Qytetarët denoncojnë ndotjen: Plehrat në park, të vendosen gjoba
Tiranë- Ky është një nga parqet më të reja dhe më të mëdha në Tiranë, ndërtuar tek “ish Fusha e Aviacionit” në Laprakë. Pista e shtruar me beton ka edhe shumë mjedise të gjelberta, të mbjella me bar dhe pemë. Ky park është shndërruar në shëtitoren më të madhe në kryeqytet me një gjatësi prej 1 kilometër. Përgjatë parkut janë vendosur edhe kosha për hedhjen e mbeturinave, në mënyre që njerëzit të mos i hedhin ato në bar apo mjediet e tjera publike. Por çfarë ndodh?
Banorët e kësaj lagjeje ankohen se qytetarët që e frekuentojnë shëtiroren, pak ose aspak e respektojnë mjedisin. Ata nuk i hedhin në kosh mbeturinat, si bidonat e ujit që pijnë, qëset e patatinave e ambalazhe të tjera që përdorin fëmijët apo të rriturit. Dhe siç tregohet edhe në këto foto, i hedhin në bar e mes pemëve.
Ndërsa kosha përdoren për tjetër qëllim. Banorët e pallateve të kësaj zone, ndërsa dalin në mëngjes nga shtëpitë, nuk shkojnë ti hedhin mbeturinat tek kazanët, por i hedhin tek koshat e vendosur në park. Por jo vetëm banorët. Edhe pronarët e lokaleve praën tyre, shkarkojnë në koshat e parkut mbeturinat e lokalit, duke krijuar një situatë shumë të rëndë mjedisore.
Banorët i janë drejtuar gazetës IDEA për ndihmë, permes rubrikës “denonco”, në info@gazetaidea.com, për ta denoncuar këtë problem pranë Bashkisë së Tiranës. Ata kërkojnë ndëshkimin me gjobë të qytetarëve dhe pronarëve të lokaleve që hedhin mbeturinat tek koshat e parkut.
Shkrime të tjera me interes: