E Diel, 1 Nëntor 2026

Fije jete dhe fije arti



Roland GJOZA

1.
Nuk mund ta harroj atë gëzim aq të çiltër të Sadik Kacelit, kur i thamë se mungonte Parisi. Aparati i vjetër i projeksionit kërciste mbi tavolinën me qirinj dhe gota me verë të kuqe. Ai rrinte ulur në krye, Buroni (i biri) pas tij, me duart përpara ku mbante fotografitë e të atit bardhë e zi, ato nga kohët e hershme, vitet ‘30-‘40.
Piktori i vjetër vështronte përpara në mur me një përqëndrim fëmije. Kush nuk preket nga Notre Dame, Sena, Luvri, ku ai tani mendohej të kalonte me bastun. Kishin shkuar që atëherë 50 e ca vjet. Do të trokas te porta e studios së vogël, ku bëja nuset me duvak. Para Eifelit unë vizatoja nuset me duvak, që presin kuajt t'i marrin, kuajt e larë me sapun dhe të ferkuar me furçë e peshqir. Nuk më ndahej tema e Tiranës. Në shkollë në Paris në orët e nudos nuk gjeja vend dhe vizatoja ulur në dysheme. Asnjëherë nuk gjeja vend. Ata ma bënin kinse këtë gjë, për të më patur sa më larg. I ndieja vështrimet e çuditshme që më hidheshin herë-herë, po nuk kuptoja asgjë. Kishte ndodhur një keqkuptim. Ata, studentët, më kishin marrë frikë, sidomos vajzat për shkak të emrit Sadik, që e shqiptonin Sadist dhe prisnin kur do të nxirrja thikën.
Kjo histori e bënte për të qeshur. E vinte gotën me verë në buzë dhe shkrihej në lot. Ah, kur të shkojmë atje! Po nuk shkuam dot. Ai do të ishte fundi i filmit dokumentar, rikthimi në Senë.
Por bileta ishte prerë gabimisht për në lumin Lethe.

2.
Kozeta, vajza e Vangjush Mios, rrëfente për mbi 20 punë të vjedhura të babait. Me pikëllim të vjetër. Shkuam te Galeria muze e piktorit, një shtëpi si e dalë nga operat Traviata apo Bohemë. Korça ka shumë të tilla. Po mungon regjisori. Dhe roja. Ato mund te vidhen sërish e sërish edhe në mes të ditës. Zoti i ruajtë!
Ai ka qenë mik i ngushtë me fotografin Kristaq Sotiri. Të dy ishin kthyer nga jashtë. Kishin biçikleta, venin në Pogradec të shikonin liqerin. E dini? Edhe Sotirit desh i vodhën pllakat e xhamit. Dikush i kishte hedhur në një kosh plehrash. Ishte fare rastësi zbulimi i tyre. Tërë dhëndurët dhe nuset e Korçës në to. Qindra pllaka xhami me bromur argjendi. Qindra kryevepra të vërteta. Mjeshtër Sotiri ka fotografuar tëre dasmat e prindërve tanë, bukuroshkat e para, modelkat, por dhe nudo magjepsëse.
Ku janë, ku ruhen? Ja, këtë galeri qe shikoni, kërkon ta marrë pronari i shtëpisë. Pastaj ç’do të bëhet me pikturat? Do t'i mbaj unë në apartament, në dhomën e gjumit, në kuzhinë. Korça ka 36 piano, ku janë? Nëpër bimsa bashkë me temotjet. Atje përtej ka qenë Maxhistiku i famshëm i filmave pa zë. Ku është? ǒka mbetur, aparate, kaseta me filma, karrige, dergjen në një oborr shtëpie në mjerim. Po ikonat e kishave të vjetra, ikonat e Shpatarakut, Selenicasit, Zografit? Janë vjedhur. Shumë prej tyre janë vjedhur.
Kur erdhi babai nga Rumania dhe Italia, zbriti nga makina dhe hipi në një karro drithi në fushat e Korçës. Fjeti dy net me fshatarët dhe bëri pikturat e para në atdhe. Karroja ecte fushës në brymë, ndërsa ai i mbuluar me flokje të gjatë hidhte në telajo i mahnitur kavakët, fushat, kanalet, retë, qiellin madhështor.
Pastaj kërkoi të hapte një ekspozitë, po ku, si, në ç'mënyrë, sepse në Korçë nuk kishte galeri, as salla ekspozite. Po ai nuk donte të kthehej në Romë apo Bukuresht, donte doemos të qëndronte këtu. E ndihmoi një tregtar, hapi sallonin e madh të vilës së tij dhe aty u ekspozuan peisazhet dhe portretet e Vangjush Mios. Ky ishte atdheu, i pakët, i varfër, i paditur, po ata e benë atë, nuk e vodhën apo e braktisën.
Ajo kishte lot në sy. Kishte lot të vërtetë, që i fshnte në heshtje me fisnikëri.

3.
Pjetro Marubi erdhi në Shqipëri në vitet ‘50 te 800-es.
Thonë se ishte refugjat. Garibaldin i perndjekur. Zbriti në Vorë. Po aty një kolonel italian, që ia donte të mirën, i tha të shkonte në Shkoder, se ai mbahej si qytet më liberal, të huajt atje e kalonin pa kokëçarje.
Kështu bëri. Zbriti nga karroca dhe u fut në një kafene të madhe. Aty këndonte një çingije e bukur yll dhe ai u dashurua pas saj. S’i kishte ndodhur të binte kaq shpejt në dashuri. Ajo shkoi me të. Ishte një dhomë bujtine me një mangall bakri plot me prush druri në mes. Kishte shumë dritë natën. Ajo ia fërkoi trupin me raki, se atë e zunë ethet dhe, kur u zgjua, ai nuk e pa më.
Ajo nuk i kishte marrë paratë. Mbi çarçafë i kishte lëne unazën e saj, një rreth i trashë floriri me inicialet e saj, që ai nuk i dinte, se nuk ia mësoi dot emrin. Pietro e vuri në gishtin e vogël dhe nuk e hoqi më. Nuk u martua. Po krijoi familje. Frroku, mirëmbajtësi i shtëpisë, kishte tre djem. Ai ia shkolloi që të tre. I pari, Matia, vdiq shumë i ri nga tuberkulozi. I dyti, Keli, studioi te Lymierët në Francë dhe sot konsiderohet si një nga fotografët më të mëdhenj te Europes. Me këtë lidhet kjo që do t'iu tregoj. Këtë fakt interesant ma ka treguar Qerim Vrioni.
Më 1922 Ahmet Zogu, Minister i Brendshem, donte te bënte grumbullimin e parë të armëve në Shqipëri. Po kjo ishte një sprovë tejet e vështirë. Ai porositi te Kel Marubi një poster, që do t'i bënte reklamë kësaj fushate. Kjo fotografi konsiderohet si një nga kryeveprat botërore, ndër 500 fotografitë më të bukura.
Toger Raka, përfaqësuesi i qeverisë, i dërguar në veri për këtë mision, bajraktari i Shalës, malësorë, xhandarë. 12 vetë, 12 profetë të paqes, një afresk biblik i shtrirë në kahje horizontale, nga lind e perëndon, ku zgjohet dhe fle vetë perëndia. Ky hir mistik i shkon asimetrikisht me një notë tragjike kësaj marrëveshjeje paqeje me një mundësi ploje. Sepse aty fshihet dhe një farsë, toger Raka është poshtë i gjunjëzuar, ndërsa malësori krenar, bajraktari i Shalës, është lart në këmbë me pamje kreshniku, ai i ka zgjatur pushkën e gjatë Rakës me një mahi të mezidukshme në buzë. Dhe ia ka dorëzuar (!) pushkën me dorën e majtë, që vetëm merr, por s'jep. Një fotografi, por dhe një epope botërore. Një mision i kryer në pakryerjen e përjetshme të lojës universale të luftës dhe paqes.
Pjetro Marubi, italiani i madh, vdiq si baba. Kel Marubi gjeni vdiq si bir.
Per nder të italianit, shqiptari mirënjohës la mbiemrin e vet dhe mori atë të mirëbërësit.
Ndërsa për atë kryeveprën edhe sot kemi nevojë. Sepse në Shqipëri gjithmonë bëhen fushata për grumbullimin e armëve.

Optimizmi metafizik i një libri
Astrit LULUSHI (SHBA)

Shekulli XIX njihet si periudha më e suksesshme e romanit historik. Kjo edhe per faktin se me këtë zhaner u morën shkrimtarët më të mire të periudhës se romantizmit, si Valter Skot, Viktor Hygo, Aleksander Dyma etj. Në këtë vazhdë mendohet se hyn edhe Leon Kahun (18041-1900), i njohur me shume si studiues orientalist. Romani i tij "Hasan Jeniçeri" u botua në Francë më 1891 dhe lexuesit në shqip i bie ne dorë vetëm pas afro 125 vjetësh, falë përkthimit të studiuesit e shkrimtarit Fotaq Andrea.
Kur ky liber lexohet një here, veshtire të mos pëlqehet. Por kur libri lexohet për herë te dytë, pasi të shtyn ta lexosh, veshtirë te mos pajtohesh me mendimin e shprehur nga Apolineri se Faik Konica e mbante "Hasan Jeniçerin" e Leon Kahunit si librin më të mirë shkruar deri atëherë mbi historinë shqiptare. Dhe ata që e njohin Konicën e natyrën e shkrimeve të tij, nxiten e futen edhe më thellë duke zbuluar se "Hasan Jeniçeri" është jo thjesht roman, por një libër filozofik, një satirë e hollë, që shumë lehtë mund të vihet në radhen e librave si "Udhëtimet e Guliverit" i Suiftit apo "Kandidi" i Volterit.
Te "Hasan Jeniçeri" autori i paraqet botës, veçanërisht publikut francez të kohës, Kandidin shqiptar, përfaqesuesin e zhgënjyer të optimizmit metafizik, doktrinë e krijuar nga filozofi gjerman Leibnitz (shek. XVIII), që i kërkonte njeriut të pajtohej me fatin dhe tek çdo e keqe të përpiqej të gjente të mirën. Leibnitz e me pas Rusoi përpiqeshin kështu teëshpjegonin përse ndodhnin fatkeqësitë dhe përse Zoti, kur ishte aq i mirë, i lejonte të ndodhnin. Sipas tyre, Zoti është nje qenie e mirë dhe se bota e krijuar prej tij është më e mira botë e mundshme.
Por ky lloj optimizmi e revoltoi Volterin, i cili brenda 48 orëve shkroi romanin “Kandidi”, ku me sarkazem tregon se çare krijohet, kur njeriu mendon se "çdo gjë që ndodh, është për të mirën e më të mirës se te gjitha botëve të mundshme".

* * *
Te "Hasan Jeniçeri", Kahuni na sjell shembullin e optimizmit metafizik; atë të "një shqiptari që kishte luftuar me tërbim turqit për lirinë e tij të shenjtë, por që në rrjedhën e kohës i nënshtrohet fatit të tij të mbijetesës dhe bëhet vëlla me turkun brenda familjes së fuqishme ushtarake, siç ishte Oxhaku i Jeniçerëve, duke i shërbyer tani me devotshmëri e përkushtim". (F. Andrea, Parathënie "Hasan Jençeiri", Tirane 2005). Por ashtu si Kandidi, i cili e mohon vlerën e optimizmit metafizik, megjithëse i merr një kohë para se të arrijë në këtë përfundim, edhe shqiptari Hasan Jeniçeri "ndodhet shpesh në udhëkryq midis Lindjes e Perendimit, thur ëndrra të bukura e shpesh tradhtohet dhe në fund për mbijetesën e tij, e perseri forcën e gjen te vetvetja, te tiparet e karakterit te tij..." (F. Andrea, po aty.) Ngjashmëria midis Kandidit dhe Hasan Jeniçerit është e dukshme. Te dy ata merren me forcë nga ushtri të huaja, kthehen në ushtarë, arratisen dhe pas shumë vuajtjesh e udhëtimesh në vende të largëta, arrijnë në perfundimin e ngjashëm se natyra dhe njerëzimi tashmë janë krijuar, prandaj atyre u duhet të bashkjëetojnë dhe për një bashkëjetesë në harmoni. duhet të nisen drejt njeri-tjetrit për t'u takuar në gjysmë të rrugës; pra as bota dhe as njerëzit nuk duhet të ndryshojnë, por të dy duhet të ndryshojne, sepse ndryshe konflikti krijohet. Kjo duket se është baza e optimizmit metafizik, nga i cili Kandidi edhe Hasan Jeniçeri mbeten te zhgenjyer, pasi njëra palë nuk iu përmbajt rregullit të ndryshimit. Dhe zhgenjimi i tyre shndërrohet në heshtje, hidherim, sarkazëm. Në fund, Kandidi ul kokën e vazhdon të punojë në kopshtin e tij, ndërsa Hasan Jeniçeri hedh shikimin lart në qiell e thotë: "Zot na ndihmo!".
Megjithatë Volteri, ashtu si edhe Kahuni te "Hasan Jeniçeri", nuk thonë se çfare lloj optimizmi parapëlqejnë apo çfare duhet të bëjë njeriu në raste te tilla. Në fakt, këto pyetje i shtrohen lexuesit për t'iu përgjigjur. Dhe ndoshta kjo është edhe arsyeja që këto vepra vazhdojnë t'i qëndrojnë kohës.

24 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›