E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rehagel: “Turp të ktheheshim pa pikë”



Greqia arriti fitoren e parë në historinë e saj në Kampionatin Botëror, duke mundur 2-1 Nigerinë, që nga ana saj edhe pse shënoi e para, e mbylli ndeshjen me dhjetë lojtarë. Greqia u hakmor edhe për atë humbje 2-0 me Nigerinë në Botërorin e vitit 1994. Trajneri i Greqisë, Oto Rehagel, deklaroi pas fitores historike me Nigerinë: “Do të ishte turp të ktheheshim në shtëpi pa marrë asnjë pikë. Ne u treguam të aftë të ngriheshim dhe të merrnim lojën nën kontroll. Ne jemi një ekip i mirë dhe unë u përpoqa të bëja më të mirën time. Ne e merituam fitoren pasi ne punuam me të vërtetë fort. Nigeria është një ekip afrikan me shumë fuqi, ndërsa shpenzuam veten deri në limite”. Për formacionin helen shpresat matetimatikore për t’u kualifikuar janë ende të gjalla, por në ndeshjen e fundit skuadra e drejtuar nga Oto Rehagel do të përballet me Argjentinën, që nga ana e saj ka gjashtë pikë të plota. Uçe i Nigerisë shënoi në minutën e 16-të pas një gjuajtje të lirë nga një distancë e largët, ndërkohë që Kaita në minutën e 33-të Kaita u ndëshkua me karton të kuq për një veprim të panevojshëm. Me superioritetin numerik në fushë, Greqia sulmoi fort, dhe pas dy rasteve të humbura gjeti golin me anë të Dimitrios Salpingidhisit në minutën e 44-t, njëherësh edhe goli i parë i helenëve në një kampionat botëror.
Vasilios Torosidis me golin e tij në minutën e 71-të i garantoi fitoren historike Greqisë, e para pas pesë ndeshjeve të luajtura në Kupën e Botës, përfshirë dhe ato në Botërorin “SHBA 1994”, ku i humbi të tri ndeshjet, një prej tyre me Nigerinë (2-0). Pas fitores Argjentinës me Korenë e Jugut dhe Greqisë me Nigerinë, renditja në grupin B është kjo: Argjentina (2 ndeshje/6 pikë), Koreja e Jugut (2/3), Greqia (2/3) dhe Nigeria (2/0). Ndeshja e Koresë së Jugut me Nigerinë do të vendosë dhe fatin e vendit të dytë, por nigerianët janë me një këmbë jashtë Botërorit.

Sotir Nini

Trajneri i Greqisë, Oto Rehagel, hodhi në fushë në minutën e 79-të edhe shqiptarin e natyralizuar si grek, Sotir Nini, në vend të fantazistit veteran Theofanis Gekas.

Gjelat francezë kthehen në shtëpi

Meksika i dha një leksion të pamëshirshëm Francës, me një fitore 2-0 ndaj “gjelave” të Rajmond Domenekut, që janë më pranë se kurrë përgatitjeve të valixheve për t’u kthyer para kohe në shtëpi. Nëse Meksika dhe Uruguai do të barazojnë midis tyre ndeshjen e fundit, atëherë edhe Afrika e Jugut do të jenë midis të larguarve të kompeticionit. Pas një pjesë të parë pa gola, Hernandez shënoi për Mekiskën në minutën e 64-t, ndërkohë që pas një faulli në zonë të francezit Abidal, meksikanët dyfishuan nga pika e bardhë me anë të Blankos. Pas ndeshjeve të dyta renditja në grupin A është kjo: Uruguai (3 pikë), Meksika (3), Franca (1) dhe Afrika e Jugut (1).

Kapelo, në fund të muajit të mjaltit?!

Pas një muaj mjalti shumë të gjatë me Anglinë, Fabio Kapelo ka filluar të ndjejë një lloj presioni, të cilën ai e ka pasur kur ka drejtuar Realin e Madridit dhe Milanin. Kapelo do të shkojë në ndeshjen kundër Algjerisë duke qenë për herë të parë para një votimi serioz përballë popullit anglez, qysh kur morri në ngarkim “tre luanët” 30 muaj më parë. “A keni bërë ndonjë gabim në ndeshjen e parë”, u pyet Kapelo në lidhje me barazimin 1-1 kundër Shteteve të Bashkuara. Një pyetje që dukej absurde një muaj më parë, pasi Kapelo ia doli të çojë Anglinë në Botëror, kur paraardhësi i tij, Stiv Meklaren kishte dështuar ta çonte Anglinë në Euro 2008-n. “Të gjithë trajnerët mund të bëjnë gabime”, u përgjigj Kapelo, por italiani nuk pranoi se ndaj amerikanëve.
“Ndoshta pas kësaj ndeshjeje kishte pak negativitet dhe pak pakënaqësi pas barazimit”.

18 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›