E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetarët kontratë të re me CEZ Shpërndarje

Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit, Besjan Pesha, deklaroi sot, se drafti për kontratën e re të energjisë elektrike mes konsumatorëve dhe CEZ Shpërndarje është hartuar nga Enti Rregullator i Energjisë dhe po diskutohet me të gjitha grupet e interesit.

Kontrata e re, tha Pesha, do t’i japë fund njëherë e mirë marrëdhënies problematike që konsumatorët shqiptarë kanë pasur me CEZ Shpërndarje dhe do të vendosë një marrëdhënie të drejtë tregtare për energjinë elektrike.

“Për herë të parë ne do të fusim konceptin e mbrojtjes së konsumatorit, do të fusim detaje të marrëdhënies tregtare për shkëmbimin e energjisë elektrike, ashtu siç po kërkojmë si Komision i Mbrojtjes së Konsumatorit që të ketë një nen që parashikon dëmshpërblimin e qytetarit në rastin e dëmtimit të tyre si rrjedhojë e shërbimit të keq apo shërbimit të cunguar që mund të vijë me energji elektrike. Po ashtu, do të parashikohen edhe masa që mund të merren në rast se qytetari dëmton kompaninë apo rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike”, theksoi Pesha.

Ai shtoi se shumë shpejt do të ketë edhe një kontratë të re për furnizimin me ujë të pijshëm, për të mbyllur kështu ciklin problematik të furnizimit me ujë të pijshëm dhe me energji elektrike për të gjithë qytetarët shqiptarë. Ai shtoi se kontrata e re për energjinë do të jetë miratuar brenda muajit shkurt. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-01-06 14:44
  [ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›