Akuzat nga Haiti

Gojart Galica e ka ndjerë veten mirë kur në Express ka parë emrin e tij, si një prej personave që ka shpëtuar nga tërmeti shkatërrimtar në Haiti.
Më shumë se kaq, ka qenë i kënaqur se dikush nga Kosova është interesuar për fatin e tyre.
Por Gojarti thotë se e ka ndier veten të fyer dhe të lënë pas dore nga shteti i Kosovës, që sipas tij, nuk është interesuar fare për të dhe rreth 20 kosovarë të tjerë atje.
Prishtinasi, i cili për pak nuk ka qëlluar në Haiti kur ka ndodhur tërmeti, tregon se për fatin e tyre nuk është interesuar askush nga shteti i Kosovë, qytetarë të të cilit janë.
Për më tepër, deklarata e zëvendësministres së Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, se shumë prej kosovarëve që kanë punuar në kuadër të OKB-së, në Haiti, kanë pasur pasaporta të huaja, e ka irrituar edhe më shumë.
“Kjo nuk është e vërtetë, sepse të gjithë janë me pasaporta të Kosovës”, thotë Galica për Express, i cili vetëm pak ditë para se të ndodhte tërmeti, ka shkuar për pushime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës apo Ambasada e Kosovës në Washington, kanë qenë tërësisht indiferente për fatin e qytetarëve të vet në Haiti.
“Dua të them se kjo ministri ka qenë e informuar për ne që jemi në Haiti, sepse kemi qenë ne që i kemi informuar ata se ky shtet i ka pranuar pasaportat e Republikës së Kosovës. Madje për këtë pranim të pasaportave, ne kemi qenë shkaku”, thotë Gojart Galica.
I irrituar me indiferencën e kësaj ministrie, Gojarti tregon se të gjitha shtetet e tjera janë interesuar për fatin e qytetarëve të vet që kanë qenë në këtë shtet të Atlantikut, përveç Kosovës.
“Vetëm një shembull. Ambasadori i Serbisë në Kubë, shkoi në Haiti dhe vizitoi shtetasit e vet që punojnë në kuadër të OKB-së. Aty ai u ofroi ndihmën e tij. E për ne, askush”, shpjegon Gojarti, i cili nga 9 janari ndodhet në Majami të SHBA-së.
Sipas tij, një gjest të tillë ka mundur ta bëjë edhe ambasadori i Kosovës në SHBA, apo dikush tjetër në emër të tyre, për të parë se çfarë ka ndodhur me shtetasit e vet.
Por në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Washington, nuk është përgjigjur askush, pavarësisht tentimit të Expressit për të biseduar me dikë prej tyre.
Gjatë tërë kohës, lajmërohet vetëm sekretaria telefonike, ndërkohë që Albana Beqiri, këshilltare për media e ministrit të Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, thotë se ky dikaster ka bërë gjithçka që ka mundur në lidhje me këtë rast.
“Sa ka ndodhur tragjedia në Haiti, ministri Skënder Hyseni ka udhëzuar konsullin tonë në New -York, znj. Arta Rama, që të interesohet për shtetasit tanë në atë vend”, thotë Beqiri për Express.
Sipas saj, konsulli ynë është interesuar për fatin e shtetasve të Kosovës dhe ajo ka kontaktuar drejtpërdrejt Kombet e Bashkuara atje.
“Nga atje kemi kuptuar se asnjë prej tyre nuk ka pësuar nga ky tërmet dhe se nga të vdekurit apo të zhdukurit nuk ka asnjë shtetas të Kosovës. I kemi hapur numrat e telefonit dhe vazhdojmë të angazhohemi edhe më tej”, thotë këshilltarja Beqiri.
Për të mësuar saktësisht se çfarë ka bërë konsulli ynë në New York, gazeta ka kontaktuar drejtpërdrejt edhe Arta Ramën, e cila megjithatë, nuk pranoi të japë shpjegime.
“Për gjithçka në lidhje me këtë çështje, ne e njoftojmë Ministrinë e Punëve të Jashtme në Prishtinë dhe ata mund të japin informacione që iu nevojiten”, u shpreh Rama për Express.
Pavarësisht kësaj, Gojart Galica thotë se janë 14 kosovarë që punojnë në Haiti, të cilët nëse llogariten edhe ata që kanë fëmijë, atëherë del se janë 19 persona.
“E të gjithë janë me pasaporta të Kosovës. Se nga MPJ-ja ka marrë informata për rreth 40 kosovarë në Haiti, unë nuk e di”, shpjegon Gojarti, sipas të cilit, kjo është lehtë e verifikueshme.
“Le të kontrollojnë për pasaportat tona në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, thotë ai.
Kosovarët
Sipas Gojart Galicës, këta janë shtetasit e Kosovës që kanë qenë me mision të OKB-së në Haiti. Në këtë rast, në momentin e tërmetit, disa kanë qenë jashtë këtij shteti për pushime, e disa aty.
Gojart Galica, Bujar Aliçkaj, Armend Kastrati, Lindita Hoxha, Bekim Bojku, Vlora Merlaku, Habib Hoxha, Albert Munipi, Visar Halilosmani, Nexhat Limani, Artan Rexhepi, Azra Peçani, Albiana Kadriu dhe Shqipe Hebibi.