“Unë, i vendosur për numërimin e çdo vote”

Lulzim Basha ripërsërit angazhimin e tij për kryeqytetin
Kandidati i “Aleancës për Qytetarin” për kryetar të Bashkisë në Tiranë, Lulzim Basha deklaroi dje se, i ka kërkuar KQZ-së në cilësinë e KZAZ-së për Tiranën, që të numërojë çdo votë të vendosur aksidentalisht në kutitë e tjera për funksionet e tjera, duke shprehur vendosmërinë e tij që çdo votë të numërohet dhe çdo zë qytetari të dëgjohet. “Unë pres i qetë dhe me durim rezultatin dhe certifikimin përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por, unë jam më i vendosur se kurrë, që çdo votë të numërohet dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohet. Çdo rezultat që nuk lejon zërat e të gjithë qytetarëve të dëgjohen nuk është një përshkrim i saktë i vullnetit të zgjedhësve në një demokraci. Sot, pak më herët Edi Rama pretendoi se numërimi i votave ka përfunduar, e ndërsa ai mund të urojë që kjo të jetë e vërtetë, jo çdo votë është numëruar, dhe ende nuk është dëgjuar zëri i çdo qytetari që ka votuar. Sot, unë i kam kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në cilësinë e tij si Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor për Tiranën, që të numëroje votat e vendosura aksidentalisht në kutitë për funksionet e tjera. Këto, janë vota plotësisht të vlefshme të këtyre zgjedhjeve, dhe askush nuk ka të drejtë tua mohoje vullnetin këtyre qytetarëve që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar”, u shpreh kandidati i mazhorancës për kryebashkiak të Tiranës. Më pas Basha akuzoi kreun e PS-së se po bën presion mbi këtë institucion. Lulzim Basha u shpreh se disa bashkëpunëtorë të Edi Ramës po mundohen të bllokojnë aktualisht me një përpjekje të dëshpëruar procesin e numërimit të çdo vote të hedhur nga qytetarët. “Ky është procesi që disa bashkëpunëtorë të Edi Ramës kanë bllokuar tani në një perpjekje të dëshpëruar. Uroj që Edi Rama nuk po përpiqet të ndalojë numërimin e çdo vote dhe të mbysë zërin e qytetarëve. Uroj po kështu që qetësia dhe durimi të mbizotërojnë dhe ti rikthehemi punës për të përmbyllur një proces që të gjithë duam të përfundojë. Në fund, kjo nuk ka të bëjë as me mua, as me Edi Ramën, por me faktin nëse zëri i çdo qytetari do të dëgjohet dhe çdo votë do të numërohet, sepse ky është thelbi i demokracisë. Unë i kërkoj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në cilësinë e tij si Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor për Tiranën, të numëroje çdo votë që aktualisht nuk është numëruar dhe ta bëjë këtë në mënyre objektive, të ndershme, transparente dhe apolitike”, theksoi Basha.. Në përfundim, Lulzim Basha ripërsëriti vendosmërinë e tij, që ky proces të vazhdojë të jetë i ndershëm, i lirë, transparent dhe i saktë. “Çdo përpjekje për ti bërë presion apo për të kërcënuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, gjatë këtij procesi, është një përpjekje për të shtrembëruar procesin demokratik. Unë jam i vendosur të bëj gjithçka që ky proces të vazhdojë të jetë i ndershëm, i lirë, transparent dhe i saktë”, përfundoi Basha.
...