E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetarët indiferentë ndaj zgjedhjeve

Tranzicioni i gjatë në të cilin po kalon vendi dhe klasa politike tejet problematike ka distancuar qytetarët nga kutitë e votimit. Më shumë se 50% e shqiptarëve që figurojnë në listat e votimit nuk preferojnë të votojnë.

Analiza e shifrave të pjesëmarrjes në zgjedhje që prej procesit të vitit 2001 tregon se shqiptarët po kthehen në indiferentë të vazhdueshëm.

Sfida e parlamentareve të vitit 2009 mund të tentojë thyerjen e akujve dhe tërheqjen e elektoratit “gri” drejt procesit të votimit. Sipas të dhënave që disponohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, rezulton se pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 ka qenë në masën 58.40%.

Në këto zgjedhje rezultoi fituese e majta që kryesohej nga Partia Socialiste. Dy vite më vonë do të mbaheshin zgjedhjet për pushtetin lokal të vitit 2003.

Rezulton që në këto zgjedhje të kenë qenë në lista në total 2703608 zgjedhës, nga të cilët morën pjesë në procesin e votimit në total 52% e tyre.

Pjesa tjetër preferoi të mos ju drejtohej kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tyre. Edhe në këto zgjedhje do të dilte fituese Partia Socialiste dhe koalicioni i saj që kishte edhe qeverisjen qendrore.

Në 3 korrik të vitit 2005, në listat e zgjedhësve ishin të regjistruar 2850821 zgjedhës. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votim ishte në masën 49.23%.

Nga totali, 1367347 vota ishin të vlefshme në përfundim të votimit në rang vendi. Nga analiza e shifrave të këtyre zgjedhjeve rezultoi fituese Partia Demokratike dhe aleatët e saj.

Ata rimorën pushtetin pasi ishin larguar në vitin 1997, pas situatës së krijuar në vend. Në muajin shkurt të vitit 2007 u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin lokal.

Tabela e rezultateve, publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numëron 2929293 zgjedhës në listat e votimit. Sipas rezultateve, kanë marrë pjesë në procesin e votimit 46.37% të të regjistruarve në lista.

Përkthyer ndryshe kjo përqindje do ishte 1358186 zgjedhës. Pas votimeve për pushtetin vendor janë zhvilluar në total tre procese zgjedhore të pjesshme.

30 mijë zgjedhësit e zonës 26 të Shijakut u drejtuan në votime në mars të vitit 2007, pas heqjes dorë nga mandati të Sokol Olldashit që garoi për Bashkinë e Tiranës. Pjesëmarrja në këto votime ishte në masën 36.8%, një masë tejet e vogël, por që erdhi edhe si pasojë e tërheqjes së opozitës nga procesi në orët e paradites.

Mandatin e deputetit e mori kandidati i Partisë Demokratike, Osman Metalla. Në muajin qershor të vitit të shkuar u mbajtën zgjedhje në zonën 86 të Pogradecit, pas ndarjes nga jeta të deputetit Besnik Jacelli.

Sipas të dhënave zyrtare, pjesëmarrja në zgjedhje shkoi në masën 53.74% dhe fitues doli kandidati i demokratëve, Eris Hoxha. Në shtator të vitit 2007, deputeti Bamir Topi kishte hequr dorë nga mandati për t’u bërë President, ndaj u zhvilluan zgjedhje.

Aty u shënua niveli më i ulët i pjesëmarrjes prej 30%, duke treguar një rekord gjatë viteve të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›