E Diel, 1 Nëntor 2026

Universi pa peshë



Luljeta DANO

ABRACADABRA
ABRACADABR
ABRACADAB
ABRACADA
ABRACAD
ABRACA
ABRAC
ABRA
ABR
AB
A

Kujtimet e Nënës! Ia dhuroj këtë skicë shkrimtarit Zija Çela, lindur në të njëjtin 25 mars dhe në të njëjtin vit me nënën time.

Tri motra panë një ëndërr në shekullin e dymbëdhjetë.
U kërkua më i miri deshifrues në radhët e Kryqëzatës, por motra e madhe zgjodhi një rilindës vinjetash, që pakkush e njihte dhe për të tillë.
- Dil!
Populli dhe ushtria, me besimin e verbër se ajo dinte ç’bënte kurdohera, nuk u çudit kur pëshpërima mori dhenë se kryqtari Horatius njihte fallin fatal e njëmijë e pesëqind vjet para Krishtit. Njeriu që ia la trashëgim sekretet, Zoti e di pse ndërroi mendje kur qe buzë varrit për t’ia mësuar atë fall, dija e të cilit sillte çmenduri.
Kalorësi Horatius ndenji katër net pa fjetur e shtatë ditë pa ngrënë, derisa zbërtheu ëndrrën e motrave fije më fije. Motrat vendosën të ngrinin një manastir mbi tre shkëmbinj në majë të malit. Për Shëmrinë e gushtit besimtarët do të ngjiteshin aty gjunjazi që nga portat e gurta brinjas ishullit.
E madhja, Teodora në Kostandinopolis, e dinte më së miri nga arkivat si kishte vajtur gjaku gjer në gju të kalit që të ndaje helenët nga perënditë e Olimpit, për të marrë besimin unit, ndaj nxori ligjin se kush ngre kisha e manastire si ajo, nuk paguan taksa.
Todhora gëzonte miqësinë popullore dhe thirrej:
Pushtetmbajtësja!
Qe e bindur se prejardhja e mbretërimit të babait të saj nuk qe pushtet tokësor, por ishin nga ato dy-tri familje të lashta që u kishte ardhur fuqia e spektrit nga Qielli, të gjithë e dinin se Pushtetmbajtësja në Kostandinopolis mund t’ua ndante kurorën edhe lypsarëve në këmbëzat e urave që historia të bëhej më e vërtetë nga ç’duhej, ndaj nuk ia prishi kush kur zgjodhi perandor harabelin, përkohësisht, gjersa të gjente një tjetër. Sapo Kostandini, burri i motrës së mesme, Zicës, doli nga burgu me ndihmën e ca të huajve, Zica e solli në mbretërinë e së motrës, por Kostandini u kthye si sovrani i ri. Harabeli zbriti nga froni.
Teksa ushtari i ri kumtonte para gjindjes, Teodorës iu bë se, prej atij zëri, çelnin karafila mbi lëkurën e saj. Në zë njohu burrin e një ligji mijëravjeçar japonez, që shënon shtatëdhjetë e tetë tinguj mistikë të Kozmosit dhe na kanë dhuruar të gjallën mbi Tokë, ku:
Zëri i burrit që dashuron është Syri i Universit!
Grekët thonë:
Dashuria është më e fortë se Vdekja, por E Përditshmja është më e fortë se Dashuria!
Teodora kryqëzoi lutjen në ajër dhe e preu në ballin e saj, në lukth dhe gjoks:
Ai do të bëhet E Përditshmja ime!
Dhe ai u bë e përditshmja e saj për shumë vite pa ndalim.
Kryqtari Horatius bëri kryqin sa vuri këmbën në anijen e udhëheqësve:
AB, BEN & RUACH ACADOSH.
Qe ndarë me kalin e tij. Gjithmonë pat dëshiruar një Mustang flokëgjatë si djemtë e mbretërve. Do të mbyllej pas murit të faltores në “navarqidha to kanari”, në anijen “kokse” të flotës luftarake, ku rri shenjti mbrojtës, perandori, thesari, hartat, për t’i paraprirë kumteve të luftës me kuptimet e ëndrrave të Kostandinit. Qëkuri, që nga zbërthimi i ëndrrës së tri motrave në të dalë të shekullit të dymbëdhjetë, kryqtari Horatius bënte në ushtri detyrën e fatthënësit. Për të zbuluar të fshehtat e leximit, nguluej mbi dysheme ditënatë te kriptet, duke vështruar figurat e hapjes së Arkanës së Madhe, gjersa ndjente komunikimin, duke u përpjekur të shkallëzonte rëndësinë e të ndodhurave që po vinin në Rruga Mbretërore. Kryqtari Horatius ua përkthente përherë, ndërsa talluej me familjen për hesap të tij Mbreti i Rrugës. Perandori Kostandin qe në ankth, ç’sillte për të kësaj here vija e Mbretit të Rrugës.
Zhurmat e bashkëvuajtësve të Kostandinit nga koha e burgut e shpërqendronin. Qëmoti, kur u lypi ndihmë, Kostandini u pat premtuar këtyre albërlinjve kimeras se, po të bëhej mbret, ata mund të kërkonin prej tij çfarë të donin. Tani e gjithë ditën po mbante premtimet.
Albërit u binin fyejve dhe këndonin me të kthyer. I tejkalonin vonueshëm tingujt duke zvarritur fjalët me dialektin e tyre dhe i jepnin bukuri të madhe fjalëve me gërmën r. Ishte një këngë trimash me nomotì gryke.
Thoshin se, kur qenë me prijësin e tyre Marko, qenë me erë!
Fjalë të vogla pëshpërinin dukuritë natyrore dhe njëherazi bënin tërë historinë e njerëzimit! Shiu, breshëri, era dhe bora! Andej nga vinte ai, dukuritë natyrore renditeshin ndryshe. Era ishte më e buta. Pastaj shiu. Breshëri. Dhe e fundit - dëbora, më e rënda!
Duke hyrë e duke dalë nga ishujt përmes erërave vdekjeprurëse, që shkulnin rrasat e gurit të çative dhe ngrinin pemët nga rrënjët, sa e linin veshët ditë me radhë, ku s’shihje një shpezë fluturuese, por zogj këmbësorë strukur në kaçorret e gurit, kuptoi pse këta albër e llogarisnin erën - kufitare përmidis dy jetëve dhe pse nga kënga e tyre të lëviznin plaçkat e barkut, kur dëgjoje të përsërisnin varg e vistër:
Jam me Markon, jam me erë!
Ai s’qe gjëkundi me parashikimet. I mungonte heshtja e thellë dhe vetmia. Kostandini qe i mendimit se ky fallxhor nuk bënte më dhe duhej kërkuar për tjetër.
Albërit haheshin si qeni me macen me gjitonët grekë pa u lënë radhë për asgjë, as për princat e Luftës së Trojës, as për Pirro Burrin. Trupat e lestrigonëve i kishin parë vetë me sy në shpellat e tyre të pakalbëzuar, me masë katallanësh që këmbët u arrijnë në supet e njeriut të sotëm.
- Gjuha juaj është bërë nga fjalët e ndyra të gjuhës sonë! Dhè i hedhur është!
Nëpër ishuj e në gjithë sterènë ndërtohej me shpejtësi, që nga koha kur Teodora shtypi ligjin kush se ngre kisha e manastire si ajo, nuk paguan taksa.
Burgaxhinjtë e Kostandinit ia kishin shtruar me përmallime vegjëlie:
- Fjala e nënës ishte ligj! Kishim më shumë frikë nga nëna se nga babai!
- Mëmën time e mbaj mend vetëm me djersën lerë në lug të kurrizit, teksa zbriste nga mali. Kishte bërë dru në pyll, i shkarkonte dhe fillonte t’i çante me sëpatë.
Kryqtari Horatius, rilindës vinjetash, e kishte provuar si shfaqej vinjeta në kartë, nga dora në letër, pa kaluar nga mendja e tij. Punë e Zotit! Vargjet, muzika dhe shkrimi zbulonin bukurinë e asaj që kishte shkruar, po si t’ua shpjegonte të tjerëve se nuk ishte ai autori i vërtetë, ai kishte huajtur vetëm dorën e tij. Kryqtari Horatius prehej me sytë nga Ati qiellor. Para Teodorës i kishte shije gëzimi në zemër edhe për çikërrimat. Pastaj, qyshkur ajo e gaboi duke e futur Në Universin Pa Peshë, nuk gëzonte më as për të mëdhatë. Gratë e tjera ia bënin Tokën me peshën reale dhe ai ndjehej më burrë. Trupi dhe zëri i mblidheshin siç duhet në kërthizën e tij. Cila nga të dyja nuk qe dashuria. Ose ajo e Teodorës:
Pushtetmbajtëses Në Universin Pa Peshë.
Ose ajo e grave të tjera të botës, gra zotëruese me moshën e fitimtareve të maratonave që kullonin qëndresë duke e ngrohur me tokësì, por që s’e çonin asgjëkundi. Shtrirë në dyshemenë prej druri viskoz të irokos, nisi të shkruate trekëndorin e ABRACADABRA-s, që t’i jepte forcën e shërimit, por nuk arriti të mbaronte dy radhorët e majës dhe u vidhis ndër ethe.
Kur sëmurej dimrave, nëna e gdhinte bri tij, zhvishej në fill të këmishës, e përfyste kur e mbysnin ethet:
Ta merr nëna jote sëmundjen ty!
Në dimër nënokja i çante shalqinj, shegë, limonj. Nënën nuk e kishte parë kurrë të fjetur, pa fjalë ajo u rrëfente punën dhe dashurinë, fëmijët dhe babai ndiqnin rregullin e saj për detyrat e secilit në familje.
Fqinjët vazhdonin të gërriceshin kësaj radhe për priftërinjtë:
- Ne kemi vetëm një shenjtor, atë që ktheu Biblën në latinisht. Kemi vetëm një, se i kemi priftërinjtë e mirë! Ju keni pak priftërinj të mirë dhe ata pak i bëni direkt shenjtorë, andaj keni shenjtër sa të hajë dreqi!
Liria e tij, gjatë udhëtimeve ndën yjtë e zinj, shpesh i jepte një gëzim çmendurak, por nuk zgjaste më shumë sa përçapja e një goje bar të kalit. Ishte vetëgjykuar si të dënuarit e lashtë:
Me liri të përjetshme!
Ydhrat në trupin e tij rrëfeheshin në çajrat e hidhur dhe ushqimet që pranonte tashmë, hante qitro të gjalla me gjithë lëkurën e leshtë për të hequr veleritjen nga jeta. Kishte shkelur në aq sacrum - e të shpirtit, të bishtit, të mjekrës, të anijeve, të vakëfeve, të qitapëve me dije të moçme lidhur me lëkurë dhie të zezë, sa nuk donte më të shihte fretër e dhespotë, as nudo brigjeve të ujërave kallkan, as gra që zhvishnin e vishnin fustanë 100 kilo derdhur në shajak e metal, apo të rrihte dijet me të paktët që ndërmerrnin udhën e ngjitjes shpirtërore.
Vuante sindromën e Kryqtarit. Te çdo gjë e gjallë zgjatej ai vetë. Si Pushtetmbajtësja, Teodora, edhe ai qe bërë pjesë e një dashurie të përgjithshme, mëshiruese, që e çonte Në Universin Pa Peshë, njësoj sikur është në dashuri me perandoren, në krahët ku ai hynte në shtegun që të nxjerr në Gjithësì. Pika e vogël me jetë dhe gjithçkaja e zjarrtë, e ftohtë dhe inorganike.
AB, BEN & RUACH ACADOSH!
Bën kryqin orë-e-ças:
Në emër të Atit me Birin e me Shpirtin e Shenjtë!
Ngërçet ndjesore i janë bërë më të buta dhe dobësia e zemrës i është përmirësuar.
Tashmë kryqtari Horatius ka shuar një nga një të gjitha identitetet vetjake. Këtu falte një shall, aty i dhuronin një kapuç. Përpushej nga dashuria për fëmijët e varfër hajdutë, të cilëve u kapte duart në xhepat e tij dhe s’çante më kokë për jetën e shokëve të armëve që shuheshin në det, sikur të ishte e vetja. Ka siguruar kështu hyrjen e lirë Në Universin Pa Peshë, pa praninë më të Teodorës. Njeriu e nxori dhembjen prej trupit, qyshse hapi portat dhe e bëri autokracinë vetjake pjesë të të tjerëve e nuk mënoi, si perandorja që i ishte tymur mendja se e trashëgonte pushtetin nga Kozmosi, t’i veshë harabelat me pushtet.
- Mund të qe edhe ndryshe, Teodorë! Po të mos zgjasje veshët për Syrin e Universit! Po të bëje si mëma ime!
Në fallin antik me shtatëdhjetë e tetë pamje, vendosi të hapte letrat e Arkanës së Vogël, pjesë të cilën e ruajti për vete dhe nuk e përdori për askënd. Kryqtari Horatius gjeti datën e vet fjetëse, vite e vite më pas, 16 në muajin e planetit të Arit, shtatë katrore javësh para mbarimit të TOP Manastirit nga Pushtetmbajtësja mbi tre shkëmbinj, në zemër të të cilëve Teodora kishte projektuar një varr të fshehtë për të dy, skulpturuar përbrenda më fort se Parthenona. I erdhi keq që do të ishte një I Pavdekshëm. Kështu quheshin ata njerëz të rrallë, që kapnin e kapërcenin të tridhjetat edhe vuanin kusuret e moshës së përjetshme, sa leshrat u zbardheshin dhe lëkura bëhej zhubër. I buzëqeshi asaj date që do ta linte përfundimisht Në Universin Pa Peshë. Teodora e çoi për së gjalli mu në thelb të mosrëndesës kozmike.
Hija e velës në erë i shëmbëlleu nënën me fustanet e gjera. U mbush me të qarë, shenjë se lëngata e tij po mbaronte dhe gjethi i ri përmbanë detit do ta gjente më këmbë.
Eh, me nënën dashuria qe e thjeshtë dhe e plotë!
Edhe pushteti i tillë ishte:
I thjeshtë dhe i plotë.

24 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›