa kompania furnizuese
e këtij produkti nuk bëhet publike
nga ana e zyrtarëve të
MBUMK-së.
Qumështi kinez dhe nënproduktet
e tij janë vendosur në
krye të "listave të zeza" të thuajse
të gjitha vendeve në botë. Kjo për
shkak të vdekjes së disa fëmijëve
kinezë dhe problemeve shëndetësore
që iu shkaktuan me mijëra
të tjerëve nga konsumimi i
qumështit me përmbajtje të lartë
melamine. Ky është një kimikat
industrial që shkakton dëmtime
serioze të veshkave të njeriut
duke e çuar madje drejt vdekjes.
Sipas ekspertëve, kimikati industrial
shtohej në qumështin pluhur
të foshnjave që ky të kishte një
nivel më të lartë proteine. Vendet
e Bashkimit Evropian kanë ndaluar
plotësisht importin e qumështit
nga Kina, si dhe kanë tërhequr
nga dyqanet të gjitha produktet
e tij, duke i asgjësuar ato.

PS: Qeveria nuk garanton dot as cilësinë, as sigurinë e produkteve ushqimore

Qeveria ‘Berisha‘ nuk garanton dot standarde
minimale në sigurinë e prodhimeve
ushqimore që hidhen sot në tregun
shqiptar. Prezantimi i disa standardeve
minimale në sigurinë ushqimore bëhet
urgjente, sidomos në industrinë e mishit dhe atë
të bulmetit, sipas raportit të Bankës Botërore, mbi
gjendjen e bujqësisë shqiptare". Ka qenë ky reagimi
i djeshëm i përfaqësuesve të Partisë Socialiste,
lidhur me situatën e krijuar nga prezenca në
treg e qumështit kinez dhe nënprodukteve të tij.
Sipas përfaqësuesve të partisë më të madhe
opozitare, rreziqet për shëndetin publik nga siguria
ushqimore janë veçanërisht të larta, sepse
qeveria Berisha nuk vendos rregull në tregun e
produkteve ushqimore. Ata kanë theksuar se
"pasojat e funksionimit të mangët të strukturave
shtetërore kanë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen
sigurisë ushqimore, dhe njëkohësisht shkatërrojnë
shanset e ekonomisë rurale për të
qenë konkurruese në treg. Mungesa e zbatimit
të standardeve në sigurinë ushqimore sjell rrezik
infeksioni dhe kaos në sektorin e këtyre prodhimeve".

Dobjani: Njoftova me telefon Gjanën dhe Godon që më 26 shtator

Avokati i Popullit, Ermir
Dobjani, ka njoftuar me
urgjencë, që më 26 shtator
ministrin e Bujqësisë,
Jemin Gjana dhe ministren e
Shëndetësisë, Anila Godo, për një
sasi prej 140 tonë qumësht të koncentruar
kinez, të njohur me emrin
"Panda", që është zhdoganuar
gjatë këtij viti në Shqipëri. Dobjani
ka kërkuar kontrollin e tregut,
si dhe analizat e këtij produkti,
duke i telefonuar me shpejtësi dy
ministrave, që duhet të kujdesen
për sigurinë ushqimore dhe shëndetin
e qytetarëve, por duket se
ky "nuk ka qenë momenti i përshtatshëm
për ta". Urdhri për ndalimin
e importit të këtyre produkteve,
që rrezikojnë një përmbajtje
të lartë melanine, erdhi vetëm dy
ditë më parë nga ministri i Bujqësisë.
"Siç jeni në dijeni, kohët e
fundit tregjet evropiane janë
vënë në alarm prej ushqimeve
me origjinë kineze, pasi mjaft
produkte të tilla janë konstatuar
me substanca sintetike dhe
kimike, të dëmshme për shëndetin.
Në mjaft vende të Bashkimit
Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara
të Amerikës, ka nisur
mbledhja dhe groposja masive e
këtyre produkteve, duke vendosur
dhe embargon për artikuj
dhe produkte me origjinë kineze".
Kështu i shkruan Ermir
Dobjani dy ministrave, Gjana
dhe Godo, madje dhe vetë
Kryeministrit Berisha. Ky mall, që
tashmë ndodhet i shpërndarë në
të gjitha tregjet e vendit tonë, sipas
Avokatit të Popullit, duhet që
t‘i nënshtrohet menjëherë kontrollit
dhe analizave për të vërejtur
nëse ka substanca të dëmshme
për shëndetin ose jo. "Drejtori
i Përgjithshëm i Doganave,
Përparim Dervishi, zyrtarisht informoi
Avokatin e Popullit, se për
vitin 2008 nga Kina në Shqipëri,
nuk kishte hyrë qumësht pluhur,
por ka hyrë rreth 140 tonë
qumësht koncentrat, i njohur me
emrin "Panda", shkruan Dobjani
në këtë letër.
Ai informon gjithashtu, se,
"pas këtij informacioni dhe
shqetësimi të përbashkët, po më
datë 26.09.2008, Avokati i Popullit
me telefon ju rekomandoi Juve
personalisht, z. ministër i Bujqësisë,
Ushqimit dhe Mbrojtjes së
Konsumatorit dhe zj. Ministre e
Shëndetësisë, që të procedoni
për të analizuar produktin,
qumësht koncentrat i emërtuar
"Panda".
Nga institucioni i Avokatit të
Popullit, ai ka kërkuar që "të ushtrohet
kontroll në të gjitha tregjet
shqiptare për produkte me
origjinë nga Kina, si dhe në veçanti
të kryhen analizat për produktin
e qumështit koncentrat "Panda",
prezent në të gjitha tregjet tona.
Pikërisht një mostër të këtij
produkti të blerë në tregun e lirë,
Dobjani ia ka nisur me urgjencë
ministrit Gjana për analiza.
Ndërkohë që, Dobjani nuk ka
munguar që t‘i vendosë edhe
afate strukturave kontrolluese të
Ministrisë së Bujqësisë. "Për rezultatet
e analizave dhe masat në
tërësi që do ndërmerrni për këtë
çështje, të na njoftoni brenda 10
ditëve", thekson ai në këtë letër
institucionale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›