E Shtunë, 31 Tetor 2026

RAMA NUK IA DOLI SI OBAMA

Gjatë gjithë fushatës elektorale u vu re qartë prirja e propagandës në kampin rozë për ta paraqitur kryetarin e PS, Edi Ramën, si Obama shqiptar. Vetë Rama përvetësoi edhe deri moton e fushatës së Barak Obamës "yes we can" (ne do t‘ia dalim). Por nuk ia doli dot. Në mbarim të zgjedhjeve duket se Shqipëria do të ketë përsëri si Kryeministër një politikan të vjetër si Sali Berisha që prej thuajse 20 vjetësh, nuk bën gjë tjetër veçse përshtat epshin e tij për pushtet pa kufi, me koniunkturat e brishta politike në Shqipëri dhe ato të turbullta gjeopolitike në Ballkan. Çfarë nuk funksionoi në kampin e opozitës? Kush ishte pika e dobët që solli disfatën? Pikërisht ajo që shumë militantë të kampit rozë e besojnë dhe e përflasin si pikën më të fortë: lideri Edi Rama që përvetësoi vetëm moton e Obamës (ne do t‘ia dalim) por jo frymën e tij të lirisë që i bën masat të vërshojnë për një ndryshim pushtetesh në emër të lirisë. Në gojën e Obamës motoja "yes we can" ishte frymëzim lirie. Në gojën e Ramës ajo u bë shprehje bajate e një etjeje primitive për pushtet sa më absolut. Në gojën e Obamës ajo ishte shpresë masash. Në gojën e Ramës ajo ishte fasada e një lakmie klanesh. Disfata e 28 qershorit mban vulën e marrëzisë së madhështisë së Edi Ramës që provoi t‘ia rrëmbejë pushtetin autoritaristit Berisha, duke ofruar jo liri, por autoritarizëm. Në këtë kuptim nuk qe oferta e lirisë ajo që pësoi disfatë në zgjedhjet e qershorit, por autoritarizmi rozë në ngjitje që u mposht nga autoritarizmi blu në pushtet.

***

Shkalla e një disfate matet edhe me shkallën e dinjitetit të kundërshtarit që ka dalë fitues. Prandaj disfata është edhe më poshtëruese sepse sot kemi fitues një Kryeministër të diskredituar nga superskandale si ai i Rrëshen-Kalimashit dhe që duhet të ishte larguar nga karrigia që mban, qysh kur ndodhi tragjedia e paprecedentë e Gërdecit. Por nuk u largua falë një "tolerance" politike të Edi Ramës rrënjët e së cilës, duhen kërkuar në kalkulime cinike pushteti si dhe në mungesën e dhimbjes reale për 26 të vrarët në Gërdec. Toleranca e manifestuar nga Rama ndaj tragjedisë së Gërdecit është në thelb antihumanizëm. Ashtu sikundër është tolerimi i çdo krimi të shëmtuar kundër njeriut. Por është edhe simptomë e marrëzisë së madhështisë. Rama mendoi se shpërthimi i Gërdecit e vrau Berishën politikisht, duke e bërë të pashmangshme rënien e tij. Berisha bëri gjithçka që t‘ia përforconte këtë iluzion. Dhe nuk qe e para herë që luante dinakërisht "të drobiturin", "të marrurin" fund. Në ditët e tragjedisë vinte vërdallë gropës së shpërthimit me një pamje për të ardhur keq që e gjithë Shqipëria e ndiqte nga ekranet. Madje edhe vetë Rama i ra shpatullave si për t‘i dhënë zemër. Prandaj, më pas, në vend që të protestonte për jetët e humbura, në vend që të kërkonte largimin e një Kryeministri, qeveria e të cilit jo vetëm nuk i kish mbrojtur, por i kish marrë jetët e qytetarëve të vet, në vend që të rrëzonte pushtetin e Berishës, Rama ju përvesh punës për të betonuar pushtetin e tij të nesërm. Kjo qe një tjetër marrëzi politike. Krejtësisht naiv në kuptimin e shtjellës së politikës shqiptare, Rama nuk kish mësuar as nga "doktori" se hekuri rrihet sa është i nxehtë apo se "rasti është i ikshëm". Por "doktori" e kish mësuar këtë aksiomë të fundit nga Hipokrati dhe e kish përdorur për vite me radhë jo pa sukses në politikë. Madje edhe kur nuk qe i nxehtë, Berisha e bënte inkandeshent hekurin e politikës me goditjet pa fund që i jepte me çekanin e një mentaliteti bolshevik që ai (dhe jo pak shqiptarë) trashëgojnë. Berisha gjithmonë e pjell vetë, e krijon shansin politik edhe kur ai i mungon. Rama e humb shansin edhe kur ai i vjen vetë. Këtë treguan edhe këto zgjedhje.

Besimi se Berisha mori fund pas Gërdecit dhe etja për pushtet absolut e nxitën Ramën drejt aventurës së reformimit të thellë të sistemit politik, duke ndryshuar Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor. Besonte se do të përdorte, një tjetër marrëzi kjo, edhe Berishën. Dhe ky i fundit e dha konsensusin për reformat e ideuara nga Rama (duke mbledhur edhe ca pikë "tolerance" te ndërkombëtarët) sepse ato ishin në thelb autoritariste, pra përforcuese të një sundimi që mbetet strategji konstante e tij. Ndërsa Rama kujtonte se Berisha po punonte për të, ishte vetë Rama që pa e ditur, po punonte si leshko për Berishën dhe shtynte përpara punët e Berishës. Prova? Sot shohim se të gjitha aksionet apo reformat e Ramës kanë rezultuar në favor të Berishës. Rama mori ca lavdërime nga ndërkombëtarët sepse u tregua çun i mirë duke mbajtur qetësi solemne (edhe në protesta) para hyrjes së Shqipërisë në NATO, Berisha mbeti në pushtet edhe sepse "futi" Shqipërinë në NATO. Rama ideoi ndryshimin e Kushtetutës që të përforcojë pushtetin e tij të ardhshëm, sot rezulton se ka fuqizuar pushtetin e Berishës. Edhe reforma zgjedhore rezultoi një kalkulim i marrë që i çoi mandatet te Berisha, edhe pse votat ishin më në shumicë nga e majta.

***

Të gjitha reformat dhe aksionet e skicuara nga piktori Rama dështuan sepse nuk ofruan një thelb të ri. Oferta e "politikës së re" vuante nga një thelb i vjetër. Ajo nuk rrëzëllente me aspiratë lirie. Rama u përpoq ta mposhtë autoritarizmin e Berishës me demagogji populiste dhe jo me strategji liridashëse, jo me konkurrencë por me monopol, jo me pluralizëm por me monizëm. Kjo bëri që një pjesë e forcave më të kualifikuara antiautoritariste të distancoheshin prej tij. Madje, edhe të shikonin me dyshim dhe frikë një ardhje të tij në krye të një pushteti monolit dhe të pandashëm. Ecja e Ramës drejt pushtetit mori formën e një marshimi mbi Romën që shkreton pluralizmin ndërkohë që forcon pushtetin qendror të Kryeministrit mbi të gjitha pushtetet e tjera, mori formën e triumfit të njëshit mbi institucionet dhe mbi gjithçka. Thekset mbi luftën kundër korrupsionit thuajse mungonin në ofertën rozë dhe po kështu, edhe nevoja urgjente e pavarësimit të drejtësisë. As ka të krahasuar rrëmeti antikorrupsion që Berisha ngriti me hipokrizi në 2005-ën kundër Fatos Nanos, me simbolikat abstrakte antikorrupsion të Ramës që nuk preknin askënd. Edhe pse i diskredituar nga korrupsioni, Berisha qe më i drejtpërdrejtë kur akuzonte me spote televizive liderë socialistë si të privilegjuar në ndërtime pallatesh. Ndërkohë që propaganda e Ramës nuk guxoi t‘i përmendte Berishës lidhjet familjare me korrupsionin dhe trafiqet që shkaktuan Gërdecin. Spoti lakonik i propagandës socialiste "mos harro Gërdecin!" provonte se vetë Rama e kish harruar atë.

Divorci me aspiratën e lirisë është kryerrënja e disfatës së Ramës dhe PS në zgjedhje. Kjo shpjegon se përse Rama nuk arriti të fitojë si Obama edhe pse u përpoq ta imitonte atë. Por vetëm në fasadë. Rama shtoi ngjyrat e fasadave urbane, por rralloi ngjyrat e pluralizmit dhe lirisë politike. Koha tregoi se Rama ka të përbashkët me Obamën vetëm gjatësinë trupore dhe basketbollin. Obama është një nga liderët e rrallë të kësaj kohe që ka një lidhje organike me lirinë dhe vlerat që e ushqejnë dhe ushqehen nga ajo. Në fjalën e Ramës në mitingun përmbyllës të fushatës (pra që duhet të jetë sintezë e saj) vështirë të gjesh një frazë për pavarësinë e drejtësisë. Tamam si edhe në fjalën përmbyllëse të Berishës. Vetëm premtime për punësim, rrugë, për "bashkim" apo unitet populist tej së majtës dhe së djathtës, por thuajse askund një shtjellim i ideve dhe vlerave të lirisë aq jetike për demokracinë liberale. Krahasojini ato me fjalën e Obamës në Konventën e Demokratëve dhe do të bëni dallimin thelbësor mes këtyre liderëve. Obama i ka thurur një himn lirisë si zemra e sistemit politik në SHBA. Kuptohet menjëherë se për Obamën liria është një bindje dhe kjo e fundit, sikundër thotë Erich Fromm, është një mendim i rrënjosur në karakterin e njeriut. Rama ka dëshmuar me prova se i mungon bindja e lirisë prandaj edhe nuk mund të ishte i dedikuar ndaj saj. Prandaj dhe humbi përballë Berishës që po dëshmon së është "Voldemorti", magjistari më i sprovuar i autoritarizmit që po e mban gjallë atë edhe në epokën e demokracisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›