Shkarjet e dheut shembin komunën
BERAT - Prej një muaji, drejtuesit e komunës së Cukalatit po punojnë në qiell të hapur pasi godina e saj është shkatërruar si pasojë e rrëshqitjes së tokës. Burime nga kjo komunë bënë të ditur se rrëshqitjet masive që u krijuan në këtë zonë shembën 50 banesa duke dëmtuar rëndë edhe atë të komunës. Lajmin e konfirmoi edhe kryetari i komunës, Justi Zyka. “Ne si komunë kemi mbetur pa godinë dhe kësisoj nuk kemi se ku të punojmë për t’i shërbyer gjashtë mijë banorëve të kësaj zone. Ata kanë nevojë për shërbime të ndryshme”, u shpreh kryekomunari Zyka. Godina ishte ndërtuar në fshatin Cukalat, por nga rrëshqitjet e tokës, 50 banesa të këtij fshati edhe në Slanicë, çetë, Krotin dhe Alambres janë të pabanueshme. Tashmë të gjitha dokumentacionet zyrtarët të komunës po i mbajnë në shtëpitë e tyre për të mos u dëmtuar. d.xh