Qytetarët dhurojnë pemë për gjelbërimin e Tiranës
Nisma "Një qytetar, një pemë" vazhdon të rrisë hapësirat e gjelbra jo vetëm nëpër rrugët kryesore por edhe në blloqe banimi. Jo vetëm biznese, por edhe familjet e kryeqytetit po kontribuojnë me pemë për të ndikuar sadopak në rritjen e cilësisë së ajrit. Për këtë sezon, mbjellja ka kapur shifër të paparashikuar. "Jemi në kufirin e 8 mijë pemëve dhe ky është një lajm i shkëlqyer.
Kjo përmase e gjelbër dhe kaq shumë e merituar është për një qytet që me shpejtësi po merr formën që në të gjithë kërkojmë për një Tiranë Europiane", u shpreh kryebashkiaku Rama. Blloku i parafabrikateve tek Tirana e Re, rruga "Kristaq Mema", blloku "1 Maji", rruga "Sulë Gjashta" dhe "Milan Shuflaj", janë mbjellë me pemë falë, nismës "Një Qytetar, Një Pemë". Kjo nismë, sipas Ramës do të përhapet shumë shpejt në të gjitha qytetet e Shqipërisë.