E Shtunë, 31 Tetor 2026

REALiteti i Zi

"…Dua t’i them Presidentit Topi që do të punojmë me Ambasadën spanjolle në Shqipëri për të krijuar një shkollë futbolli në zonat e prekura nga përmbytjet në Veri…"

Ëndrra u bë REALitet, por magjia u prish.

Mijëra tifozë shqiptarë kanë mundur t’i shohin yjet e Real Madridit për vetëm 45 minuta, sepse një sherr që plasi me dritat ua prishi kënaqësinë për ta shijuar ajkën e futbollit botëror para syve të tyre.

Ndërprerja e energjisë elektrike në Stadiumin Kombëtar “Qemail Stafa”, ku po takoheshin Galaktikët me Gramozin, i la shikuesit në terr dhe në ethet e pritjes, pa ditur nëse ëndrra do të vazhdonte më tutje.

Dritat u kthyen pas një ore e gjysmë, e bashkë me to zdritën në fushë edhe një herë Cristano Ronaldo me shokë, por shihja e hidhur megjithatë mbeti.

Mediat në Shqipëri kanë raportuar për një sabotazh të bërë nga Menaxhmenti i Stadiumit, i cili dërgoi një mesazh të keq dhe fiku besimin për normalitetin shqiptar.

Kjo ndeshje, për të cilën Taçi Oil ka paguar 2.5 milionë euro, që t’i sillte Mbretërit e Madridit në Tiranë, përfundoi me rezultat 1:2.

Pjesa e parë e kësaj përballje u mbyll baras. Të parët që kaluan në epërsi ishin futbollistët e Gramozit, të cilët në minutën e parë të ndeshjes kaluan në avantazh me golin e Daniel Xhafës. Pas shumë tentimeve, futbollistët e Manuel Pellegrinit arritën ta barazojnë rezultatin nëpërmjet yllit brazilian Leite Kaka, i cili shënoi gol në minutën e 36-të.

Kurse, në pjesën e dytë madrilenët dominuan totalisht, me çka arritën ta shënonin edhe golin e fitores përmes sulmuesit francez Karim Benzema, i cili mori një top të shkëlqyeshëm nga mesfushori Guti.

Para fillimit të ndeshjes, u mbajt një minutë heshtje, në nderim të ish futbollistit të njohur shqiptar, 71 vjeçarit Panajot Pano, i cili ndërroi jetë të martën.

Pritje e madhe për Realin

“Real, Real, Real...!” ishin brohoritjet e qindra tifozëve shqiptarë, të cilët kishin dalë në Aeroportin e “Nëna Terezë” për ta pritur ekipin e tyre të zemrës, nëntë herë kampionin e Evropës, që për herë të parë në histori të tij shkeli tokën shqiptare.

Mijëra tifozë nga gjitha viset shqiptare kishin pushtuar kryeqytetin e Shqipërisë për t’i parë nga afër yjet e futbollit botëror si Ronaldo, Kaka, Raul, Casillas, Benzema etj.

Nga ato të gjitha që kishte parë me sy pas zbritjes në Aeroportin e Rinasit, ishin befasuar futbollistët edhe drejtuesit e klubit mbretëror spanjoll.

Pellegrini ndihet mirë

Pas akomodimit në hotel Sheraton, trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, portugezi Cristiano Ronaldo dhe ylli brazilian Leite Kaka, mbajtën një konferencë për media.

Trajneri i Realit e ka përshëndetur këtë gjest solidariteti, i cili ka për qëllim që nga përfitimet e tij, të ndihmohen familjet e mbetura pa strehë, pas përmbytjeve të fundit në Shqipëri.

“Ndihem shumë mirë që të ardhurat e kësaj ndeshjeje do të shkojnë për familjet e prekura nga kjo katastrofë natyrale. Është një nder për ne që jemi këtu. Dëshirojmë që njerëzit të jenë të kënaqur me spektaklin që do ta dhurojmë”, ka thënë Pellegrini.

Ndërkaq, për Cristiano Ronaldon dhe për Leite Kaka, kjo është hera e dytë që e vizituan Shqipërinë. I pari, herën e kaluar vinte me përfaqësuesen e tij, Portugalinë, për t’u përballur me Shqipërinë, kurse i dyti arrinte në Shqipëri në kohën kur luante tek Milan.

“Herën e kaluar isha i nervozuar, sepse na duhej fitorja gjithsesi me Portugalinë, për kualifikim në Botëror. Kurse, sot jam i qetë”, ka thënë njëri prej futbollistëve më të mirë në botë.

Edhe pse i mungon goli qe disa ndeshje, Ronaldo premton se shumë shpejt do ta gjejë atë, që nuk e ka parë në vitin 2010. “Nuk jam i preokupuar që nuk kam shënuar. Unë gjithmonë e kryej punën time dhe nuk jam konfuz. Golat do të arrijnë sigurisht”, ka vazhduar portugezi Ronaldo, i cili e ka analizuar edhe qytetin në të cilin është transferuar gjatë verës që shkoi. “Isha mjaft i lumtur në Manchester United, por jam këtu sepse familja ime e do Madridin”, tha ai.

Njëjtë si shoku i tij i skuadrës, as Kaka nuk e ka fshehur kënaqësinë që i zgjonte çdo herë ndjenjat e tij kur përmendej emri i Real Madrid.

“Jam i nderuar që e kam zgjedhur këtë opsion, në karrierën time. Më pëlqen të jem lojtar vendimtar, individualisht jam përmirësuar pas lëndimit, sepse luaj në mënyrë më natyrale. Po shkoj dalë ngadalë duke i përmirësuar paraqitjet e mia”, tha mesfushori brazilian.

Të gjitha të ardhurat nga ndeshje Gramozi – Real Madrid, janë dedikuar për familjet e prekura nga fatkeqësia natyrore, e cila kishte prekur Shqipërinë veriore, në fillim të këtij muaji.

Pas klubit italian të Milanit, që erdhi dy herë në Tiranë, tetor 2008 (humbi me Tiranën, 2-1) dhe maj 2009 (fitoi me penallti pas barazimit 3-3 me Kombëtaren), Reali është klubi i dytë më i madh në botë që vjen në Shqipëri.

Topi priti Perezin

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, është pritur nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. Ky i fundit ka falënderuar numrin një të klubit spanjoll për pranin e tij në Tiranë.

“Ne ju falënderojmë që jeni të pranishëm në Tiranë dhe ky event ka rastisur me atë raport të shkëlqyer që ne kemi me Spanjën, e cila në këtë periudhë kryeson edhe Presidencën e Bashkimit Evropian”, ka thënë Topi.

“Ju vini në një moment kur Shqipëria është tërësisht e fokusuar në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Kështu që, edhe ky eveniment e forcon imazhin e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane”, shtoi ai.

Presidenti i Shqipërisë ka falënderuar Perezin, për solidaritetin e tij, ndaj banorëve të Veriut të Shqipërisë, të cilët janë prekur nga përmbytjet.

Ndërsa, kreu i klubit madrilen, i ka premtuar Presidentit Topi, se do ta krijojë një shkollë futbolli në zonat e prekura nga përmbytjet në veri të Shqipërisë.

“Dua t’i them Presidentit të Republikës që do të punojmë me Ambasadën spanjolle në Shqipëri për të krijuar një shkollë futbolli në zonat e prekura nga përmbytjet në Veri të Shqipërisë që nëpërmjet futbollit dhe fanellës së Real Madridit, të ndihmojnë për të përmbushur nevojat parësore që mund të kenë këta fëmijë. Këto shkolla futbolli që krijojmë me Fondacionin ‘Real Madrid’ janë elementë të solidaritetit dhe ky është një detyrim që ne e ndiejmë si klub”, ka thënë Perez, i cili i ka falënderuar Topin për mikpritje të mrekullueshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›