E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetarët u gënjyen për kompensimin

“Mjaft!”

Gati 5 muaj që nga çasti kur duhet të kishte hyrë në fuqi kompensimi i çmimit të energjisë elektrike, lëvizja “Mjaft!” vëren me shqetësim se qeveria shqiptare nuk ka lëshuar asnjë qindarkë për shtresat në nevojë, duke shkelur kështu detyrimin e saj ndaj qytetarëve. “Pavarësisht premtimit fillestar se do të vinte 2 miliardë lekë në dispozicion të qytetarëve në nivelin jetik të varfërisë, nisur edhe nga rritja mesatare prej 13 për qind e çmimit të energjisë elektrike, shifrat zyrtare tregojnë se ky fond është llogaritur vetëm në gjysmën e parashikuar dhe për më tepër që nga fillimi i këtij viti, as kjo shumë nuk është çelur”, thuhet në njoftimin e djeshëm. Lëvizja “Mjaft!” thekson se është detyrë e qeverisë që të garantojë mbrojtje sociale për pensionistët, të papunët, familjet në vështirësi ekstreme dhe të gjitha shtresat në nevojë. “Kryeministri të përmbushë premtimin që ka dhënë për kompensimin e energjisë elektrike. Pensionistët shqiptarë janë tërësisht të pambrojtur nga rritja e çmimit, kur edhe ajo tarifë minimale e përcaktuar për kompensim ka 5 muaj që nuk shpërndahet. Kjo është një situatë që na bën të gjithëve të ndihemi shumë të ofenduar”, tha Katjusha Kadhaj, pensioniste.

Në rang vendi numërohen rreth 144 mijë të papunë të regjistruar, pa llogaritur të paregjistruarit. Në vendimin e saj, qeveria e rriti masën e kompensimit me 140 lekë, duke e bërë 640 lekë për familje, që në total janë rreth 270 mijë (shifrat e 2008-s).

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›