RECITALI, Gjyzeli dhe Baboçi, dy soprano në një skenë
Petrika GROSI
Sopranot Eriona Gjyzeli dhe Sonila Baboçi tregojnë për gazetën “Albania” mbi recitalin e tyre më të fundit në TOB. Ato zbulojnë për gazetën këtë bashkëpunim që do të vazhdojë gjatë, repertorin e koncertit dhe planet për të ardhmen. Sa i takon bashkëpunimit, sopranot thonë se “Gjithmonë kur hartohen programet vjetore të sezonit artistik ne paraqesim dhe projektet tona, të cilat i diskutojmë paraprakisht me drejtorinë, gjejmë hapësirat dhe ndajmë mendimet profesionale e artistike. Edhe recitalet janë pjesë e kalendarit të TKOB. Në kohën e lirë, secila prej nesh ka dëshirën të kalojë e të përgatisë materiale (duete) të ndryshme dhe kështu filluam ta mendonim seriozisht për idenë e një koncerti me duetet më të bukura të repertorit operistik. Ky koncert prezantohet për herë të parë, nga fillimi në fund veç me duete, falë edhe punës shumë profesionale dhe të përkushtuar të koncert maestër zj. Donika Çili. Në koncert kemi të ftuar edhe një nga muzikantët më të rinj të orkestës së TKOB, violonçelistin e talentuar Mario Guralumi.” Ndërkaq, në lidhje me repertorin, sopranot tregojnë se kanë dashur të mos mungonin pjesë nga të gjitha stilet dhe epokat e repertorit operistik, duke filluar nga ai paraklasik, barok, klasik dhe romantik. Elementët që i dallojnë sopranot nga njëra tjetra janë ngjyra e zërit, tingëllimi i regjistrit vokal dhe potenca e tij. E pyesim këtë dyshe simpatike për rolet më të dashura dhe Eriona përgjigjet se ende nuk e ka realizuar personazhin e jetës së saj, por, roli i Mimisë është ëndrra e sopranos, ndërsa nga personazhet që ajo ka luajtur në të kaluarën vlerëson rolin e Nanettës te “Falstaff”. Të njëjtës pyetje, Sonila Baboçi i përgjigjet: “Nuk di t’i veçoj personazhet e shumta që kam interpretuar në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit por do të përmendja operat “Aida”, “Trovatore”, “Toska” etj. Po cilat janë impenjimet e dy sopranove në të ardhmen? Eriona Gjyzeli shprehet se “tetori është një muaj tepër impenjativ për mua, pas koncertit me duete vazhdoj punën me provat intensive të përgatitjes të premierës së parë në TKOB, ‘Porgy and Bess’, në rolin e Klarës. Më tej do të interpretoj në sezonin ‘Klasik’ në Akademinë e Arteve, ku jam e ftuar për të kënduar oratorin “Krijimi” të Hajdenit.” I njëjti intesitet pune nuk mungon edhe për Sonila Baboçin. Fill pas përfundimit të këtij koncerti ajo vazhdon impenjimin e radhës me kryerolin e Salomesë në premierën e operas me të njëjtin emër, të Shtrausit. Kjo opera do të vihet në skenën e TOB-it gjatë muajit nëntor. Gjithashtu, Baboçi na konfirmon se do të vazhdojë të marrë pjesë në disa koncerte të tjera që janë planifikuar në kalendarin e TKOB-it.
12 Tetor 2009