E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerimi që na ngushton

Lëvizja e lirë e njerëzve është në themel të katër lirive themelore ku bazohet projekti i Europës së Bashkuar. Eliminimi i kufijve dhe barrierave për lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe njerëzve është vlerësuar jetik për të ardhmen e këtij projekti.

Në një këndvështrim afatgjatë, Bashkimi Europian do të synojë gjithnjë e me tepër politikat lehtësuese për lëvizjen e lirë jo vetëm me vendet anëtare, vendet kandidate apo vendet aspiruese. Këto politika do të synojnë hapësira në rritje.

Vendimi i të enjtes së ardhshme për të hequr vizat për tri vende të Ballkanit Perëndimor, është një lajm i mirë për të gjithë rajonin. Disa vende përfitojnë drejtpërdrejt, ndërsa vendet jo përfituese do të ndiejnë kostot e dështimit dhe presionin për të mos u vonuar më shumë.

Politika e lëvizjes së lirë që u ofrohet tri vendeve të Ballkanit Perëndimor (që ndodhet në tri faza të ndryshme të anëtarësimit në BE), tregon se lidershipi politik i Europës së Bashkuar dhe teknokratët e Brukselit kanë vullnet pozitiv në rritje për rajonin tonë.

Në momentin që dera e BE-së do të hapet për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, ajo është njëkohësisht e hapur edhe për tri vendet tona. Më qartë, kjo lehtëson vendimin politik në momentin kur certifikohet plotësimi i kritereve të domosdoshme teknike.

Në Europën e Bashkuar ka vullnet të qartë politik për të mbështetur perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, për të lehtësuar vështirësitë ekonomike e sociale që mund të vijnë në rritje jo vetëm për shkak të krizës globale.

Zgjerimi i hapësirës së Europës së Bashkuar ku lëvizet pa viza, është një mundësi e mirë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, çdo vend i rajonit tonë që do të vonohet në plotësimin e kritereve teknike, jo vetëm do të humbasë një mundësi, por do të ketë vështirësi në rritje për të përfituar nga bashkëpunimi rajonal.

Në këtë kontekst, përfshirja e vendeve të rajonit tonë në hapësirën e re është një zgjerim që për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën, sjell izolim brenda vetë rajonit. Kjo është një kosto jo e lehtë, jo thjesht si një zhgënjim për vonesat tona të përsëritura, por edhe një kosto shtesë për çdo shqiptar dhe ekonominë tonë.

Mijëra emigrantë shqiptarë dhe familjet e tyre, qindra biznese, mijëra studentë, humbën një mundësi konkrete. Ekonomia shqiptare në tërësinë e saj mund të përfitonte nga heqja e vizave, aktiviteti tregtar do të rritej, flukset e eksport-importeve dhe të investimeve edhe nga vetë shqiptarët në emigracion do të rriteshin. Koha jo produktive për marrje vizash në ambasada e konsullata do të eliminohej, kostot deri miliona euro shpenzime dokumentesh dhe tarifa vizash do të reduktoheshin ndjeshëm.

Pas humbjes së mundësisë për të qenë në grupin e vendeve përfituese, më shumë se retorikë, qeveria e re dhe Parlamenti i ri duhet të fillojnë me një plan konkret masash prioritare, përmirësim kapacitetesh administrative, investime për modernizim logjistike dhe burime financiare konkrete për të eliminuar çdo vonesë në plotësimin e kritereve teknike.

Përballë zgjerimit që na ngushton ka vetëm një alternativë - të vraposh për t‘i shpëtuar izolimit në rritje. Çdo vonesë është një kosto shtesë që e bën më të gjatë dhe më të lodhshme rrugën drejt derës së hapur të lëvizjes së lirë në Bashkimin Europian.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›